Sarandë/Nis aksioni i prishjeve të ndërtimeve pa leje

92

Ndonëse Saranda ndodhet në pikun, jo vetëm të vapës së Korrikut, por edhe në të fluksit të pushuesve që frekuentojnë këtë qytet, asgjë nuk e ka ndalur Kryebashkiakun e Sarandës, z.Stefan Çipa, për të nisur aksionin e paralajmëruar në goditjen e ndërtimeve pa leje. Më herët, para një muaji, Kryebashkiaku i Sarandës bëri një apel publik ndaj qytetarëve  që mos të gënjehen nga tranzicioni i ndërrimit të pushteteve, duke mospërfillur ligjet dhe shtetin, se do të përballen me forcën e ligjit, me atë ligj të vendosur bashkarisht, në mbrojtje të vlerave të Sarandës së të gjithëve dhe jetës qytetare. Çipa deklaroi se vendosmëria e zbatimit të ligjit do të jetë me tolerancë zero, ndaj në këtë apel të tijin, u lutej qytetarëve që të mos hedhin lekët në det duke ndërtuar pa leje, se do të prishen. Dhe aksioni nisi! Pothuajse kanë qenë rreth 10 objekte që kanë rënë nën goditjet rrënuese të fadromave, aksion i zhvilluar tërësisht nga strukturat dhe forcat e Bashkisë së Sarandës, i mbështetur nga Policia e Shtetit nëpërmjet forcave të rendit të Komisariatit të Sarandës. Dhe pas një pune evidentuese nga Policia Ndërtimore vendore, sot nisi faza e parë në shtesa, objekte dhe ndërtime kufizuese nga tregtarët. Sipas Kryebashkiakut të Sarandës, z.Stefan Çipa, kjo ishte faza e parë për të vijuar me fazën e dytë pas muajit Gusht, pra në Shtator, për mos të sjellë shqetësime publike, sidomos ato akustike për pushuesit, nga zhurma e çekiçëve dhe fadromave, pasi vetë objektet ndodhen afër vijës së plazhit. Pasi është krehur i gjithë qyteti tek objektet më problematike, do të vijë edhe faza e dytë me prishje objektesh pa leje dhe kthimin e sipërfaqeve publikut,  për investime publike. Pavarësisht këtij pushimi midis fazës së parë dhe fazës së dytë, për mos shqetësimin e pushuesve, “do shtohen kontrollet nga institucionet bashkiake, si ditën dhe natën, për mos lejimin e ndërtimit pa leje, por edhe qytetarët në një farë mënyre ndihmohen, se nuk u shkojnë lekët dëm duke ndërtuar pa leje, se mendojnë se nuk ka qeveri për shkak të zgjedhjeve, por ka pushtet vendor”, tha Çipa, duke përfunduar me një falenderim për Forcat e Rendit të Sarandës dhe Vlorës që ishin mbështetëse të këtij aksioni.