“Sagem” ka pajisur 109 eksponentë krimi e shtetarë me pasaporta fallco me 2 dhe 5 emra, shteti hesht

1729
Sigal

Abuzimet e firmës “Sagem” me prodhimin e Pasaportave dhe Kartave të Identitetit të pa sigurta, me cilësi të dobët fizike dhe në shumë raste të falsifikuara, janë një problem i madh shqetësues që i kalon kufijtë e Shqipërisë, në lidhje me favorizimin e eksponentëve dhe grupeve të krimit, të cilët pajisen me pasaporta me “elementë sigurie aboneje” të autobusëve të Tiranës dhe qarkullojnë lirshëm në Europë e nëpër botë. Të pajisur në zyrat e firmës “Sagem” me Pasaporta e Karta Identiteti me stampë shqiptare e madje edhe të vendeve të tjera me 2 e më shumë emra, datëlindje, vendlindje, shtetësi, kombësi, vendbanime, atësi e amësi, ata i shpëtojnë drejtësisë edhe pse kërkohen ndërkombëtarisht për veprimtari kriminale, siç po dalin së fundi në Shqipëri edhe nëpunës, zyrtarë, shtetarë, politikanë, diplomatë, drejtorë, kryetar bashkiake, këshilltarë e deri deputetë në kërkim e ish-të dënuar në shtete të tjera, por që të pajisur me Pasaporta e Karta Identiteti fallco e të falsifikueshme (të pa sigurta) dhe me 2 e 5 emra të ndryshëm prej firmës “Sagem”, i kanë shpëtuar e i janë fshehur drejtësisë, madje edhe janë graduar në poste të larta shtetërore! Mjafton të hapësh dosjen e marrëdhënieve zyrtare Shtet Shqiptar-“Sagem” dhe zbulon, se lehtësitë për krimin “prodhim dhe shpërndarje pasaportash të pa sigurta e fallco”, kësaj firme i ka krijuar vetë Shteti Shqiptar, me veprimet dhe mosveprimet e tij edhe në rastet kur janë kapur kriminelë të pajisur me pasaporta me identitete fallco, të prodhuara e të pajisur prej firmës “Sagem”! Sot do të publikojmë fakte që provojnë prodhimin e pa sigurt të pasaportave prej firmës “Sagem”, lejimin dhe favorizimin për këtë abuzim prej Shtetit Shqiptar, mos zbatimi i kontratës koncesionare, abuzimi financiar në miliona euro në vit me kuponët e shitjes së pasaportave, me serverin e pa sigurt e të monopolizuar prej kësaj firme dhe shumë skandale të tjerë, të ciëlt do t’i publikojmë në vazhdimësi, duke i kërkuar drejtësisë të veproj me urgjencë për të bllokuar këtë firmë e cila prodhon Pasaporta e Karta që favorizojnë krimin.

“Sagem” ka pajisur 109 eksponentë krimi dhe zyrtarë me pasaporta fallco me 2 e 5 emra, shteti dhe drejtësia heshtin

Gazeta “Telegraf”, u është drejtuar disa herë me shkresë zyrtare dhe me denoncime publike 4 drejtuesve të lartë të shtetit e drejtësisë shqiptare, për hapjen e dosjes “Sagem” në emër të ligjit të dekriminalizimit, mbasi kjo firmë e huaj monopol, prej më se 7 vitesh vazhdon të prodhoj Karta e Pasaporta të pa sigurta dhe sipas drejtësisë e policisë shqiptare. Informacionet që kanë dalë këto ditë nga “sirtarët” e drejtësisë shqiptare, bëjnë me dije se deri tani janë zbuluar 109 eksponentë krimi, mes tyre pushtetarë lokalë, drejtorë rajonalë, deputetë, zv/ministra etj., të pajisur me pasaporta fallco të prodhuara nga firma “Sagem”. Por “çuditërisht” drejtësia, Ministria e Brendshme si kontraktore e “Sagem”, kreu i shtetit, Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare, këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Kryeministria, nuk po veprojnë as tani që pas plotësimit të formularëve të dekriminalizimit kanë dalë edhe pushtetarë lokalë, deputetë e qendror me Pasaporta me 2 e 5 emra fallco, të prodhuara e të dhëna prej “Sagem” Nuk e dimë, nëse është “mungesë kohe” e krerëve dhe institucioneve të larta të shtetit, apo mungesë dëshire e “detyrim” për të mos nisur hetimin dhe procedimin penal ndaj firmës “Sagem”, e cila vazhdon koncesionin me “letra të pista”. Por dimë faktin, që “Sagem” po mbush jo vetëm Shqipërinë por edhe Rajonin, shumë vende të BE e deri SHBA, Kanada, Australi e deri në Indi dhe Afrikë me pasaportat dhe kartat e pa sigurta që vazhdon e prodhon në Shqipëri, me… licencën dhe heshtjen e shtetit shqiptar!

