“Sagem” që deklaron se prodhon Karta me identitete të sigurta, “qarkullon” vetë me… 6 identitete!

614
Redaksia e Gazetës “Telegraf”, në vijim të investigimit të saj lidhur sigurinë që kanë Pasaportat dhe Kartat e Identitetit biometrike, të cilat prej 7 vitesh në Shqipëri prodhohen prej një koncesioni monopol klientelist, ka rënë në “gjurmë” të një informacioni shtetëror, që provon pasigurinë e tyre. Ky informacion dhe inevstgimi i bërë prej gazetës, provon skandalin që firma prodhuese ka 3 identitete. Ndërkohë është fakt, se Pasaportat dhe Kartat e Identitetit që prodhohen për shqiptarët prej firmës “Sagem”, nga rastet e shumta të kapur nga policia, administrata, bankat, SHISh, SHIU, kufiri detar, ajor e tokësor, rezulton se mund të prodhohen edhe në “bodrume” me të njëjtat parametra si ato që kjo firmë i prodhon “si të sigurta” në emër të shtetit shqiptar. Sipas dëshmive të një grupi kriminal të kapur, me aktivitet Shqipëri-Itali-Gjermani-Angli, pranohet se ky grup prodhonte Pasaporta e Karta Identiteti shqiptare që përdoreshin në banka, në aeroporte, në kufirin tokësor, në dogana, në tendera, në postblloqe policie, në ambasadat e huaja në Tiranë, për qarkullim e shërbime në vendet e BE, për nxjerrje patentë makine e licenca, për udhëtim në tragete, për letra shtetësie në BE, në import-eksporte mallrash, universitete, pensione, blerje e siguracione makinash, sigurime shëndetësore, madje edhe nëpër sportele bankash e pajisje me armë zjarri në Ministrinë e Brendshme në Shqipëri. Këto kartona, ishin falsifikime të kartave e pasaportave të prodhuara nga firma “Sagem” në Shqipëri, ose prodhim jashtë produktit të zyrave të “Sagem”, por me të njëjtat parametra ose me parametra më të avancuar se prodhimet e kësaj firme, por gjithnjë kishin vulën “Shqipëri”! Kujtojmë, që jo vetëm grupet kriminale, por edhe në zgjedhjet e vitit 2011, 2013 e madje edhe në zgjedhjet e vitit 2015 u konstatuan votues me Pasaporta e Karta “prodhim rruge”, ose “Nënprodukt Sagemi”. Së fundi, po hetohet edhe një pistë tjetër, që pasigurinë e pasaportave që prodhohen në Shqipëri po e shfrytëzon frytshëm ISSIS për rekrutime luftëtarësh. Por si e ka fituar dhe si po e realizon fima e huaj “Sagem”, koncesionin monopol të prodhimit të Pasaportave dhe Kartave të Identitetit? Në Korrik 2008, kjo u paraqit me emrin “Sagem”. Tre muaj më pas, u prezantua si kompania “Aleat Shpk”, krijuar si një “Shoqëri Koncesionare”, me të drejtën për prodhimin e dokumenteve të identitetit për shtetasit shqiptarë, duke vepruar në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si autoritet kontraktor që me nj proces konkurrimi skandaloz e shpalli fituese të koncesionit monopol, duke e pritur madje, deri sa të zbriste edhe nga avioni, ndërkohë që hapja e ofertave kishte nisur qysh 1 orë më parë se “Sagemi i preferuar” ish-shefave të Ministrisë së Brendshme të tetorit 2008 “të zbriste me vonesë në Rinas për shkak të turbulencave me të cilat ishte përballur avioni e që për këtë shkak, firmës “Sagem” i ishin dëmtuar e zhdukur disa prova të konkurrimit”! Pas marrjes së koncesionit, firma “Aleat Shpk”, u paraqit përsëri me emrin “Sagem”. Pas reagimeve dhe denoncimit të fakteve të shumta nga skandali me këtë koncesion që iu dha kësaj firme e cila si “kulm të arritjes profesionale” kishte vetëm prodhimin e kartave rimbushëse të telefonit e të kartave hyrëse të punonjësve, firma “Sagem” u shfaq befas me një emër tjetër: “Safran Morpho”-AAEF (Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve në Shqipëri), emër të cilin kjo kompani me 3-4 identitete që thotë se “garanton dokumentet identifikuese të shqiptarëve” e përdor edhe gjatë aktivitetit të sotëm koncesionar. Me këtë “pasaportë” të radhës, pra me emrin gjysmë “Morpho”, të emrit të katërt “Safran Morpho”, kjo kompani është paraqitur edhe në “Komisionin Paralamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut”, ku kërkoi zgjatjen e afatit të kontratës koncesionare me 10 vjet, kërkesë që edhe pse u zbulua se firma “Sagem” ka ndryshuar 6 herë emrat dhe se nuk kishte respektuar kontratën, iu miratua me 100% të votave të pozitës e opozitës. Gazeta “Telegraf”, po e nis sot publikimin e investigimit, me skandalin e paraqitjes me emër tjetër në “Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut”, të zbuluar në këtë mbledhje, por të “toleruar”, duke miratuar shtyrjen e kontratës me 10 vjet. Ja procesverbali i mbledhjes që zbulon dhe pranon skandalin dhe abuzimin prej firmës me 4 emra “Sagem”, “SAGEM Security”, “Aleat”, “Safran Morpho”, “Morpho” dhe “Safran Morpho-AAEF”. 
