Sahit Dollapi perfeksionon vjedhjet ndaj shqiptarëve

617
Sigal

Edhe pse u premtoi shqiptarëve një shërbim korrekt, administratori i CEZ-it është më i keq se çekët

CEZ-i çek iu hoq licenca për shkak të vjedhjeve, mashtrimeve dhe abuzimeve sistematike në dëm të konsumatorëve  shqiptarë të energjisë elektrike. Dhe qeveria vendosi që shpërndarjen e energjisë elektrike ta menaxhojë shteti, duke vendosur administrator të tij, Sahit Dollapin. Premtimi i parë që dha Sahit Dollapi, si drejtuesi i CEZ- Shpërndarje, ishte që do të njihte të gjitha vjedhjet që CEZ-i u ka bërë shqiptarëve nëpërmjet mbifaturimit. Madje, Sahit Dollapi, premtoi që tani e tutje, ankesat e qytetarëve shqiptarë do të zgjidhen brenda 10 ditëve.

Premtimet e Sahit Dollapit, janë mashtrime

Drejtori i ZMK-së, avokat Altin Goxhaj, i pari ishte që dyshoi në premtimet e Sahit Dollapit, si administrator i CEZ-it, pasi Dollapi, duke qenë drejtori i UKT-së, ka abuzuar sistematikisht me qytetarët, duke i mbifaturuar për sasi uji të pakonsumuar. Ndaj sipas ZKM-zë, CEZ-i është njolla e parë e turpit e “HALL OF SHAME 2012”. Deri tani, CEZ-i me administrator Sahit Dollapi nuk ka zgjidhë asnjë ankesë të qytetarëve për mbifaturim. Fakti. Qytetari me numër kontratë G-231774, ka bërë vazhdimisht ankime te CEZ, pasi që nga 2008-ta i kanë mbifaturuar sistematikisht energji elektrike, të paharxhuar dhe ky mbifaturim i është shtuar edhe kamatë 100 %. Nga 5.800 kw të paguar në 2008-n, dhe kur konsumi faktik në atë kohë ishte 5.300 kw, CEZ- i mbifaturon 9.360 kw dhe këtë shtesë të pakonsumuar ia rëndon edhe me kamatën 100 %.  Madje matësi i CEZ-it, Mentor Koçi deklaron që në datën 27.8.2010 leximi i G-231774 është 5327 kw, kur në faturim është 9.360 kw. Edhe pse ankesat janë bërë vazhdimisht, si, 6.6.2012, 21.12.2011, 12.5.2012, 4.5. 2011, ndërsa më 15 mars 2013 të zyrat e Kujdesit të CEZ-it, nuk i pranojnë me ankesë me shkrim, me justifikimin nga punonjësit e CEZ-it, se ka bërë ankesa e të presë…përgjigje!

Dollapi perfeksionon vjedhjet e CEZ-it ndaj shqiptarëve

Me administrator Sahit Dollapin, CEZ-i asgjë nuk ka përmirësuar në shërbimin ndaj shqiptarëve. Përkundrazi. CEZ-i, vazhdon vjedhjet, mashtrimet dhe abuzimet me konsumatorët e energjisë elektrike. Shembulli: Edhe pse deri të shtunën, 16 mars 2013, qytetarët nuk kishin asnjë mundësi të paguanin faturat e energjisë elektrike për muajin shkurt. Arsyeja? Siç thanë punonjësit e zyrave të kujdesit të CEZ-it, akoma nuk kanë ardhur…faturat! U interesova të shtunën, më 16 mars 2013, te zyrat e Kujdesit ndaj Klientit (që në fakt janë shndërruar në  Zyrat e Vjedhjeve të Shqiptarëve) për të paguar konsumin e energjisë elektrike të muajit shkurt. Por  punonjësit,  më thanë se ende nuk kanë ardhur faturat për të paguar, pa më dhënë asnjë shpjegim. Madje, më thanë që të interesohem, deri në 31 mars,  nëse vijnë faturat për të paguar. CEZ-i, vepron kështu, për të detyruar shqiptarët të paguajnë energjinë elektrike të muajit paraardhës, në muajt e mëvonshëm, për t’i rënduar qëllimisht me kamatëvonesë. Në kontratën  G- 231774, edhe pse është e bllokuar nga CEZ-i, për shkak të ankesave të qytetarit për mbifaturim, CEZ-i i dërgon faturë për të paguar taksën e shërbimit e TV-në, me 340 lekë/muaj. Mirëpo, këtë faturë të muajit janar, e nxjerr në muajin mars, dhe të mbingarkuar me kamatëvonesë, ndërkohë kur kjo faturë deri në 23 shkurt 2013, nuk kishte dalë në kompjuterat e CEZ-it për t’u paguar. Kështu, CEZ-i, përfitoi kamatëvonesën disa ditore për 340 lekë, me 13 lekë shtesë. Po kur shumat janë të mëdha, edhe kamatavonesat që rëndon CEZ-i  i Dollapit, janë edhe në shuma të mëdha. Kjo është vjedhja më e perfeksionuar e administratorit Dollapi ndaj shqiptarëve. Sepse punonjësit e shërbimit të CEZ-it nuk i japin asnjë dëshmi me shkrim, që faturat e pagimit të CEZ-it janë vonuar e nuk mund të paguhen, edhe pse ka kaluar më shumë  se gjysma e muajit. Ndërsa për çdo orë vonesë pagimi, CEZ-i penalizon qytetarët me përqindje kamate.

Vjedhja e shqiptarëve me matësit e pakolauduar

Një nga vjedhjet që shqiptarët denoncuan CEZ-in ishin edhe matësit e pakolauduar të energjisë elektrike. Mirëpo, kanë kaluar muajt nga marrja e administrimit të CEZ-it nga Dollapi dhe asnjë kolaudim matësish nuk ka bërë. Përgjegjësi ka edhe ERE, që ende hesht. Apo ERE, sikurse ishte në ortakëri me CEZ-in e çekëve, edhe tani, hesht ndaj vazhdimësisë së vjedhjeve edhe nga CEZ-i i Dollapit me matësit e pakoaluduar?

Faqja e internetit të CEZ-it nuk funksionon

Edhe pse janë paguar qindra mijëra euro për të ndërtuar e funksionuar faqja e internetit të CEZ-it, prapëseprapë, tani ky shërbim është jashtë përdorimit. Kështu shërbimi E-Bill i CEZ-it, nga ku qytetarët mund të shikojnë sa lekë kanë për të paguar, nuk funksionon. Mbase kjo është strategji e mënyrave të perfeksionuara të CEZ-it, që qytetarët të mos keni mundësi transparence, informimi për të paguar faturat dhe CEZ-i të përfitojë  mbifaturimet dhe me kamatëvonesat, që u rëndon shqiptarëve.