Sejdini merr 8 miliardë lekë investime, Elbasani kthehet në një kantier pune

506
Sigal

Qyteti i Elbasanit prej një muaji është kthyer në kantier pune, pas thithjes së afro 8 miliardë lekëve investime nga Kryetari Bashkisë Qazim Sejdini, projekte, të cilat janë duke u zbatuar në rrugët kryesore, dytësore, trotuare, gjelbërim dhe ndriçim, si dhe suvatimin dhe lyerjen e fasadeve të gjithë pallateve nga hyrja deri në periferi. Kjo vlerë investimesh, është thithur nga Bashkia e Elbasanit, për herën e parë pas afro dy dekadash, dhe përfshin investime në pothuajse të gjitha rrugët, degëzimet dhe linjat e trafikut të qytetit. Është filluar nga qendra dhe rrugët e kryqëzimet , të cilat janë lënë në harresë për shumë vite. Elbasani ka vuajtur për investime në infrastrukturë. Në Elbasan investimet e tanishme nuk barazohen as me investimet e bëra në 20 vjet bashkë. Investimet nisin nga qendra dhe që do shkojnë deri në rrugicën e fundit të qytetit. Stadiumi “Elbasan Arena” po bëhet krejt i ri dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ndeshje por dhe zhvillim ekonomik. Investimet shtrihen përtej Bashkisë së sotme të Elbasanit, duke kaluar në një fazë ku investimet po bëhen me standarde dhe po insistohet që ato të jenë brenda parametrave europianë. Janë 8 kantiere në Elbasan dhe kryetari i Bashkisë Sejdini premton se “do mbyllen brenda këtij viti”. Zoti Sejdini premton se, “kemi hapur një rrugë të mbarë për të rilindur qytetin e Elbasanin, dhe veç rrugëve, stadiumit, ndriçimit, gjelbërimit qyteti ynë do ketë më shumë zhvillim të biznesit të vogël e të mesëm”. Duke u ndalur tek stadiumi, zoti Sejdini tha se, “ai do të jetë shtëpia e kombëtares deri në ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar duke pritur ndeshjet që nuk do të sjellin vetëm ekipe dhe tifozë, por edhe më shumë zhvillim për biznesin dhe qytetarët e mi”. Në 11 Tetor në stadiumin e Elbasanit do të pritet skuadra e Danimarkës. Stadiumi “Elbasan Arena”, do të mirëpresë ndeshjet e Kombëtares së Futbollit. Një investim me vlerë 5.5 milionë euro, njëherësh i konsideruar pjesë e rëndësishme e rilindjes së Elbasanit, duke garantuar transformimin urban të qytetit ku do të rindërtohen rreth 50 mijë metra katrore rrugë, 25 mijë metra katrore trotuare, 70 mijë metra katrore fasada godinash, 2 mijë metra katrore gjelbërim, etj .Punimet në qytetin e Elbasanit, të cilat synojnë t’i japin një pamje të re qytetit , po ecin me ritme shumë të shpejta për ti përfunduar në kohën e caktuar projektet. Falë mbështetjes nga Rama në këtë qytet kanë filluar investimet, të cilat do të pasohen edhe për vitin e ardhshëm nga dhjetëra projekte të tjera, ku më i shumëprituri mbetet ai për landfillin e ri të qytetit, që do të përpunojë plehrat dhe mbetjet e tjera, duke eliminuar fushën e vjetër, e cila është kthyer në ndotësi më problematik për banorët.