——————————————-
Ja mbledhja e komisionit parlamentar, ku pozita dhe opozita zbulojnë e pranojnë skandalet me emrin e ndryshuar dhe abuzimet e “Sagem” me kontratën, duke i zgjatur koncesionin me 10 vjet
PROCESVERBAL
Mbledhje e Posaçme e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, datë 16. 04. 2013, ora 09: 00 
Drejton mbledhjen: Ilir Rusmali-Kryetar Komisioni Rendi i ditës: Projektligji “Për rafitikimin e kontratës për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të “MORPHO dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”. 
Marrin pjesë: Ilir Rusmali, Viktor Gumi, Enkelejd Alibeaj, Dashnor Sula, Arenca Trashani, Tritan Shehu, Gent Strazimiri, Paulina Hoti, Ylli Lama, Astrit Bushati, Fatos Hoxha, Luan Skuqi, Ilir Bano, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Dashamir Peza, Ermonela Felaj, Vasilika Hysi, Shegush Ligori, Armando Subashi dhe Edi Paloka 
Mungojnë: Saimir Tahiri dhe Tom Doshi. 
Të ftuar: Gentian Jahjolli, Drejtor Juridik në Ministrinë e Brendshme, Edmond Gjoleka, përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Miranda Harizaj, përfaqësuese nga Ministria e Brendshme, Fiona Zaçe, përfaqësuese nga Ministria e Brendshme 
Ilir Rusmali: – Kalojmë tek Projektligji “Për ratifikimin e kontratës, për zgjatjen e përmirësimin e kontratës së koncesionit, “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të indetitetit dhe pasaportave elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe grupimit MORPHO dhe Fondit Shqiptaro- Amerikan të ndërmarrjeve”. 
Miranda Harizaj: Në kuadër të këtij projekti të rëndësishëm të qeverisë e shoqërisë shqiptare dhe kontratës koncesionare bazë, siç e referuam, bazuar në ligjin nr. 10322, të ndryshuar, datë 23.09.2010 dhe në zbatim të detyrimeve ligjore e administrative që rrjedhin nga kjo kontratë, nëpërmjet kërkesës që ka bërë kompania koncesionare drejtuar Ministrisë së Brendshme, me subjekt: “Projekti i dokumenteve të identitetit në Shqipëri”, aktivitetit po i vjen fundi. Bazuar edhe në faktorët e mëposhtëm, se përse është propozuar ky projektligj, për zgjatjen dhe përmirësimet e shërbimit, janë disa faktorë. Disa prej tyre janë: koha shumë e shkurtër e kontratës bazë e ratifikuar me ligjin e parë që ishte në një periudhë 5 vjeçare, ku në përgjithësi koncesionet kanë një limit kohor qartësisht më të gjatë. Sigurisht që është edhe diferenca mes kontratës bazë 5 vjeçare dhe jetëgjatësisë së dokumenteve, që janë 10 vjet. Suksesit të qartë të arritura në objektivat e kontratës që kanë produktet e tyre, le të themi, në drejtim të infrastrukturës qendrore të personalizimit të dokumenteve, cilësisë së lartë dhe standardit që përmbushën këto dokumente, kanë realizuar produkte të drejtpërdrejta për qeverinë dhe shoqërinë shqiptare, siç janë: kontrolli rigoroz i identitetit, i kufijve si dhe efektet që patën në zgjedhje. Gjatë zbatimit me sukses të kësaj kontrate u ngritën infrastrukturat e qendrës së personalizimit, të standardeve, të teknologjisë së fundit, sistemi qendror dhe operacional i teknologjisë së