“Save the chidren”: Burgu, alternativa e fundit për të miturit në Shqipëri

526
Shumë organizata kanë ngritur shpesh herë shqetësimin, lidhur me numrin e minorenëve të arrestuar në Shqipëri. Nga një monitorim i bërë nga organizata “Save the chidren”, raportohet se për këtë vit numri i të miturve që kanë kryer vepra penale dhe më pas arrestuar është më i lartë se një vit më parë. Saktësisht, sot 93 të mitur më shumë ndodhen të arrestuar. Monitorimi i të gjitha institucioneve të paraburgimit dhe burgjeve në vend ka nxjerrë dhe një herë në pah këtë pjesë mjaft delikate, të përfolur disa herë nga shumë organizata dhe OJF, të cilët gjithmonë kanë bërë thirrje për rishikimin e situatës me të miturit e arrestuar dhe se alternativa e burgosjes së të miturve duhet të jetë e fundit që duhet marrë si ndëshkim. Studimi nxjerr në pah edhe përkatësinë gjinore të të paraburgosurve, që rezulton se të gjithë të paraburgosurit e mitur rezultojnë të jenë meshkuj dhe se vepra penale kryesore, që ka çuar në arrestimin e të miturve rezulton të jetë vjedhja. Shqetësues është dhe fakti se më shumë se 50 për qind e të miturve janë përfshirë më shumë se një herë në vepra penale, përkatësisht 8-11 herë, shifër kjo shqetësuese. Edhe pse flitet se janë ndjekur politika në këtë drejtim nga ana e drejtësisë shqiptare ende mbetet problem, numri në rritje çdo vit i të miturve që përfundojnë në arrestuar. Respektivisht të dënuar të mitur në vitin 2013 ishin 680, ndërsa në vitin 2014 të dënuar ishin 773, pra një rritje e konsiderueshme me 12%, në vetëm një vit. Këtë fakt e ka pranuar dhe zv. Ministri i Drejtësisë Arben Isaraj, i cili i ka konsideruar të dhënat e publikuara nga monitorimi, si shqetësuese. Ndërkohë që Nëndrejtori i burgjeve Bledar Skenderi ka theksuar se, problemi lidhur me këtë situatë është akoma më shqetësues, sesa trajtimi në këto institucione. Për këtë problem dhe standardet ndërkombëtare kanë vendosur se, përdorimi i masave të burgimit të të miturve duhet të jetë mjeti i fundit i përdorur, duke kërkuar me ngulm zbutjen e masave nga ana e drejtësisë në këtë pjesë. Problemi shqetësues është ai i mungesës së qendrave të paraburgimit të vend. Aktualisht gjenden vetëm 5 të tilla, përkatësisht në Tiranë, Vlorë, Korçë, Lezhë dhe Kavajë, ndërkohë që në qytetet e tjera mungojnë këto qendra paraburgimi. Organizata “Save the chidren”, por jo vetëm, gjithmonë pas monitorimeve të bëra, ka theksuar se, burgosja e të miturve nuk është zgjidhje, pasi kjo alternativë nuk paraqitet aspak pozitive dhe se drejtësia shqiptare duhet të bëjë kujdes me këtë pjesë.
Sigal