Saranda, qyteti ku bashkëjeton turizmi me blegtorinë

1424
Panajot Zoto 
Sotiris Dhimitriu fliste me pasion për Sarandën, teksa po shëtisnim, ditë më parë, në bulevardin e qytetit. Poeti jonian Andra Zarballa, që ma prezantoi mikun e tij, prozator nga Igumenica tha se deti në Sarandë të frymëzon, por qyteti nuk është se të ekzalton. Ndërkaq prozatori nga Igumenica këmbëngulte se rrallë kishte parë një bukuri si kjo, ku qyteti zbret nëpër shkallare në një bulevard mahnitës si ky, që nuk i mungon vetëm qytetit të tij, Igumenicës. Këtu, thoshte ai, merr frymë lirisht. E tret shikimin tej në detin e kaltër dhe ndjehesh brenda tij… Po e mbyll këtu ekzaltimin e prozatorit grek prej pamjes, vërtet ekzotike të këtij mëngjesi me diell në Sarandë. Nuk është i vetëm ai, që flet me pasion për këtë qytet, edhe se hija e betonit të vret e ndërtesat e larta duket se janë gati në “rrëzim” mbi bulevard. Saranda po tërheq për vit e më shumë vizitorë vendas e turistë të huaj. Turizmi është e vetmja ”industri”, që mban gjallë jetën në këtë qytet. Do desha të shkruaja diçka mbi përgatitjet për sezonin e këtij viti, por ende nuk ka një datë kur bashkia do ngrejë siparin e tij. Qyteti nuk “flet” për turizmin, pasi rrugët e tij janë tejmbushur nga balta e pluhuri që shkakton investimi, vërtet madhor, për ujin e pijshëm. Arteriet e rrugëve nëpër qytet janë çarë për futjen thellë në to, të rrjetit të ujësjellësit, që, siç thuhet, do t’i garantojë ujë më të bollshëm, në kohë dhe sasi, banorëve. Punohet intensivisht, që investimi të mbarojë së paku në qershor, por…

Medalja me dy anë

Nuk është vetëm ky shqetësimi. Qyteti, jo në gjithë hapësirën e vet, të jep ndjesinë e një mjedisi domethënës turistik. Jo vetëm sot, në këtë sezon, qyteti është unik në ofertën e një hapësire turistike. Qyteti është si medalja me dy anë. Bregdeti me shëtitoren, mjediset, lulishtet e qendrës dhe rrjetin e hotelerisë përgjatë rrugës drejt Ksamilit, ku zhvillohet jeta turistike me ditët e ngrohta që mbledhin pushuesit në plazhe dhe netët e pabeve të zhurmshme, ku rinia “shfryn” dufin e kënaqesisë prej “orgjive” dehëse të ditës, nga njëra anë, dhe…lagjet me ndërtesat që i ngjiten malit, ku jeta vazhdon me ditët që kalojnë heshtazi, si zakonisht. Kjo pjesë e qytetit si dhe gjithë ekstremet e tij dominohen, jo nga zhurmat e bareve dhe lokaleve ku gëlojnë turistët dhe as nga vullnetet për zhvillimin e turizmit. Atje gëlojnë blegërimat dhe duket “mania” e zhvillimit të blegtorisë. Saranda në dy pamjet e saj prezantohet si një qytet ku turizmi bashkëjeton me blegtorinë. Jo sot. As në vitet e fundit, por qysh pas viteve ’90-të, blegtoria, fillimisht lopët e më pas të imtat, u shfaqën habitshëm për banorët e hershëm, në rrugët e qytetit, në kërkim të ushqimit nëpër kazanët e plehrave. Ndër vite pushteti vendor është përpjekur të ndalojë këtë tendencë blegtorizimi, por krerët e bagëtive çdo vit e më shumë janë shtuar. Tani nuk ka më lope që bredhin rrugëve të qytetit, por tufa në dhjetëra e qindra krerë, që mbarështohen në kurorën e gjelbër të qytetit dhe në stalla pranë banesave të banorëve periferikë. Qeveria e sotme ka investuar për të ripërtërirë gjelbërimin e malit të zhbërë, në gjithë këto vite, prej makutërisë së ndërtimeve. Mbi 26 mijë fidanë pisha të mbjella kanë një mbirje mbresëlënëse, por roja, që paguhet për të mbrojtur këtë bimësi të kurorës, thotë se jo pak fidanë janë tharë për shkak të dëmtimeve nga lopët dhe të imtat e shumta që kullosin në këtë faqe mali. 

Statistikat e blegtorisë

Statistika më e fundit zyrtare është kjo: Banorët, qytetarë të Sarandës, mbarështojnë 996 krerë gjedhë, 4360 dele, 2100 dhi, 320 derra, 1455 pula, 14 kuaj (kafshë pune) e mushka dhe 707 koshere me bletë. Në total (përjashtuar pulat dhe kosheret e bletëve) 7730 krerë. Nuk mbetet më pas Ksamili,kjo qytezë turistike, tashmë pjesë e bashkisë së Sarandës. 2000 krerë gjithsej, gjedhë, të imta, derra e kuaj përbejnë inventarin blegtoral edhe të kësaj perle turistike. Ç’të keqe ka?!- mund të shtrohet pyetja. Së pari jemi në shkelje të ligjit, i cili ndalon mbarështimin e blegtorisë në qytete. Së dyti, është shprehje e mungesës së një kulture qytetare e turistike, që cenon imazhin e një qyteti që pretendon të jetë lider turistik në jug, e të tërheq mijëra turistë e pushues çdo vit. Nuk mund të them se është mosdashje e pushtetit për zbatimin e ligjit dhe largimin e bagëtive nga qyteti. Fakt është se përpjekje ka patur, por administrata e kaluar e bashkisë, psh, është sabotuar nga vetë këshilltarët e përfshirë në interesa pronësore në këtë fushë. Veç lufta dhe përpjekjet nuk duhen ndalur. Saranda nuk mund të shndërrohet në qytet blegtoral, ndërsa perspektiva turistike e saj mbetet një prioritet. 
Sigal