fundit, totalisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe u prodhuan dhe iu shpërndanë qytetarëve shqiptarë dokumente të cilësisë së fundit, që ishin një ndër promotorët kryesorë që mundësuan lëvizjen e lirë në zonën shengen. Një nga faktorët është edhe 15 domosdoshmëria në këndvështrimin e praktikave më të mira europiane, që kërkojnë edhe në vazhdim plotësimin e direktivave dhe të legjislacionit të BE-së për përdorimin e dokumenteve biometrike dhe sistemeve shumë të sigurta të teknologjisë së fundit, që të mundësojnë përfshirjen dhe integrimin e Shqipërisë në BE. Për shkak të rëndësisë së madhe të këtij sistemi, kompleksitetit, si dhe kërkesës për ruajtjen dhe garantimin edhe në vazhdim të këtyre standardeve, u vlerësua zhvillimi i mëtejshëm i kësaj infrastrukture shërbimi, duke mundësuar edhe përdorimin e letërnjoftimit elektronik, si çelësi bazë për identifikimin dhe shërbimet dixhitale, siç janë: identifikimi, autentifikimi, firma dixhitale etj. Në vazhdim, këto shërbime do të mundësohen si për shërbimet qeveritare, nëpërmjet portalit unik qeveritar dhe për shërbimet ndaj biznesit, duke u bazuar tërësisht në infrastrukturë, si shtrirje e saj. Për këto diskutime ka marrë pjesë një grup i gjerë pune, anëtarë nga të gjitha institucionet e tjera, si: Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, Avokatura e Shtetit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Agjencia e Trajtimit të Koncensioneve, si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këtu janë parashikuar si çështje kryesore: zgjatja e kontratës bazë për një afat 10-vjeçar, përmirësimi i kontratës koncensionare nëpërmjet përmirësimit të sistemit të dokumenteve të identitetit, ku mund të përmendim futjen e një elementi të dytë biometrik në fillim të vitit 2015, i cili do të rrisë sigurinë e sistemit të prodhimit dhe do të minimizojë mundësinë e falsifikimit, do të rrisë sigurinë gjatë procesit të aplikimit dhe shpërndarjes së dokumenteve, mirëmbajtjen e sistemit dhe përmirësimin e zgjidhjes, ku vlen të përmendet ruajtja e certifikimit ISO 27001, që është e vetmja certifikatë që garanton ruajtjen dhe pasjen e standardeve më të larta në fushë, gjatë gjithë periudhës së koncesionit, menaxhimin e amortizimit dhe përditësimin e teknologjisë për sistemin qendror të prodhimit, rinovimin e licencave të duhura, zëvendësimin e programeve të nevojshme, përmirësimin e dokumenteve të identitetit dhe në tërësi të sistemit të prodhimit, përmirësimin e letërnjoftimit elektronik dhe të pasaportës biometrike në pikëpamjen teknologjike, duke ndryshuar dhe duke ofruar një çip me kapacitet më të lartë, me teknologji dhe algoritme të identifikimit të përditësuara, si dhe futjen e platformës së re unike, që bazohet te infrastruktura aktuale, për të gjitha shërbimet qeveritare dhe ato të biznesit. Në këtë përmirësim kontrate janë përfshirë edhe: niveli i investimeve, mundësia e prodhimit të dokumenteve të reja biometrike, niveli i shumës së garancisë dhe kalendari, mbajtja e një tarife koncensionare të njëjtë si në kontratën bazë etj. 
Ilir Rusmali: Kush ka pyetje? 
