Sarandë: PS-ja e përçarë, Luiza Xhuvani rreket për garanci

747
Sigal

Ndoshta vërtetë gratë deputete në Parlamentin shqiptar duan më shumë gra në Parlamentin e ardhshëm, por ajo që po tregojnë deri tani është ndenja urtë dhe pritja deri në rifitimin e pozicionit të tyre në lista. Kjo sindromë e dëmton kauzën e grave për më shumë hapësira në vendimmarrje, pasi demokracia është e brishtë brenda partive dhe ato që kanë arritur të jenë deputete nuk kanë ndonjë vullnet për t’u dorëhequr në ndonjë tjetër mision publik. Ajo që po ndodh në Sarandë duket si një model i pranuar nga gratë e politikës që s’janë të sigurta për praninë në lista. Dhe fushata e pa nisur publikisht nga kandidatët për deputetë, vazhdon nën termin “shoqërisht” në rrethet e vogla e të njohura në Sarandë. Dhe ka pak gjasa të ketë ndonjë portret të ri shoqeje apo zonje nga Partia Socialiste në qytetin bregdetar. Edhe pse vizitat e shtuara të zonjës Luiza Xhuvani komentohen nga dega lokale e Sarandës, si vizita shoqërore të saja si deputete dhe jo pjesë e ndonjë fushate. Pas çarjes së PS/së në klane “pro” dhe “kundër” statutit, deputetja Luiza Xhuvani me veprimet e saj komentohet si shkak i thyerjes së statutit. “Pasi kapërceu zgjedhjet në organizatat bazë, mori vetë vendimin përmes një udhëzimi me firmë të rreme të Edi Ramës, vendosi kandidaturën e zgjedhur nga ish-kryetarja e PS-së Rajmonda Gjoni për Kryetare të Organizatës së Gruas”, tregon për “Telegraf” një nga kandidatet për kryesinë e grave të rrethit, Elona Nakuçi. Pas mocionit të socialistëve të Sarandës, ajo është ftuar nga deputetja Xhuvani për një kafe, si pjesë e diplomuar në akademinë politike të PS-së, por vetëm kaq, as ndjesë as ndonjë program përfshirës për gratë. Asnjë nga kandidaturat e emëruara nga zonja Xhuvani në kryesitë e grave  nuk përbën për momentit rrezik për pretendime në listën për deputete. Këto ditë zonja Xhuvani është e pranishme si në ambientet e degës së PS-së edhe në kafenetë e pakta të populluara. Me një portret melankolik ajo shihet shpesh në tryeza me një apo dy vetë, duke folur nën zë apo duke dëgjuar me shumë vëmendje. Duket më shumë një prezencë “unë jam” sesa një siguri se vërtet ka marr garancinë e kryesimit të listës për gjininë femërore në Qarkun e Vlorës. Fjalimi i saj disa sekondash në Markat në Festën e Çetës së Çamërisë  ishte po aq i lehtë sa prania e saj, një rikujtim se ajo është aty dhe se me të dal listat për deputete do t’i ngarkojë plaçkat për të jetuar në Sarandë. Por sa herë ka folur zonja Xhuvani në Parlament për problemet e grave në Sarandë apo në bashkinë, ku prej 2 vitesh qeverisin socialistët. Aty ku ajo takoi darkave gratë e kafeve besnike, trotuari ishte plot mbeturina, ku kullotnin kafshë shtëpiake, e ku të tjera gra kërkojnë për mbeturinat e riciklueshme. Deputetja Luiza Xhuvani nuk ofron asgjë për gratë në nevojë, ndërsa për gratë me pallto e të punësuara ofron takimet shoqërore. E pyetur nga gazeta nëse dëshiron të flasë mbi rolin e saj në plotësimin e kandidaturave në bazë meritën, sipas ligjit për barazinë gjinore, deputetja Luiza shprehet se ka shumë punë, është shumë e impenjuar dhe nuk ka kohë për opinione në media. Krejt ndryshe nga realiteti i ditëve të saja në Sarandë, në prag të hartimit të listave për deputete. Ajo po tenton të shfaqet në disa mjedise “Takime grash” me të njëjtat gra rreth e qark, të fotografuara në çdo kohë pranë saj, pjesë e administratës lokale të bashkisë si dhe kryetaret e forumit të grave të zgjedhura së fundmi prej saj.

Kontrolli

Deputetja Luiza Xhuvani ka nën kontroll çdo zënkë apo opinion në PS-në Sarandë. Kontrolli i Luiza Xhuvanit nisi që me kryetarët e rinj të organizatave bazë, fushatën “përça e sundo”, shkriu me ndihmën e zonjës Gjoni struktura, bashkoi anëtarët duke kundërvënë elementët militantë në një garë të heshtur me përfundim për të prishur “monarkitë e vendosura gjatë qëndrimit në opozitë”. Rezultojnë të larguar nga listat e organizatave disa anëtarë që i mendonte si jo mbështetës të zonjës Rajmonda Gjoni, veprime që u firmosën nga Kryetari i Rrethit Gjergj Mërkuri, të cilin socialistët në Sarandë e vendosën me 70% të firmave të asamblesë në mocion mosbesimi. Anëtarët e PS-së në 2009 gjenden jashtë listave si anëtarë organizatash tashmë në 2013. “Të gjitha për Luizën” mund të pretendoheshin para se të humbiste Rajmonda Gjoni. Duket si gruaja deputete në aleancë me një grua si Rajmonda, por në humbje, pasi të gjitha mbeten për Luizën. Dy takimet më të fundit të saj me gratë në dy lokale lagjesh, janë me të njëjtat gra, një 12 e sigurt si dëgjuese apo mbështetëse deri në daljen e listës për deputetët nga selia e PS-së.