Sekserët nisin “peshkimin” e viktimave të para

443
Sigal

Bazuar në një shkresë zyrtare, të ardhur qysh në datën 1 shtator 2016 nga Ministria e Arsimit, duket se në sektorin e arsimit, në pothuajse të gjitha rrethet do të nisin spastrimet e para, duke i motivuar ato si “reformim të stafeve shkollore”. Ministria e Arsimit ka nisur një shkresë të tillë edhe në DAR Elbasan (dhe në Librazhd, Gramsh dhe Peqin), ku kërkon “evidentimin dhe largimin e 144 arsimtarëve, që dalin “tepër” nga shkurtimi orëve të mësimit, kryesisht në lëndët shoqërore, si dhe gjuhëve të huaja, bazuar në raportimet”, duke kërkuar përgjigje zyrtare deri në datën 12 shtator 2016. Situata mbetet më tepër se dramatike, kur mendon se Elbasani, mbetet qyteti i njëmijë halleve, dhe ku arsimi mbetet sektori që ka mbijetuar deri sot. Lufta klanore dhe politike, ka vite që e ka prekur rëndë sektorin e arsimit në Elbasan, duke stimuluar dukshëm korrupsionin në shkolla. Përgatitjet për largimin e 144 mësuesve vetëm nga Elbasani, dhe dhjetëra të tjerëve edhe nga rrethet e tjera të këtij qarku, ka shënuar nisjen e spastrimeve politike dhe personale, për ti hapur rrugën prurjeve “të reja”, kuptohet sipas kriterit “kush paguan , bluan” kur dihet se edhe disa muaj na ndajnë nga fushata elektorale. Prej afro 2 javësh ethet e largimit nga vendi i punës, ka nisur të pushtojë çdo mësues që nuk ka krahë, që nuk ka mbështetje politike, që nuk përkrahet nga drejtori shkollës, dhe që nuk ka para.

Mësohet se në shkallë qarku nga Elbasani pritet të largohen butë-butë deri në fund të shtatorit 2016, mbi 320 arsimtarë, për të punësuar pas nëntorit sërish të tjerë, me ata që kanë “fituar portalin” e MASH. Pikërisht ky ishte momenti kur në lojë kanë nisur të rifuten sekserët, ata që deri tani ishin nën “hije”, dhe që janë aktivizuar ethshëm. Sekserët do ti gjesh në shkollat e mesme dhe ato 9 vjeçare, por nuk është e vështirë ti takosh edhe në ambientet e tjera rreth DAR-eve në rrethe. Janë pikërisht sekserët që pasi kanë marrë urdhrat, janë nisur të peshkojnë viktimat e para në shkollat e qytetit të Elbasanit. Sekserët do ti ndeshësh shpesh në ambientet e shkollave, pasi ka prej tyre që janë mësues me mbështetje politike. Një mësues që ka edhe 5 vjet punë akoma për të dalë në pension në një nga shkollat e mesme (gjimnaz) të Elbasanit i deklaroi “Telegraf” se “unë jam në listë sepse më tha sekseri që kam tek shkolla ime, dhe ma tha tullë, kjo punë rregullohet duke paguar or koleg”. Korrupsioni që ka mbërthyer prej vitesh sektorin e arsimit në shkallë vendi, duket se ka viktimat e veta, shumica e të cilëve kanë frikë të flasin hapur edhe kur atyre u preket vendi punës, xhepi dhe buka e fëmijëve. Para tre ditësh kryeministri Rama deklaroi nga Patosi se “sot nuk ka shanse të largohet një mësues për motive politike, apo për një aferë korruptive, kemi larguar frikën e mësuesve”. Por realiteti është krejt ndryshe sot në Elbasan dhe pothuajse të gjitha qarqet e vendit. Mësuesit sot jetojnë me frikën e largimit nga puna, me frikën e shkurtimit të vendit të punës, me frikën e shkurtimit të orëve të mësimit, pasi gjithçka bëhet qëllimisht nga drejtuesit dhe sekserët e tyre. Gjithçka është kthyer në biznes nga paaftësia e atyre që drejtojnë shkollat, dhe që po mbushin stafet me mësues që nuk dinë të shkruajnë emrin e tyre në regjistër. Urdhrin e MASH, natyrisht që DAR-et në rrethe do ta zbatojnë edhe për faktin, sepse ai mbetet një urdhër që paralajmëron afrimin e fushatës, përgatitjet e të cilës kanë nisur pikërisht nga sektori më delikat, arsimi. Veç inateve dhe luftës personale, duket se edhe mësuesve që u ka mbetur edhe 4-5 vite pune për të dalë në pension, do ta kenë fatin të largohen dhe të zëvendësohen nga “fituesit e portalit”, nga ata që çdo provim në universitete e kanë marrë duke paguar 100 apo 200 euro. Kjo, sipas MASH do ta bëjë “arsimin më cilësor” për të përgatitur breza të aftë për mësimdhënie sipas modelit të “Rilindjes”.

MAKSIM TUFA