Vasilika Hysi: Faleminderit! Në relacionin që bashkëshoqëron marrëveshjen, ju keni referuar bazën ligjore që keni mbajtur parasysh në hartimin e këtij propozimi për zgjatjen e kontratës dhe, ndër të tjera, përmendni ligjin për të huajt dhe dy VKM për përcaktimin e elementeve të sigurisë dhe miratimin e modelit të specifikimit të dokumenteve. Sapo kemi kaluar një ligj për të huajt, ndërsa ky tjetri është shfuqizuar. Unë nuk e di se sa jeni konsultuar me ligjin e ri, që sapo është miratuar, për të cilin nuk jam e sigurt nëse është dekretuar apo jo. Në ligjin e ri për të huajt, ne kemi përcaktuar një dispozitë ku Këshilli i Ministrave ngarkohet të nxjerrë modelet dhe specifikimet e reja të dokumenteve të udhëtimit ose të qëndrimit të personave të huaj. Sa janë mbajtur parasysh këto ose a mund të miratohet ky ligj pa hyrë në fuqi ligji tjetër dhe pa u përgatitur aktet ligjore të ligjit të sapo kaluar? Pyetja e dytë lidhet me agjencinë ose partnerin. Nga “SAGEM Security” ka kaluar në “MORPHO” Ka ndryshuar kompania apo është e njëjta dhe ka ndryshuar vetëm emrin? Nëse po, përse e ka ndryshuar emrin? E treta: ju thoni se një nga arsyet ose përmirësimet e kontratës koncensionare do të jetë rritja e sigurisë gjatë procesit të aplikimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit. Çfarë nënkupton “rritja e sigurisë” pra çfarë elementesh do të siguroni? E fundit, nuk shoh referimin te ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Ju kemi cituar këtu çdo lloj ligji dhe vendim të Këshillit të Ministrave, por nuk shoh referimin apo përputhshmërinë me ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. A është konsultuar kjo kontratë koncesionare me Komisioneren për Mbrojtjen e të Dhënave Personale? 
Miranda Harizaj: Lidhur me pyetjen e parë, unë e kam konsultuar dhe e kam parë personalisht, pra kam qenë një nga ato që kam dhënë sugjerimet në ligj. Ligji “Për të huajt” është i parashikuar bashkë me ndryshimet dhe VKM-ja për specifikimet e dokumenteve për të huajt 17 është totalisht në përputhje me standardet e kërkuara. Çdo ndryshim, dokumentet që ne ofrojmë, të parashikuara në ndryshimet teknologjike, do t’i plotësojnë totalisht kërkesat e paraqitura në ligjin “ Për të huajt” apo që do të paraqiten nëse do të ketë VKM për ndryshime në specifikimet teknike të këtyre dokumenteve. Për sa i përket ndryshimit të emrit, qysh në ndryshimin që ka ndodhur në vitin 2010, kompania “SAGEM Sécurité”, ka bërë vetëm ndryshimin e emrit nga “SAGEM Sécurité” në “MORPHO”. Unë nuk e di arsyen, por përgjithësisht mendohet “për brand”. Siç dihet, “MORPHO” është pjesë e kompanisë mëmë “SAFRAN”. Lidhur me pyetjen e tretë, siç është në projektligjin e propozuar, ky është ratifikimi i kontratës për zgjatjen dhe përmirësimet. Në kontratën bazë janë ligjet bazë, ku një prej tyre është edhe ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Për këtë arsye, ai nuk është referuar këtu, pasi është ligj për të cilin si Gjendja Civile, si Ministria e Brendshme ashtu dhe çdo institucion tjetër nuk marrin asnjë vendim, sepse çdo gjë e kanë në përputhje me këtë ligj. Ilir Rusmali – Faleminderit! Miranda Harizaj – Më falni, desha të sqaroja diçka në lidhje me aplikimin për të cilin pyetët. Elementi “rritja e sigurisë” për procesin e aplikimit dhe shpërndarjen ka të bëjë me pajisjet teknologjike të nivelit më të lartë. Këto kanë ardhur si pasojë e ndryshimit teknologjik që ka bërë MORFO, duke futur edhe aparatet e reja fotografike që do të përdoren më tej për face recognition. Pastaj janë pajisjet skaner që përdoren për finger prints, le të themi për marrjen e teknologjisë për firmën digjitale që merret gjatë aplikimit për të dhënat online, për zyrat që do të kenë standarde më të larta, duke futur edhe standardet e përditësuara. Pa diskutim që nuk mund të përcaktohen sot, por që gjithmonë e më tepër do të përshtaten dhe do të plotësojnë standardet e kërkuara. 
