Sarandë, partitë minoritare greke janë në konflikt

649
Sigal

Pensionet greke dhe 100- vjetori i protokollit të Korfuzit rindezin konfliktet në politikën e partive të minoritetit grek në Shqipëri

Kanë qenë dy zhvillimet e fundit në rajonin jugor të Sarandës, që kanë nxjerrë në pah përplasjet politike midis dy partive të minoritetit etnik grek në Shqipëri, PBDNJ-së dhe MEGA-s. Fillimisht ka qenë festa tradicionale e organizuar nga “OMONIA”, prerja e pitës, ku kanë marrë pjesë edhe kreu i PBDNJ, n/kryetari i parlamentit shqiptar, Vangjel Dule dhe konsulli i përgjithshëm i Konsullatës së Gjirokastrës Kotrokoi. Ndryshe nga festat e tjera të këtij riti, kjo pati pjesëmarrje, por jo entuziazëm, ndoshta se përkoi edhe me ditën e kapjes së autorëve të shpërndarjes së fletëpalosjeve antikushtetuese në Himarë. Konsulli Kotrokoi ka përshëndetur dhe përsëritur idenë e unitetit mes minoritarëve, ndërkohë që Vangjel Dule ka vënë në dukje, krahas shumë arritjeve politike të kësaj force në koalicion qeverisës, edhe faktin e pensioneve greke që do rijepen me reduktime, duke e quajtur si një sukses të bashkëpunimit të “OMONIA”-s dhe PBDNJ-së me qeverinë greke dhe jo si ata që mundohen t’i krijojnë kapital politik me këto pensione. Menjëherë, ka reaguar pas këtij sinkroni të fjalës së zotit Dule, partia tjetër e minoritetit etnik grek në Shqipëri, MEGA. Kreu i kësaj partie, Kristaq Kiço, është shprehur për “Telegraf” lidhur me këtë se: “Partia MEGA e ka vlerësuar problemin e pensioneve për minoritetin grek si një çështje mjaft të rëndësishme dhe asnjëherë nuk ka shfrytëzuar për qëllime elektorale, apo përfitime politike. Partia MEGA, me një program dhe strategji të qartë qëndron mbi mikrointeresa të ngushta për qëllime private. Ne i kemi ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet lidhur me këtë çështje dhe kemi paraqitur propozimet tona dhe në takimet e nivelit të lartë si ishte ai me ministrin e punës dhe çështjeve sociale në Athinë vitin e kaluar. E kemi ndjekur dhe e ndjekim problemin në vazhdimësi dhe përshëndesim ndjeshmërinë e qeverisë greke për pensionet. Partia jonë do të jetë korrekte, dinamike dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha problemet e pazgjidhura në minoritet dhe nuk do të jetë një politikë boshe, klienteliste, përçarëse dhe përjashtuese siç është politika e atyre që kërkuan që në momentet e para të denigrojnë dhe të përçmojnë ekzistencën e veprimtarinë e partisë MEGA”,-përfundon kreu i MEGA-s, Kristaq Kiço , për “Telegraf”. Dhe ky konflikt politik u shfaq haptazi një ditë pas ceremonisë së prerjes së pitës, në përkujtimoren e Thimjo Lolit, bust i vendosur në fshatin Krane të Komunës së Mesopotamit –Delvinë , si kryeluftëtari i çështjes së Vorio-Epirit. Komuniteti minoritar dhe drejtues të partisë PBDNJ dhe konsullatës greke bojkotuan këtë takim të organizuar nga rinia Vorio Epirote e Patras (Greqi), ndryshe nga tre vitet e tjera, ku kanë qenë pjesëmarrës. Kurorat me lule mbetën pa vendosur dhe në ceremoni morën pjesë vetëm 20 vet ku dëgjuan për aktivitetin e këtij personi dhe protokollin e Korfuzit që tani mbush 100 vjet. Po konflikti politik duket. Dikush thotë se, shumë pjesëmarrës nuk erdhën se patën frikë nga kapja e fletushkave në Himarë, dikush se nuk u njoftuan në kohë, etj.. Një gjë është e qartë: partitë minoritare janë në konflikt!