Sarandë, niveli i pagesës së taksës vendore, në zero

686
Sigal

Flet n/kryetari i bashkisë, Jorgo Mitro: “Pa paguar taksën s’do të kryejmë asnjë shërbim për qytetarët”

Bashkia e Sarandës, në një prononcimi për shtyp nëpërmjet n/kryetarit të saj për problemet ekonomiko-financiare, z.Jorgo Mitro ka dhënë alarmin për situatën, në të cilën ndodhet niveli i pagesës së taksës vendore. Mitro ka deklaruar se, në këtë periudhë kur kanë kaluar 6 muaj dhe kemi hyrë në të shtatin nga viti 2013, niveli i pagesës së taksës vendore nga qytetarët, si asnjë vit tjetër më parë është në nivelin zero. Por duke zbardhur detaje të kësaj situate alarmante për financat vendore, n/kryetari i Bashkisë së Sarandës, Jorgo Mitro, nuk ka fajësuar qytetarët, por kompaninë CEZ që ka hequr dorë nga praktikat ekzistuese kontraktuese midis subjekteve për të vjelë edhe taksën vendore, kur kryhet pagesa e konsumit të energjisë elektrike, por kjo është neglizhuar, mesa duket për të vështirësuar financat e pushtetit vendor, ka vijuar n/kryetari Mitro, duke kujtuar se, Bashkia e Sarandës, krahasuar me njësitë vendore të vendit ka taksat më të ulëta si për çdo familje shkojnë 1.800 lekë në vit. Në kohën kur kjo taksë vendore vihet në shërbim të punëve publike si gjelbërimi, pastrimi e ndriçimi publik, kjo një pagesë modeste se sipas llogaritjes së saktë çdo familjeje i takon të paguaj 8000 lekë për familje, ndërkohë që paguhet vetëm 1/5 e sajë, por përsëri nuk janë fajtorë qytetarët për situatën e krijuar, pasi vetëm firmës pastruese bashkia i jep 42 milionë lek në vit, pa futur kostot e shërbimeve të tjera dhe kjo se edhe në këtë situatë kur nuk janë paguar taksat vendore për shërbimet komunitare nuk janë prekur këto cilësi, përkundrazi janë në nivel më të mirë tani në sezon turistik, ndaj lypset përgjegjshmëria qytetare.

Detyrimet

Jorgo Mitro, n/kryetar i Bashkisë së Sarandës, ka shtruar pyetjen publikisht ndaj qytetarëve se a mund të vazhdohet kështu që vetëm të harxhojmë për të mos na munguar këto shërbime, vetëm të kërkojmë që ato të jenë më cilësore dhe askush të mos paguaj asgjë? Dhe përgjigjja vjen që sigurisht jo! Dhe apeli i parë i drejtohet gjithë banorëve të qytetit, qytetarisë së njohur sarandiote, kulturës së tyre, pjesë e së cilës është edhe korrektësia ndaj detyrimeve të vendosura bashkërisht në Këshillin Bashkiak, që është edhe “parlamenti lokal”. Dhe rrugët e mundësitë për ta zgjidhur situatën janë, madje të ndryshme. Shembulli i parë për zgjidhjen e situatës është funksionimi i zyrës së arkës së bashkisë, ku mund të kryhen pagesat e detyrimit prej 1.800 lekësh në muaj. Dhe shembullin e parë e ka kryer vetë administrata e bashkisë. Por kjo vetëm për fazën e parë se për mos tu lënë vetëm në kornizat e dëshirës dhe vullnetarizmit, n/kryetari Mitro, ka deklaruar se do të marrë masa shtrënguese dhe njëra prej tyre është kushtëzimi i kryerjes së çdo lloj shërbimi që është në detyrimin dhe kompetencën e bashkisë, pra pa pagesën e taksës vendore nuk do të kryhet asnjë shërbim, ka përfunduar nënkryetari i Bashkisë Sarandë duke shtuar se, beson në mirëkuptimin qytetarë ndaj këtij apeli, të cilët do të tregojnë gatishmëri dhe korrektësi për të kryer sa më parë pagesën e taksës vendore, pa shkuar tek masat shtrënguese që do të jenë me risk për qytetarët me ndërprerjen e shërbimit bashkiak ndaj tyre.