Vasilika Hysi: Faleminderit për përgjigjet! Ndërkohë ju keni paraqitur propozime për ndryshime në ligjin “Për gjendjen civile”, të cilin e kemi shtyrë për ta diskutuar nesër. A ka ndonjë lidhje mes ndryshimeve në kontratën koncesionare dhe ndryshimeve që propozoni në ligjin “Për gjendjen civile”? Miranda Harizaj – Siç e dimë, zgjidhja që ka ofruar qeveria shqiptare për mundësimin e aplikimit online, që është një nga faktorët e sigurisë së sistemit, është marrja e të dhënave direkt 18 nga Gjendja Civile, burim unik i këtyre të dhënave. Nuk ka asnjë lloj efekti në ligjin që kemi sjellë. 
Fatmir Xhafaj: Ndoshta nuk më kujtohet mirë, por në marrëveshjen e mëparshme ka qenë detyrim i koncesionarit, që brenda 5 vjetëve të bënte kalimin gradual të të gjithë sistemit te pala shqiptare. Një nga gjërat që është trumbetuar më me forcë, si një arritje e kësaj marrëveshjeje, ka qenë edhe kjo. Cili është fati? 
Miranda Harizaj: Bazuar te kontrata bazë koncesionare, nëse palët nuk kanë parashikuar të shtyjnë apo të vazhdojnë marrëdhënien dypalëshe, parashikohet që në 6-mujorin e fundit të kontratës të fillojë kthimi mbrapsht i sistemit. Kjo nuk ka ndodhur për të gjitha arsyet që i thashë më përpara. Për shkak të vullnetit të palëve, të suksesit të procesit, mosparashikimit të kohës së koncesionit pas një kohe shumë të shkurtër, që nuk mbulon as jetëgjatësinë të dokumenteve, që është deri në 10 vjet, të kompleksitetit të vetë sistemit, duke pasur parasysh edhe rëndësinë e të qenit promotore dhe një nga standardet e kërkuara për të qenë pjesë e BE-së me të gjitha standardet teknologjike për të plotësuar edhe standarde në përzgjedhje, duke ofruar dokumente të sigurta dhe mundësi teknike për përdorimin e dokumentit elektronik, letërnjoftimit, si çelësi bazë për shërbime të tjera digjitale që do të ndihmonin shoqërinë shqiptare, biznesin dhe shtetasit shqiptarë. 
Fatmir Xhafaj: Me thënë të drejtën, ndoshta nuk e kuptova mirë unë, por arsyetimi më duket pak logjikë së mbrapshti, ndaj dua të pyes: çfarë lidhjeje ka zgjatja e vlefshmërisë së dokumenteve me atë të koncesionarit, sepse dokumentet duhet të jenë të përjetshme? Domethënë, do të mbarojë kjo në vitin 2015, do të ketë disa, se ky është një cikël dhe jo një afat që do të mbyllet, për shembull, dokumenti për 15 vjet dhe brenda 15 vjetve, meqenëse këtë punë sa ta mësojë një tjetër etj. Ky është një sistem që do të funksionojë përjetësisht, sa kohë nuk dimë të ketë një zgjidhje tjetër në planet më të mirë nga kjo e sotmja. Çfarë kuptimi ka lidhja e marrëveshjes me këtë fakt? 
Miranda Harizaj: Po e sqaroj me fjalë më të thjeshta, se ndoshta nuk u shpreha qartë më parë. 
Fatmir Xhafaj: Kështu është e shkruar kontrata. 
Miranda Harizaj: Kontrata bazë kishte një kohë 5-vjeçare të koncesionit dhe dokumentet kanë një jetë-gjatësi 10-vjeçare. Kjo është kohëzgjatja, sepse pa diskutim çdo dokument do të rinovohet në përputhje me ligjet përkatëse që ka qeveria shqiptare, kompleksitetit e sistemit dhe mundësinë e mbajtjes së këtyre standardeve. Pra, në kontratën bazë nuk u parashikua, le të themi, minimumi kohor, që është 10 vjet, sa janë edhe dokumentet që të mbahen nga e njëjta zgjidhje, në mënyrë që të konsolidohen dhe të vazhdojmë të ruajmë standardet dhe të garantojmë dokumente të sigurta, si dhe një sistem po ashtu të sigurt që të plotësojmë tërësisht nevojat e qeverisë dhe të shtetasve. 
