Sejmen GJOKOLI/Një fjalë për të gjithë…

155

Dy shkrime të botuara kohë përpara ditës së zgjedhjeve, i pari “Me apo pa LSI-në , dilema që shpejt do zgjidhur”, botuar në të përditshmet “Zëri…” e “Telegraf” dhe tjetri me titull “Metën e fituam, të fitojmë njëri- tjetrin “, botuar po në “Telegraf” besoj janë të mjafta për të mos paragjykuar e për të mos thënë dikush se pa nisur puna kërkoi ti vendosë ‘gurë në rrota’ koalicionit.

Përkundrazi, konsekuenca dhe bindja se ky koalicion ishte i domosdoshëm më jep të drejtën që sot të them po me kurajë se, gjithashtu,  duhet të jetë edhe njësoj i përgjegjshëm përpara shqiptarëve.  Madje kjo bindje, po edhe meraku, më nxit ti shkruaj këto radhë. Nuk dua ta fsheh, nxitje për të folur sot rreth kësaj teme u bë fjala e kryetarit të PS dhe kryeministër i ri i vendit Edi Rama, në mbledhjen e fundit të asamblesë së socialistëve. Fjalë që të lënë pa fjalë, jo thjesht nga mënyra e artikulimit por, mbi të gjitha, nga mesazhet e fuqishme dhe mjaft domethënëse që ato përcjellin.

Në vend të tam- tameve të fitores apo mburrjeve për mandatin e çimentuar maxhoritar që shqiptarët i dhanë koalicionit të majtë në 23 Qershor, i pari i ekzekutivit të vendit ka zgjedhur të ndajë me socialistët dhe të tjerët  merakun e madh që lidhet me administrimin e këtij besimi.

Nga foltorja e forumit socialist Edi Rama përcjell hapur e në sy e veshë të të gjithëve  parashtrimin e alternativës ;  “…ose të bëjmë histori ose të ndëshkohemi pas 4 vjetësh në mënyrë historike”.

Më qartë s’ka si thuhet edhe pse personalisht dua të ndaj bindjen se, qoftë edhe për shkak të opozitës së gjatë, socialistët janë më të ndërgjegjësuar për misionin e tyre.

Duket edhe si u përcoll fitorja edhe si u përballua rezultati spektakolar i mandateve të fituara. Por edhe një fakt dua ta bëj prezent.

Vetëm një ditë më parë, pak a shumë të njëjtin merak, do ta dëgjoja të artikuluar nga liderët lokalë të socialistëve në Vlorë, në takimin falënderues me asamblenë  dhe shtabin e fushatës elektorale të bashkisë së qytetit ku u  shënua një rezultat elektoral, në favor të Partisë Socialiste, nga më pozitivët në rang vendi.

Por , në fakt, jo njëlloj duket sjellja në formacione të tjera edhe ato fituese e kontribuuese në fitoren e madhe.

Se kam fjalën për lidershipin, i cili, përkundrazi, duket  në sinkronizim të plotë me lidershipin socialist, por poshtë, në bazë, ku dhe pritshmëria për punësim e zgjidhje të tjera është tejet e prekshme dhe ku sensibilitetet janë të mëdha. Madje, edhe më keq kur jo pak prej manifestuesve të kësaj vijë- sjelljeje i kanë ende të ngrohta karriget e lëna në PS apo dhe të administratës së kaluar.  E thënë troç; ka jo pak ndër ne që kanë nisur të tundin shaminë e fitimtarit dhe të gjithëpushtetshmit. Madje, për disa shkohet deri aty sa duket se bëjnë karshillëk jo për të treguar epërsinë e fitores ndaj të humburës, Partisë Demokratike, por ndaj vetë socialistëve.  Ja pse fjala e Edi Ramës,mbajtur përpara Asamblesë Socialiste, për të parën herë si kryeministër i vendit duhet të jetë si një kambanë alarmi, por edhe si filozofi qeverisëse për të gjithë. Veç në secilin formacion politik, pjesë marrës në qeverisjen e vendit, dikush duhet ta artikulojë, madje edhe ta amplifikojë e, pa i hequr presjen, ta thotë. Të gjithë bashkë, mandatin e dhënë me pashë nga populli, duhet ta përdorim për të bërë historinë e re europiane që kërkojnë shqiptarët e jo ti lejojmë vetes që, në më të parin rast, të na ndëshkojnë në mënyrë historike. Është fjalë për të gjithë fitimtarët.