Sejdini kundër Veliajt:U ka hequr 1200 vetëve ndihmën ekonomike!

589
Sigal

Qazim Sejdini kryetari Bashkisë së Elbasanit, ka shfrytëzuar dje paradite mbledhjen e Këshillit Bashkiak, për të deklaruar kundërshtimin e tij ndaj vendimit të kreut të MMSR Erion Veliaj për ti prerë ndihmën ekonomike 1200 personave në qytetin rekord të fukarallëkut. Duke folur para këshilltarëve dhe për mediat zoti Sejdini tha gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak se “ U është hequr 1200 vetëve, dhe jam kundër platformës së MMSR, ky qytet nuk meriton vendime të tilla të pastudiuara”. Kreu i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini ka deklaruar se është kundër platformës së MMSR për ndihmën ekonomike. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë ai theksoi se “kjo ndihmë u është hequr 1200 vetëve, gjë e cila sjell probleme serioze në jetën dhe familjet e tyre, ndaj ne presim zgjidhje për shqetësimin e krijuar , gjithashtu jemi në kontakt më ministrinë për të gjetur zgjidhje për situatën e krijuar”. Me pretendimin se “është abuzuar me ndihmën ekonomike dhe rritjen fiktive të numrit të personave që e përfitojnë atë”, me urdhër të kreut të MMSR Erion Veliajt, u hoqën nga lista e personave që marrin ndihmën ekonomike çdo muaj plot 1200 persona. Kjo padyshim ka sjellë indinjimin e tyre, të cilët prej afro 2 muajsh nuk po marrin paratë me të cilat mbajnë frymën gjallë, dhe po kërkojnë nga kryetari Bashkisë Qazim Sejdini të ndërhyjë pranë MMSr për të gjetur një zgjidhje. Elbasani mbetet qyteti ku varfëria ka një shtrirje të madhe ndër familjet me të ardhura fare minimale dhe ato që nuk kanë asnjë të punësuar në shtet apo privat. Ky qytet numuron mbi 22 mijë të papunë, dhe heqja e ndihmës ekonomiike për 1200 persona, do të thotë rritje e numrit të papunësisë dhe e personave që jetojnë në varfëri. Në 1 vit qeverisje socialiste, Elbasani pothuajse nuk ka përfituar asgjë për zbutjen e problemeve sociale si papunësia, përkundrazi ajo sa vjen dhe rritet. Qytetarët e Elbasanit janë sot më të varfër se 1 vit më parë, më të zhgënjyer se 1 vit më parë, më mosbesues se 1 vit më parë, më pesimistë për jetën se 1 vit më parë, duke humbur çdo ditë shpresën për më mirë. Heqja e 1200 personave nga lista e ndihmës ekonomike do të rrisë dhe egërsojë problemet sociale në Elbasan, dhe kjo padyshim si meritë e një ministrie dhe një ministri që nga zyra “bën dhe harton programe zhvillimi”, apo edhe “zbulon mashtrues dhe abuzues me ndihmën ekonomike prej 2200 lekësh”, që nuk mjaftojnë për bukë thatë për 1200 personat të cilët prej 2 muajsh gdhihen dhe ngrysen në derën e Bashkisë, me shpresën se vetëm Qazim Sejdini mund tu zgjidhë hallin e tyre jetik. Kjo pasi Erion Veliaj nuk ka pranuar as tu ktheej përgjigje, kërkesës së tyre për rishikimin e vendimit për ti hequr pa asnjë arsye bukën e gojës dhe për ti lënë ata në mëshirën e fatit, pa punë dhe pa asnjë të ardhur tjetër.