Fatmir Xhafaj: Këtë e kam me merak, edhe mund të mos t’i përgjigjeni, por përfytyroja sikur të ishte zoti Ferdinand Pone, këtu. Në relacion thoni: “Pas një pune intensive, diskutimesh dhe negociatash të vështira dhe të gjata”. A mund të më shpjegoni çfarë doni të thoni me “negociata të vështira dhe të gjata” që keni pasur, që mezi e keni pranuar ju ose ata këtë gjë? Këto janë dy pyetje brenda njëra-tjetrës. (Ndërhyrje pa mikrofon.) Pyetja tjetër ka të bëjë me përshtatjen e çmimit të dokumenteve të identitetit. Thoni: “Pas përmirësimeve teknologjike të dokumenteve të identitetit dhe sistemit, një përmirësim tjetër është një politikë mbrojtëse e dyanshme për shkak të kursit të këmbimit”. A mund të mi shpjegoni këto të dyja dhe të mi lidhni me njëra-tjetrën, meqenëse i keni ndarë si arritje të veçanta? 
Miranda Harizaj: Në lidhje me pyetjen e parë, meqenëse unë jam drejtoreshë e Dokumenteve të Identitetit përgjatë këtyre 5 vjetëve dhe kam qenë pjesë e grupit të punës, mund të them që për këtë çështje është punuar që në momentin e parë që është ngritur grupi multiinstitucional i punës, i cili ka punuar afro 2 muaj e gjysmë, duke qenë një sistem kompleks dhe, realisht, pas një pune të lodhshme me kohë të zgjatur etj., jemi munduar në detaje që çdo gjë e ofruar këtu t’i shërbejë sa më mirë qëllimit, në funksion të përmirësimit në tërësi të shërbimeve dhe cilësisë së tyre nga kjo zgjatje kontrate. Në lidhje me pyetjen e dytë, ashtu siç është referuar në relacion, çmimi është përshtatur duke pasur parasysh, së pari, kohën kur janë bërë ndryshimet teknologjike, pra kur janë shtuar parametrat më të mirë teknologjikë për këto dokumente dhe, së dyti, edhe kushtet ekonomike për 10 vjetët në vazhdim. Pra, nuk është një çmim që ndryshoi sot, por ndryshoi në momentin që u futën elementet e reja biometrike, si njohja biometrike e fytyrës, që është një element biometrik i përdorur dhe elementi i dytë që i futet sistemit tonë. Për sa i përket kursit të këmbimit, është parashikuar një politikë mbrojtëse e dyanshme si për qeverinë shqiptare, ashtu edhe për… 
Vasilika Hysi: Po lexoja kontratën dhe vura re se te pjesa hyrëse e saj, në faqen 7, ka një pikë “e”, ku thuhet: “Duke pasur parasysh se sasia minimale prej më së paku 3,6 milionë karta identiteti të shitura…”, siç parashikohet te neni 3.3.2. kanë gjasa të mos realizohet, kjo jo për pazotësi të koncencionarit”. Pra edhe janë të shitura, edhe të mos realizohet. Ky është lapsus? E para. Pyetja e dytë lidhet me apendiksin A, “Lista e zyrave gjatë periudhës nominale”. Shoh që, hera-herës, në periudha piku, e rrisni numrin e zyrave të shërbimit, dhe, në kushte normale, e pakësoni. Në periudhën e zgjatjes së kontratës, mendoni që kompania do të ketë kaq shumë punë sa ka pasur në këtë periudhë aplikimi, ndërkohë që ne për dhjetë vjet nuk kemi nevojë të nxjerrim më pasaporta dhe karta identiteti? 
Miranda Harizaj: Lidhur me pikën e parë, kam përshtypjen që ajo është marrë direkt, dua ta referoj, nga kontrata bazë. Një nga pikat që ne i referohemi, për shtyrjen e kësaj kontrate, është mosrealizimi i prodhimit të 3,6 milionë kartave jo për faj të koncesionarit, por për shkak se nuk i kanë realizuar këto shifra. Deri tani kjo shifër është diku te 3,3 milionë përafërsisht. Kjo nuk është realizuar, prandaj është vënë një nga pikat. Lidhur me përshtatjen e zyrave, siç është parashikuar edhe në kontratën bazë në vitin e parë, ajo që u quajt periudha masive, numri i zyrave ishte afro 355 zyra të aplikimit dhe të shpërndarjes, të cilat gjendeshin kudo ku ishin zyrat e gjendjes civile. Pas vitit të parë u përcaktuan afro 200 zyra aplikimi dhe shpërndarjeje në kushtet e reja, duke iu përshtatur në mënyrë që të minimizonim edhe kostot. 
