“Sagem” zhvat dhe lodh qytetarët me çmime të larta dhe dokumente absurde

593
Dihet se me çfarë pazari anti-Kushtetues e me humbje të mëdha për financat kombëtare shqiptare, iu dhurua firmës “Sagem” koncesioni i Pasaportave e Kartave të Identitetit për shqiptarët. Kujtojmë, që nga ky pazar mafioz shtetëror, bërë me firmën që ka një dosje të madhe mashtrimesh ndërkombëtare me këto koncesione edhe në shtete të tjera të botës, me skandal të rëndë e prangosje të zyrtarëve të saj të lartë në Nigeri, shteti shqiptar humbi 235 milionë euro. Me letra zyrtare, këto miliona përfunduan në xhepin e koncesionarit “Sagem”, por që u ndanë në “thela” me ata që inskenuan këtë pazar, financiarisht kriminal. 

“Sagem” abuzon me çmimet e sigurinë dhe tallet me shqiptarët, shteti hesht 

Për këtë abuzim dhe përfitim në pazar mes palëve Qeveri-”Sagem”, nuk flitet më as nga qeverisja “Rilindja” e ardhur në pushtet me parullat dhe “daullet” e anti-korrupsionit e të heqjes së koncesioneve mafioze. Qeveria, paçka se ka si provë faktin që kjo firmë abuzon në çdo pikë të kontratës e sidomos në sigurinë e dokumenteve që prodhon dhe lëshon, “çuditërisht” nuk po vepron! Përkundrazi, institucionet e sigurisë kombëtare dhe sidomos Ministria e Brendshme si autoritet kontraktor dhe monitorues i këtij koncesioni, po e mbron këtë “koncesion krim” të firmës “Sagem”, duke miratuar urdhra e projektuar vendime që lejojnë dhe mbështesin firmën “Sagem” të abuzoj me rritjen e çmimeve, me serverin që e kontrollon dhe e përdor në dobi të botës së krimit, me serverin e pa sigurt që ka ndërtuar, me rregullat lodhëse e afatgjata që ka vendosur për pajisjen me Pasaporta e Karta Identiteti, me mos raportimin e aktivitetit në parlament. Shteti e lejon që kjo firmë të abuzoj hapur e madje dhunshëm me mos zbatimin e kontratës koncesionare, me shpërfilljen që u bën institucioneve të drejtësisë, të hetimit, të zbulimit e ndëshkimit të krimit, duke mos u vënë në dispozicion asnjë të dhënë. 

Në disa raste edhe duke njoftuar paraprakisht individët dhe grupet e krimit për “interesimin e shtetit”. Ministria e Brendshme dhe institucionet e sigurisë kombëtare, lejojnë firmën “Sagem” të abuzoj, duke e favorizuar prodhimin skarco e të falsifikuara të Pasaportave e Kartave të Identitetit. Kujtojmë, se për një të presupozuar “dëm prej 4 milionë USD”, shkaktuar shtetit shqiptar për prodhimin e pasaportave shqiptare nga kompania gjermane “Bundes Druckerei”, 13 vite më parë përfunduan në burg zv/ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Ndërsa ndaj firmës “Sagem”, nuk po nis asnjë hetim se si e ka fituar koncesionin? Se si dhe me cilët shtetarë e bëri pazarin që zhvati 235 milionë euro, si palë abuzive? Se përse prej 7 vitesh, vazhdon e prodhon pasaporta e karta të pa sigurta? Se përse prej 7 vitesh, vazhdon e prodhon pasaporta dhe karta të falsifikuara, për llogari të individëve e grupeve të botës së krimit dhe votave që vidhen e manipulohen me to në zgjedhjet lokale e qëndrore? Madje, gjersa ky koncesion është dhënë prej shtetit shqiptar, ushtrohet në territorin shqiptar, prodhon pasaporta e karta për shqiptarët dhe quhet pasuri kombëtare shqiptare e ka kontratë me shtetin shqiptar, firma “Sagem” duhet të përfshihet në ligjin e dekriminalizimit, si “subjekt me aktivitet që lidhet me “sigurinë kombëtare”, për të verifikuar të dhënat dhe aktivitetin kësaj firme, mbasi sipas letrave të saj zyrtare, kjo firmë ka hyrë në Shqipëri me një emër dhe tashmë vepron me 3 emra të tjerë! Pra, të zbardhet se cila është dhe çfarë ka bërë deri sot firma “Sagem”, në vendet ku ka ushtruar këtë biznes! 

