Sanksionet e OKB-së ndaj Koresë së Veriut dhe kërcënimi i saj bërthamor në botë

643
Dr. Diana SKRAPARI

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të hënën, 11 shtator, njëzëri dhe me iniciativën e Shteteve të Bashkuara, miratoi një paketë të re sanksionesh kundër Koresë së Veriut. Raundi i tetë i masave, mbështetur nga Kina dhe Rusia, përkrahësit më të afërt të Koresë së Veriut, synon të dënojë vendin për provën e tij bërthamore më 3 shtator. Me sanksionet e saj më të ashpra, OKB-ja dëshiron të nxisë Phenianin për të negociuar programet e saj të armëve bërthamore dhe konvencionale, të cilat konsiderohen kërcënuese për stabilitetin global. Për Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën ose Italinë, rezoluta e miratuar të hënën është “shumë e fortë”, “e balancuar” dhe i lejon Kombeve të Bashkuara të afirmojnë “unitetin” dhe “vendosmërinë”. “Ne nuk po kërkojmë luftë”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, e cila javën e kaluar siguroi se Pheniani “meritonte vetëm këtë.” Të hënën, ajo pranoi se Koreja e Veriut “kishte kaluar një pikë pa kthim”. Drafti i parë i tekstit amerikan, i publikuar të mërkurën, më 13 shtator, ishte “maksimal” në “absolutisht çdo gjë”, sipas fjalëve të një diplomati. Ai parashikonte një embargo totale mbi naftën, produktet e naftës dhe gazin, dëbimin e emigrantëve të Koresë së Veriut (rreth 93,000 sipas Uashingtonit), ngrirjen e aseteve të Kim Xhong-Un, ndalimin e importeve të tekstilit nga Koreja e Veriut dhe inspektime me forcë të anijeve në det të hapur, të dyshuara për shkelje të rezolutës së OKB-së. Megjithatë, për të siguruar mbështetjen e Rusisë dhe Kinës gjatë votimit, Uashingtoni duhej të ulte pretendimet e tij dhe të forconte paragrafët lidhur me kërkimin e një zgjidhjeje “paqësore” për krizën. Pas disa ditë bisedimesh intensive, embargoja për gazin natyror është ruajtur, por për shitjen e naftës do të kufizohet në 500,000 fuçi për tre muaj nga 1 tetori për të kaluar në 2 milionë fuçi nga 1 janari në një periudhë prej 12 muajsh. Kjo përfaqëson një reduktim prej 10% të produkteve të naftës, sipas Departamentit Amerikan të Energjisë, i cili vlerëson 2,2 milion fuçi importet e Koresë së Veriut. Pheniani importon kryesisht benzinë dhe naftë nga Kina, sipas Shteteve të Bashkuara. Gjatë bisedimeve, ngrirja e aseteve të udhëheqësit të Koresë së Veriut, të cilën Moska nuk e donte, u hoq nga teksti. Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur se nuk duan një ndryshim regjimi, pasi është e vështirë të synohet direkt Kim Xhong-Un, e kërkuar nga Moska, sipas një burimi diplomatik. Ndalimi i tekstileve nuk ishte problem. Masat që kanë të bëjnë me emigrantët e Koresë së Veriut dhe inspektimet e anijeve të dyshimta janë më pak të rrepta se sa në tekstin origjinal, veçanërisht sipas kërkesës së Moskës, sipas diplomatëve. Rusia punëson rreth 35,000 emigrantë të Koresë së Veriut. Para miratimit të tekstit, Koreja e Veriut kishte shprehur me zë të lartë kundërshtimin e saj ndaj masave të reja. Ajo i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se do të shkaktonte “vuajtjet dhe dhimbjet më të mëdha” në qoftë se ata këmbëngulin në dëshirën e OKB-së për të shtrënguar sanksionet kundër saj. Koreja e Veriut “deklaron se Shtetet e Bashkuara do ta paguajnë këtë “, tha Pheniani. Masat e fundit të sanksioneve ndërkombëtare më 5 gusht, pasuan dy të shtëna të raketave interkontinentale të Koresë së Veriut. U ndaluan importet e qymyrit, hekurit dhe peshkimit nga Koreja e Veriut dhe synohet të privohet ky vend nga 1 miliardë dollarë në të ardhura në vit. Efektet e sanksioneve mund të maten vetëm për një kohë shumë të gjatë. Për shembull, u deshën më shumë se dhjetë vjet sanksione që Irani të negocionte mbi programin e tij bërthamor. Në një raport të publikuar këtë fundjavë, ekspertët e OKB-së theksojnë se regjimi i sanksioneve ndaj “Koresë së Veriut” sa më i gjerë të jetë “dhe” aq më shumë “anashkalime do të ketë” nga ky vend, qoftë për ” embargon e armëve “,” sanksionet financiare “ose” sektoriale “. Dokumenti i tyre gjithashtu denoncon një aplikim të rastësishëm të sanksioneve dhe specifikon se