Sakip Cami: Cilët e bënë LANÇ, politikanët, familjet e mëdha apo ushtarakët e devotshëm?

549
Ftesa për ta rishkruar historinë qëndron në rend të ditës për vetë faktin se në 45 vjet të pasluftës komunistët morën vetëm meritat e kësaj lufte të lavdishme dhe hodhën baltë mbi aleatët e tyre të brendshëm dhe të jashtëm. Në këto 25 vite demokraci nuk është bërë pothuajse asgjë për ta rishkruar drejt historinë tone, sepse partitë politike që kanë ardhur herë pas here në pushtet kanë dashur që ta rishkruajnë historinë sipas pikpamjeve dhe interesave të tyre. Thënë më troç pasuesit dhe bijtë e komunistëve dhe partizanëve mbrojnë tezën se luftën e bënë baballarët e tyre, ndërsa pasuesit dhe bijtë e legalistëve dhe ballistëve dhe në një rradhë me to, të djathtët shqiptarë, janë gati të nxijnë gjithçka, edhe gjakun e kuq të derdhur, mjafton që kjo meritë të mos jetë e komunistëve shqiptarë. Dhe në këtë debat shterpë ku kanë marrë pjesë politikanët në rradhë të parë, gazetarët në rradhë të dytë, njerëzit pa ingritet në rradhë të tretë dhe aspak historianët , deri më tani nuk ka dalë asgjë në dritë sepse historianët janë rreshtuar në parti politike dhe kanë mbështetur tezat politike të partive ku militojnë. Është për të ardhur keq, por Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë nuk thonë dot akoma se në çfarë date është çliruar Shqipëria dhe për të mos hyrë ne debat me politikanët propozojnë ditën e clirimit të kryeqytetit. Ndërkaq vetë gjermanët duke iu referuar arkivave të luftës pranojnë se janë larguar nga qyteti verior i Shqipërisë me 29 nëntor 1944. 
Shtrembërimi i historisë
Është për të ardhur keq, por një libër i shkruar nga një gazetar për Ahmet Zogun vlerësohet më shumë se libri i një historiani të shquar. Njerëz mediokër vlerësojnë më shumë fotografi dhe episode se sa fakte dhe të dhëna historike. Kjo është pjesë e tabllos së sotme të këndvështrimit të historisë nga shoqëria jonë. Tabllo arrin deri aty sa lufta fragmentohet në familje, fise e emra të përvecshëm që dikur dhe kurrë asnjëherë nuk kanë patur rol në këtë luftë, por njerëz me para, pushtet dhe me dije të mbrapshta dinë mirë të bëjnë një gjë, shtrembërimin e historisë. Dhe ndodh që në sheshe qytetesh të vendosen figura të dyshimta historike dhe akoma më keq figura që kanë lyer duart me gjakun e shqiptarëve. Nën mburojën e luftës kundër komunistëve, të ashtuquajturit antikomunistë, por asnjeherë të vetme nacioanalistë, të apasionuar pas karrikes së pushtetit dhe parasë së pamerituar kanë arritur që t’u puthin dorë pushtuesve dhe të marrin detyra e ofiqe shtetërore të pamerituara. 
Përpjekja për të reabilituar kuislingët
A mund të quhen pushtetarë proshqiptarë ata që lejuan dhe organizuan masakrën e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë? A duhet t’u ngrihen buste njerëzve të tillë që vranë popullin e vet? Po atyre që organizuan tërë veriun për të nënshtruar Jugun dhe Vlorën që po rezistonte ndaj pushtuesve italianë në vitin 1942? A duhet t’u bëhen libra e monografi, dokumentarë dhe filma, figurave të tilla të dyshimta vetëm e vetëm sepse bijtë dhe nipërit e tyre kanë para dhe pushtet! Lajthitja me dashje arrin deri aty sa LANÇ të popullit tonë e barazojnë me lufte civile, në një kohë që Shqipëria është rradhitur me fitimtarët dhe është vlerësuar kontributore në këtë luftë. Kujt i intereson të hedhë baltë mbi këtë luftë dhe mbi këtë gjak të derdhur? Përse maksimizohen gabimet e kësaj lufte dhe beteja të shkëputura barazohen me luftë civile! Sipas disa pseudohistorinëvë shqiptarë, Shqipëria nuk ka bërë luftë dhe nuk duhet të kishte bërë luftë dhe po kështu këto historian arsyetimin e tyre e cojnë deri aty sat ë thuhet se Shqipëria nuk ka qenë shtet, nuk ka histori. A po ecim në rrugën e gabuar kështu, duke shtrembëruar historinë dhe duke u futur njerëzve në tru shiringën e veprimit antikombëtar. Disa arrijnë deri aty sa thonë se do të ishte mirë të mos ishim çliruar, të kishim ndenjur nën Itali apo Gjermani. Mediokriteti arrin deri aty saqë duke mos njohur ligjet e luftës dhe të paqes pasluftës nuk e dinë se duke u rreshtuar me humbësit e një lufte automatikisht ke humbur gjithcka, integritetin territorial, pasurinë kombëtare, dinjitetin kombëtar etj. Në vijim të këtij debati dëshiroj të nënvizoj edhe një fakt tjetër shumë domethënës që është shtrembëruar me qëllim të caktuar. 
