Saimir Tahiri: Vetëm vjet, 6 milionë euro për zhbllokimin e rrugëve

695
Sigal

Vetëm vjet qeveria ka akorduar 6 milionë euro për zhbllokimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e tyre u shpreh ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

“Qeveria vetëm vjet ka akorduar për të gjithë zonën rreth 6 milionë euro për zhbllokimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e tyre. Janë një vlerë e konsiderueshme, por që ende nuk mjaftojnë për t’i zgjidhur siç duhet këto probleme. Ndërkohë që, sot kemi mundësi t’ju gjendemi ju dhe çdo familjeje me ndihmat e nevojshme në ushqime dhe veshmbathje. Vetëm këtë javë janë shpërndarë nga Rezervat e Shtetit dhe nga Emergjencat Civile mbi 42 tonë ushqime për familjet në nevojë. Nuk është aq sa duhet, nuk është aq sa ka nevojë. Por sigurisht është shumë më shumë krahasuar me harresën e viteve të kaluara. Ndaj ju lutem kuptoni që në këto ditë të vështira mund t’ia bëjmë më të lehtë jetën njëri-tjetrit në qoftë se bëhemi bashkë dhe ndihmojmë ata që kanë më shumë nevojë. Më besoni dhe ne e dimë shumë mirë që keni shumë më shumë nevojë se kaq. Edhe ne e dimë shumë që gjithçka bëjmë nuk është mjaftueshëm”, ka thënë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nga Puka.

Tahiri deklaroi se shteti nuk i ka kthyer shpinën qytetarëve në vështirësi, pavarësisht se është koshient se një pjesë e tyre ka nevojë për mbështetje më të madhe.

“Ne e dimë që ka familje të izoluara, e dimë që ka familje që janë në vështirësi. E dimë që ka zona që kanë nevojë për akoma më shumë mbështetje. Por kjo qeveri nuk i ka kthyer krahët njerëzve, nuk i ka kthyer kurrizin njerëzve, nuk i ka lënë në harresë në fatin e tyre”, tha ai.