“PAMECA” letër Shqipërisë, në korrik 2007/ Mos pranoni firmën falsifikatore “Sagem”

Sipas një raporti sekret të muajit korrik 2007, të hartuar e paraqitur prej Misionit Europian “PAMECA”, mësohet se firma ”Sagem” nuk duhet të pranohet në tenderin e koncesionit të prodhimit e shpërndarjes së pasaportave dhe kartave si të për krijimin e serverit të të dhënave, mbasi “Sagem” që prej vitit 2005 kontrollon 100% rrjetin e brendshëm konfidencial kompjuterik të Ministrisë së Brendshme, deri tek të dhënat që kanë lidhje me informacione të sigurisë kombëtare! Sipas raportit të PAMECA të korrikut të vitit 2007, zbulohet skandali “krim shtetëror kundër sigurisë kombëtare”, që specialistët e “Sagem” dhe ata të Ministrisë së Brendshme, kryejnë së bashku dhe kontrollet në “pika të dhënash sekrete” që janë “mision i posaçëm” vetëm i një ekipi të përzgjedhur të Ministrisë Brendshme. Në maj të vitit 2007, firma “Sagem&Page Europa”, kryen një inspektim pikash në bashkëpunim me një specialist të Policisë shqiptare. Një raport i sondazhit është kryer në qershor 2007 kundrejt përfituesit dhe “DKE”, saktësohet në raportin e PAMECA-s. Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të vitit 2008, nuk e kishin kontaktin e parë me firmën “Sagem” si “konkurrente” në tenderin pasaportave, por e kanë pasur kliente që në muajin nëntor 2005, kur e kanë bërë pjesë të sekreteve shtetërore të kësaj ministrie.
———————————————
Pasaportat e “Sagem” kanë bërë “shqiptar” jemenasin, indianin, afrikanin, palestinezin

Në ndonjë rast kishte edhe rekordmenë, si Ndriçim Sadushi i bandës “Kateshi” të Elbasanit, i cili në periudhën 2000-2011, kur strehohej ilegalisht në Londër dhe Merseyside, kishte përdorur 6 emra të rremë dhe 6 pasaporta false përfshirë edhe Pasaportën Biometrike me demek krejt të sigurt të prodhuar nga “Sagem”. Fakti është ky: Sadushi, sipas Pëllumb Seferit ish-shef i Interpol Tiranës ishte nr. 1 në listën e shqiptarëve në kërkim ndërkombëtar. Qarkullonte si barsoletë në policitë kufitare evropiane, rasti i një personi nga Jemeni të lindur në Guvernatoriatin e Mukallës, që ishte pajisur me Pasaportë Biometrike shqiptare nga këto të sigurtat që prodhon “Sagem”, i cili na ishte “pagëzuar” edhe me emrin shqiptar “Ermal” dhe na rezultonte rezident në Kamzë! Pra, krahas kriminelëve ordinerë, Pasaportat Biometrike mund të kenë përfunduar dhe në duart e terroristëve të atëhershëm të Al-Kaedës. Eksponentë të rëndësishëm të PS-së në opozitë, nga deputeti Braçe deri te vetë kryetari Rama, publikisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për problematikën e Pasaportave Biometrike. Me ardhjen në pushtet të PS-së pretendimet në opozitë u harruan dhe “Sagem” vazhdon punë pa u kontrolluar e pa u ndëshkuar për favorizim krimi me pasaportat.
——————————————————–
Dy raste pasaportash fallco e të pa sigurta të prodhuara nga “Sagem”, kapur nga policia italiane

1. Në datën 15 shkurt 2015 karabinierët arrestuan dy shtetas shqiptarë eksponentë të botës së krimit, që për të shpëtuar prej drejtësisë kishin sulmuar e plagosur edhe policë italianë. Të arrestuarit ishin Fatmir Salkurti i datëlindjes 13 shkurt 1988, që qarkullonte me pasaportë biometrike të prodhuar false nga “Sagem” me emrin Erin Cara, lindur po më 13 shkurt 1988 dhe Indrit Salkurti i lindur po në Qarkun e Dibrës më 20 korrik 1992, i cili kishte një Pasaportë Biometrike false, të prodhuar nga “Sagem”me emrin Rexhep Ilnica, lindur më 20 korrik 1992. 


2. Në 26 gusht 2015 karabinierët e Pordenones arrestuan një durrsak 26 – vjeçar për drogë. Ai kishte një Pasaportë Biometrike false të prodhuar, më 2 qershor 2015 d.m.th nga këto super të sigurtat. Në pasaportë ishte emri Roland Ambrosa, në të vërtet i arrestuari quhej Roland Qibja. Karabinierët i kapën edhe një Kartë Identiteti rumune dhe një leje drejtimi automjeti rumune të falsifikuara me emrin Nicolae Ganea, me datëlindje 2 qershor 1983, por me foto të Rolandit. Në këtë rast kemi një shpërndarës droge, që pa vështirësi arrin të sigurojë Pasaportë Biometrike false me element të shtuar sigurie të prodhuar nga sistemi “Sagem”.

Përparim HALILI