Ushtarakët madhorë në LANÇ
Është mohuar roli i ushtarakëve të përgatitur dhe të shkolluar gjatë LANÇ. Ata erdhën nga akademitë ushtarake të Italisë dhe të Austrisë ku studionin, për t’i dalë zot Shqipërisë, për ta çliruar vendin e tyre dhe askush deri më sot nuk e ka evidentuar rolin e tyre vendimtar në këtë luftë. Po të intervistosh brezin e ri, me keqardhje, por duhet pranuar se nuk e dinë se kur është çliruar Shqipëria, se kur është shpallur pavarësia, se kush ka qenë komandant i Shtabit të Ushtrisë NÇ, etj. Jo pa qëllim nuk festohet 10 korrik 1943, që të mos thuhet se komandant i Shtabit të Përgjithshëm ka qenë Spiro Moisiu, ushtarak karriere me tre akademi ushtarake. Festohet 17 nëntor 1944 si ditë e çlirimit të Tiranës, por askush nuk e thotë se planin për çlirimin e saj e hartoi komandanti i Korparmatës I dhe Zv.komandant i Shtabit të Përgjithshëm Dali Ndreu, ushtarak karriere, kuadër ushtarak artilerie i përgatitur në Akadaminë Ushtarake të kohës së Zogut, akademi nën mbikqyrjen e ushtakëve italianë. Po kështu Tahir Kadare, Zv.Komandant i Br. I S, komandant i Brigadës së VI, Komandant i Divizionit të II, Komandant i Korparmatës II, deri në Zv.Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte një ushtarak karriere i përgatitur në shkollën ushtarake shqiptare. Ushtarakët që drejtuan faktikisht operacionin e dimrit 1943/1944 dhe operacionin e qershorit 1944 si dhe betejat më të rëndësishme të luftës si lufta 20 ditore për çlirimin e Tiranës ishin ushtarakë të mirëfilltë të përgatitur dhe patriotë deri në flijim për çështjen kombëtare. Ata janë të shumtë. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse luftën ku varej fati i mijëra shqiptarëve nuk mund ta drejtonin njerëzit pa njohuri ushtarake, qofshin këta patriotët më të mëdhenj që mund të egzistojnë. Këta ushtarakë erdhën nga Italia, pasi braktisën akademitë ushtarake dhe u rreshtuan në frontin e luftës duke marrë detyrat dhe përgjegjësitë, gradat ushtarake hap pas hapi, ushtarakë të tillë, që më vonë do të persekutoheshin nga regjimi komunist si Hamit Keçi, Skender Malindi, Todi Naço, Kadri Hoxha etj. Për të gjithë këta ish ushtarakë OBVL (Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar) me kryetar gjeneralin dhe heroin Rrahman Parllaku ka propozuar dhe shumë prej tyre janë shpallut “Nderi i Kombit”. Unë, nuk do të mohoja kurrë rolin e familjeve të mëdha shqiptare patriote që vunë gjithçka në funksion të luftës, por ky rol do të minimizohej deri në zhdukje pa pjesëmarrjen dhe rolin e ushtarakëve drejtues. Unë nuk do të mohoja kurrë edhe rolin e politikanëve dhe partive politike shqiptare gjatë luftës, por kurrë nuk do të pranoja mohimin që u bënë ata ushtarakëve që drejtuan konkretisht operacionet luftarake, mohim që shkoi deri në burgosjen dhe zhdukjen fizike të tyre. Drejt ushtarakëve të mos vështrojmë vetëm kur kemi nevojë për ta, për luftën kundër terrorizmit, për mënjanimin e përmbytjeve dhe fatkeqësive natyrore etj, por të kemi një vështrim të njëllojtë me vendet e NATO-ss ku militon vendi ynë. Ushtarakët janë elita e kombit. 
Ish ushtarak, publicist
Sigal