Vasilika Hysi: Ju thatë që do të njihet aplikimi online për pasaportë, kartë, në mos gaboj? E kam fjalën që personi nuk do të shkojë te zyra apo si? Doja të qartësohesha. 
Miranda Harizaj: Lidhur me pyetjen po ju sqaroj se në bazë të teknologjisë dhe zgjidhjes që kemi marrë aplikimi është online. Qytetari do të paraqitet përpara zyrës së aplikimit. Për lëshimin e pasaportës do të futet elementi i mbylljes së çipit dhe meçimit të gishtit. 
Ilir Rusmali: Kaq, faleminderit! Ka diskutime? Nuk ka. E hedhim në votim. 
Kalojmë te shqyrtimi nen për nen. 
Neni 1. Ka pyetje, diskutime dhe amendamente? Nuk ka. Miratohet. 
Neni 2. Ka pyetje, diskutime dhe amendamente? Nuk ka. 
Miratohet. 
E hedhim në votim në tërësi. Kush është dakord në tërësi me projektligjin? 
Kundër? Nuk ka. 
Abstenim? Ka 4 abstenime. 
Miratohet. 
MBYLLET MBLEDHJA 
————————- 
Ja 12 pyetje, nga 50 pyetjet që përman dosja investuese e gazetës “Telegraf”
Nisur prej skandalit të koncesionit të prodhimit të pasaportave e kartave të identitetit, të cilat në Shqiëpri prodhohen nga një firmë me 3-4 identete që ndryshohen çdo 2 vjet, po shtrojmë disa pyetje, të cilat mendojmë se duhet të përbëjnë alarm, shqetësim dhe reagim urgjent e të ashpër nga strukturat e shtetit e sidomos të drejtësisë dhe të sigurisë kombëtare, pyetje të cilave, Gazeta “Telegraf” do t’u jap përgjigje nëpërmjet fakteve të investigimit të saj që do t’i publikoj në një speciale lidhur me këtë skandal të rëndë. 
1. Përse duhet të vazhdoj kjo firmë me teknologji të pa sigurt, të prodhojë Pasaporta e Karta Identiteti që falsifikohen si të jenë bileta urbani e stadiumi, madje më primitive e më të pa sigurta se prodhimet ilegale të grupeve të krimit? 
2. Kush e solli firmën “Sagem” në Shqipëri? 
3. Kush e pranoi në tender me dosje konkurrimi me të dhëna të dyshimta? 
4. Kush urdhëroi të shpallej fituese edhe pse nuk provoi, që ishte e specializuar dhe e kompletuar për këtë shërbim?
5. Përse, nga kush dhe me çfarë baze ligjore, apo “prove pune”, iu zgjat kontrata koncesionare? 
6. Me çfarë emri është paraqitur në Shqipëri, me çfarë emri ka marrë pjesë në tender dhe me çfarë emri është shpallur fituese?
7. Me çfarë emri ka ushtruar aktivitetin koncesionar, deri sot? 
8. Me çfarë emri është paraqitur në parlament për shtyrje kontrate, cila është realisht kjo firmë dhe kush fshihet pas saj? 
9. A është i sigurt serveri i të dhënave me të cilin punon kjo firmë?
10. Mbi ç’pikë të ligjit për Sigurinë Kombëtare, lejohet që kjo firmë e huaj private, të ketë nën kontroll e përdorim të plotë e të vetëm të saj, serverin e të dhënave të shqiptarëve?
11. Cila kontratë, VKM apo ligj i jep të drejtën kësaj firme të vendos nëse i jep ose jo të dhëna të shtetasve shqiptarë Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë, Gjykatës, Interpol Tirana, SHISH, SHIU, ministrisë së drejtësisë, burgjeve, ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera hetimore, kontrolluese e ligj-zbatuese të shtetit shqiptar, të dhënat e serverit?
12. Në kontratën koncesionare, përcaktohet se “Sagem” ka detyrim që brenda 5 vjetëve nga nisja e kontratës, të bënte kalimin gradual të të gjithë sistemit, tek pala shqiptare, a e ka bërë?
Sigal