Sigal

Lili S. Verdha *

Në Sallën Gotike të Pallatit Presidencial në Helsinki u zhvillua Takimi i shumëpritur i Presidentit amerikan Donald Tramp (Trump) me Presidentin rus Vladimir Putin. Ky është Takimi i parë i drejtëpërdrejtë Zyrtar midis të dy presidentëve. Në këtë kuadër, të dy Presidentët do të priten dhe do të zhvillojnë bisedime veçmas edhe me mikpritësin e tyre – Presidentin e Finlandës, Sauli Niinistë (Niinistö).

Presidenti Tramp dhe grupi shoqërues mbërritën në Helsinki mbrëmë. Sot Presidenti Niinistë dhe Zonja e Parë, Jeni Haukio, ftuan për mëngjez veç-e-veç në Vilën e tyre shtetërore Presidentin Tramp dhe zonjën Tramp. Gjatë mëngjezit, pasi falenderoi për mikpritjen, Presidenti Tramp kujtoi dhe një herë takimin me Presidentin Niinistë javën e kaluar në Bruksel, në kuadër të Samitit të NATO-s.

Presidenti Putin mbërriti në aeroportin e Helsinkit sot n’orën 13:10 (ora lokale), ndërkohë që në Programin paraprak ishte rënë dakort se Takimi kokë-më-kokë i të dy liderve do të fillonte n’orën 13:00. Për rrjedhojë, Takimi Tramp-Putin u shty për n’orën 13:50. Si kundërpërgjigje, Presidenti Tramp arriti në Takim 5 minuta me vonesë. Sipas komentatorëve politikë ndërkombëtarë, që po ndjekin këte veprimtari nga Pallati i famshëm “Finlandia” në Helsinki, kjo vonesë e PresIdentit rus mund të shihet si reagim kritik i udhëheqjes ruse ndaj dënimit pardje të 12 rusëve për “veprimtari antiamerikane gjatë zgjedhjeve” të fundit presidenciale në SHBA. Gjithsesi, vlen të kujtohet, se Putini njihet për vonesë në Takime me personalitete botërorë. Vonesa më e shkurtër prej 14 minutash ishte me Mbretëreshën Elizabetë të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa vonesa më e gjatë e Putinit është rregjistruar më 2004, kur e la Kancelaren Merkel ta priste plot 4 orë e 15 minuta.

Pas përshëndetjes mjaft protokollare në Pallatin Presidencial, të dy presidentët dhanë jë Konferencë paraprake shtypi lidhur me problemet që mendonin të trajtonn në Bisedime. Duke i shkelur syrin, Trampi e përgëzoi Putinin për “organizimin e shkëlqyer rus” të Kampionatit Botëror të Futbollit si dhe për fitoren e Skuadrës Ruse. Më tej, ai theksoi se “kemi mjaft çështje të mira për të diskutuar”, sikurse janë marrëdhëniet tregtare, çështjet ushtarake, armët bërthamore, apo dhe marrëdhëniet me Kinën. – “Çi është miku i të dyve”, – tha ai me buzë në gaz. Tramp theksoi, në mënyrë të veçantë rëndësinë e bashkëpunimit amerikano-rus për kufizimin e mëtejshëm të përdorimit të armëve bërthamore, kur dihet se “ne zotërojnë 90 për qind të gjithë kapacitetit bërthamor botëror”. “Kjo, s’është gjë e mirë, përkundrazi është e keqe”, – tha ai. – “Kam besim se mund të bëjmë diçka lidhur me këtë… Ne të gjithë kemi shumë pikpyetje dhe është me rëndëi të marrim dhe përgjigje për to. Shumë mirë që u takuam bashkë”, – përfundoi Presidenti Trump, i cili e ka shprehur që më parë se është pro vendosjes së kontakteve personale me Putinin dhe udhëheqës të tjerë botërorë.

Nga ana e tij Putini, jo pa ironi, mori rradhën me fjalët “duket qartë se do flasim si biznesmenë”.

Pavarësisht deklaratave mjaft të shkurtëra fillestare, Takimi Tramp-Putin u përqëndrua tek mjaft probleme të lidhura me zhvillimet aktuale ndërkombëtare. Sikundër qe konfirmuar dhe më parë nga Kremlini, presidentët biseduan për gjendjen në Ukrainë, për Sirinë, situatën në Gadishullin Korean si dhe për terrorizmin ndërkombëtar. Po kështu, këto ishin edhe temat e diskutimit të Presidentit Tramp, konfirmuar tashmë prej vetë atij që në Konferencën e pardjeshme të Shtypit në Vilën personale të Kryeministres britanike Tereza Mej (Theresa May) në Stargrejzër të Lavlendit (Stargrazer Ranch in Loveland). Kuptohet që, në këtë kuadër, Presidenti amerikan shprehu dhe një herë qëndrimin e vet për ndalimin e përdorimit të energjisë bërthamore nga Irani, përfshirë këtu edhe kundërshtinë e tij për bashkëpunimin e Iranit me qeverinë siriane të Bashar al-Assadit.

Takimi presidencial amerikano-rus u pasua nga një Dreke Pune e të dy Presidentëve, shoqëruar edhe nga ministrat e Jashtëm përkatës – amerikani Majk (Mike) Pompeo dhe rusi Sergej Lavrov. Me këtë rast edhe ministrat e Jashtëm Pompeo dhe Lavrov u takuan për bisedime, ndërkohë ministri i Jashtëm i Finlandës Timo Soini zhvilloi me to Takime të veçanta.

Gjatë ditës së sotme të dy presidentët zhvilluan bisedime veçmas me mikpritësin e tyre, Presidentin e Finlandës, Sauli Niinistë. Në Konferencën e tij të shtypit Presidenti Niinistë informoi mediat se me të dy homologët kishte biseduar kryesisht për problemet e lidhura me mjedisin, në kuadër të masave të përcatuara nga Këshilli Arktik, Kryetare rradhe e së cilës për 2 vjet deri në Maj 2019 është Finlanda. Ndërkohë që të dy presidentët, Tramp dhe Putin, kishin falenderuar presidentin finlandez për mikpritjen e veçantë, nga ana e tij Niinistë i falenderoi që të dy për zgjedhjen e Helsinkit si vend Takimi, pavarësisht ofertave nga shtete të tjerë.Finlanda ka fituar tashmë statusin më të lartë të besushmërisë në shkallë botërore për organizimin e Takimeve dhe Mbledhjeve të Nivelit të Lartë, duke garantuar qetësi për punimet dhe siguri të plotë për pjesmarrësit. Në Helsinki janë zhvilluar suksesshëm pothuajse të gjitha Takimet e mëparëshme presidenciale amerikano-ruse. Edhe këtë herë Finlanda e realizoi pjesën e saj me mjaft sukses. Helsinki u vu në gatishmëri maksimale për sigurimin e Takimit aq të pritur të të dy liderve botërorë. Edhe pse të njoftuar vetëm para 2 javësh, autoritetet finlandeze arritën të finalizojnë me sukses gjithçka që lidhej me organizimin e një aktiviteti të tillë ndërkombëtar të nivelit më të lartë.

*HELSINKI, 16 Korrik 2018