Lodhje me dokumente absurde, zhvatje me çmime të larta në kundërshtim me kontratën

Firma “Sagem”, vazhdon të lodh e të zhvasë shqiptarët, duke nxjerr rregulla e aplikuar procedura absurde që nuk ndihmojnë, por masakrojnë e vonojnë qytetarët. Ka nisur dhe vazhdon një kalvar torturues për aplikimin në zyrat e firmës “Sagem”. Po ndalemi tek çmimet e rritura në mënyrë abuzive dhe me bekimin e shtetit shqiptar, me procedurat dhe dokumentet që kërkon firma “Sagem”, për të pajisur qytetarët me Pasaportë e Kartë Identiteti. Sipas kontratës, çmimi i një pasaporte është fiksuar 5000 lekë të reja deri në fund të kontratës. Por ky çmim u bë 6000 lekë e qysh prej 1 janarit të vitit 2015 është rritur në 7500 lekë, ose 50% më tepër, duke u lejuar miratuar me diktat nga Ministria e Brendshme. Një Kartë Identiteti, ishte fiksuar me çmim 1000 lekë deri në fund të kontratës, por u bë 1200 lekë e qysh prej 1 janarit të vitit 2015 çmimi i saj është 1500 lekë. Një pasaportë e përshpejtuar ishte fiksuar me çmimin 12 mijë lekë deri ën fund të kontratës, por u bë 15 mijë lekë e qysh prej 1 janarit 20155, çmimi ka shkuar 18 mijë lekë! Po kështu, fëmijët deri në moshën 18 vjeç që ligjërisht e kanë Pasaportën me afat 5 vjeçar, duhet të paguajnë aq lekë sa paguajnë të rriturit! 

Madje kjo pagesë, bëhet edhe kur fëmija është 15, 16 e 17 vjeç dhe Pasaporta e tij ka fuqi deri në 18 vjeç, sepse pas kësaj moshe duhet të pajiset me Pasaportë 10 vjeçare! Por ja që një perosna i cili është 17 vjeç, duhet të paguaj pasaportën me çmimet e pasaportave me afat 10 vjeçar por me fuqi për një afat 1 vjeçar, mbasi pas 1 viti kur mbush 18 vjeç, i skadon për shkak të ligjit mbi pajisjen me Pasaportë! Sikur të mos mjaftonte zhvatja me çmimet që rriten sipas interesave të firmës “Sagem” dhe me bekimi-pazarin e disa horrave të qeverisë shqiptare, firma lodh qytetarët me procedura, me dokumente absurde e me shërbim në pak zyra, duke mbyllur edhe disa prej zyrave ekzistuese. Çfarë ndodh? Po e konkretizojmë me disa denoncime që janë bërë nga lagja “Ali Demi”, lidhur me mbylljen e zyrës e “Sagem” tek Shkolla e Baletit dhe transferimi i saj tek “Farmacia 10”, ose shumë larg qendrës së banuar duke detyruar 85 mijë banorët e kësaj lagjeje të rendin pas zyrës së “Sagem”! Kërkohen certifikata familjare e personale, kur këtë sipas ligjit duhet ta bëj si verifikim zyrtar vetë firma dhe policia, siç është bërë më parë! Kërkohen vërtetime nga policia, kërkohen deklarata nga “Sagem”, kërkohen 3 fotografi… kur zyrat e “Sagem” janë të pajisura me aparat fotografimi të posaçëm dhe duhet t’i bëjnë atje fotografitë, siç i kanë bërë më parë! Kërkohen fotokopje të dokumenteve! Duhet bërë kërkesë pas kërkese në “Sagem” e në polici! 

“Sagem ka pasur vetëm 5 vite kontratë, shërbimi i duhej dorëzuar shtetit shqiptar në tetor 2013
Sipas kontratës koncesionare, kjo firmë duhej të ushtronte veprimtari në Shqipëri vetëm për 5 vite. Pas 5 vitesh, sipas kontratës koncesionare, në mënyrë taksative pa asnjë negocim për shtyrje afati, ky shërbim i duhej kaluar në masën 100% shtetit shqiptar me gjithë teknologjinë e instaluar, pa asnjë shpërblim. Ky kalim, do të bëhej gradualisht që nga viti i tretë i kontratës, dmth., që nga tetori i vitit 2011. Këtë pikë të kontratës të cilën shteti shqiptar nuk e publikon e ka zbuluar deputeti i PS Fatmir Xhafa, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të zhvilluar në datën 16. 04. 2013, me objekt “Ratifikimin e kontratës për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, duke deklaruar kështu: “Ndoshta, nuk më kujtohet mirë, por në kontratë ka qenë detyrim i koncesionarit (“Sagem”), që brenda 5 vjetëve të bënte kalimin gradual e të detyrueshëm të të gjithë sistemit te pala shqiptare dhe kjo, duhej të ishte bërë. Një nga gjërat që është trumbetuar më me forcë, si një arritje e kësaj marrëveshjeje, ka qenë edhe ky kalim i sistemit tek shteti shqiptar…”. Por, nën heshtje të plotë të këtij komisioni parlamentar, u votua në mënyrë antikushtetuese zgjatja e afatit 10 vjeçar të kontratës në favor të “Sagem”. 
Sigal