Sarandë, Kryebashkiakut Çipa i hiqen kompetencat nga Ujësjellësi dhe sporti

564
Sigal

QKR regjistron dy vendimet e fundit të Këshillit Bashkiak. Stefan Çipa dërgon çështjen në gjykatë

Sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak, Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa nuk do të ketë më kompetenca në bordin e Ujësjellësit dhe në këshillin mbikëqyrës të sport klub “Butrintit”, duke i lënë në këtë mënyrë vetëm administrimin e bashkisë. Por sipas burimeve në administratën që vetë z.Çipa drejton bëhet e ditur se të dy vendimet janë kundërshtuar në Gjykatën e Faktit në Sarandë. Këto dy vendime të bujshme të Këshillit Bashkiak të Sarandës, heqja e autoritetit të Kryebashkiakut Stefan Çipa nga bordi i Ujësjellësit dhe sporti, kanë shkuar në QKR (Qendra Kombëtare e Regjistrimit). Sipas burimeve nga Këshilli Bashkiak i Sarandës mësohet se njëri nga vendimet, ai i Ujësjellësit, tanimë është i regjistruar në regjistrat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Vendimi

Këshilli Bashkiak ka vendosur para dy muajsh t’ia heq këtë të drejtë Kryebashkiakut dhe të vendos një këshill të monitoruar nga vet Këshilli Bashkiak me kryetar njërin nga këshilltarët, Rustem Duka, ndërkohë që, ky vendim është apeluar në Gjykatën e Faktit Sarandë, ku nga gjykimi i çështjes Bashkia e Sarandës ka dalë fituese, duke shënuar paradoksin e radhës  në qytetin e Sarandës përreth gati një viti që qeveris qytetin z.Çipa. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe vendimi ndaj shkarkimit të këshillit mbikëqyrës të sport klub “Butrinti”, pritet së shpejti që të gjeje miratimin dhe regjistrimin në QKR. Dy vendimet e fundit të Këshillit Bashkiak e kanë zhveshur nga kompetencat Kryebashkiakun Çipa nga dy institucionet më të rëndësishme të qytetit duke i lënë në drejtim dhe administrim vetëm Bashkinë dhe administratën e saj. Kjo nuk është pranuar nga z.Çipa dhe aktualisht në këto institucione funksionojnë dy struktura paralele, një veprim tejet antiligjor dhe faktorizues në mos mbarëvajtjen dhe cilësinë e punës në shërbim të komunitetit. Burime nga Këshilli Bashkiak shprehen se mbas regjistrimit edhe të vendimit të sportit, do t’i drejtohen gjykatës dhe Përmbarimit për shpërndarjen e strukturave paralele të jashtëligjshme. Tanimë mbetet vetëm drejtimi në organet e drejtësisë për shkrirjen apo shpërndarjen e strukturave paralele në administrimin e ujit të pijshëm dhe sportit.