Pheniani zotëron mënyrën e përdorimit të vendeve të treta për të përcjellë ngarkesat e veta ose për të kryer transaksione financiare. “Këshilli i Sigurimit është i korruptuar. Pas sulmit bërthamor SHBA do të zhytet në errësirë, Japonia do të zhytet, “kështu reagoi Pheniani ndaj sanksioneve të OKB-së. Inteligjenca amerikane ka zbuluar se Koreja e Veriut është duke përgatitur një raketë të re. Por kjo është vetëm një supozim për tani. Sidoqoftë, Komiteti i Koresë së Veriut i Paqes në Azi dhe Paqësor i ngarkuar me marrëdhëniet e jashtme dhe propagandën bëri një deklaratë duke e quajtur Këshillin e Sigurimit një mjet për të bërë keq i krijuar nga vendet e korruptuara. “Japonia nuk duhet të jetë pranë nesh. Të katër ishujt e arqipelagut duhet të fundosen me bombën tonë bërthamore. SHBA do të shndërrohet në hi”, tha Komiteti pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri këtë rezolutë që vendos sanksione të reja kundër Koresë së Veriut. “Kjo deklaratë është provokim i pastër. Ajo rrit tensionin në rajon dhe është absolutisht e papranueshme, “tha sekretari i përgjithshëm i kabinetit japonez Yoshihide Suga. Në të njëjtën kohë, raporton agjencia e lajmeve Reuters, SHBA dhe Japonia po thellojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes nga raketat. Flota japoneze furnizon karburantin për shkatërruesit amerikanë të pajisur me sisteme raketash Aegis. Japonezët gjithashtu kanë sisteme të tilla. Anijet e dy vendeve aleate përforcojnë patrullimin e tyre të përbashkët në Detin e Japonisë. Ndërkohë, Koreja e Jugut zhvilloi testimin e saj të parë me raketat e lundrimit të modernizuara. Sipas Associated Press, ata duhet të rrisin aftësinë e Seul për të kryer një goditje parandaluese kundër Koresë së Veriut. Raketa tokë-ajër Taurus me origjinë gjermane është e mbrojtur nga një sistem anti-radar dhe mund të fluturojë në lartësi të ulët. Koloneli në pension Viktor Litovkin (nënshtetas rus) vuri në dukje kërcënimin e Koresë së Veriut: “Në parim, raketat e tyre arrijnë në Japoni. Por është e paqartë, nëse kanë koka mbushëse që mund të instalohen në këto raketa. Raketat e tyre nuk arrijnë në SHBA. Ato duhet të jenë raketa ndërkontinentale me një distancë më të madhe se 5,500 km. Ata nuk i kanë ato. Të paktën, Veriu nuk ka treguar ekzistencën e tyre. “Një studiues francez i quajtur Benjamin Hautecouverture shprehet se : ”Teoritë e parandalimit bërthamor u zhvilluan gjatë viteve 1940 dhe 1950, duke përfshirë formulimin e parandalimit dypalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Sovjetikëve. Franca u shfaq me një doktrinë të re, “nga të dobëtit në të fuqishmit”, dhe atëherë u sigurua “shkatërrimi reciprok”. Teoritë strategjike kanë bërë që të rriten manualet, traktatet dhe doktrinat. Pyetja e madhe është ajo se çfarë koreano-veriorët kanë ndërmend të bëjnë me aftësinë e tyre bërthamore. Një gjë është e qartë se nga ndryshimi i kushtetutës së saj në 2012, Koreja e Veriut është bërë një shtet bërthamor. Atë vit komanda strategjike e artilerisë u bë gjithashtu e pavarur nga komandat e tjera ushtarake. Pastaj ai ishte i lidhur drejtpërdrejt me partinë e punëtorëve, dhe pra ndaj Kim Xhong-Un, presidentit të saj. Ndërkohë, Kim tha se regjimi nuk ishte i pari që përdorte armë bërthamore në rajon. Por ata nuk kanë bërë të njëjtën zgjedhje si Izraeli në Lindjen e Mesme, zgjedhjen e një shteti të përgjegjshëm si shtet bërthamor”. Julius Robert Oppenheimer, fizikant i njohur amerikan shprehej se :”Nëse bombat atomike do të shtohen si armë të reja në arsenalet e një bote në luftë, ose në arsenalet e kombeve që përgatiten për luftë, atëherë do të vijë koha kur njerëzimi do të mallkojë emrat e Los Alamosit dhe Hiroshimës”. Dhe Albert Ajnshtajn thoshte :”Nuk e di se me çfarë armësh do të luftohet në Luftën e tretë botërore, por Lufta e katërt botërore do të bëhet me shkopinj dhe me gurë”, por nuk duhet humbur besimi tek paqja dhe mundësia e gjetjes së një gjuhe të përbashkët për të zgjidhur konfliktet dhe të kujtojmë shprehjen e Yoko Ono-s se, “Ne jemi ëndërrimtarët që krijojmë botën e të ardhmes, një botë të bukur për të ardhmen për veten tonë dhe fëmijët tanë”.
Sigal