Safa Kumbaro, shkencëtari që projektoi impiantet teknologjike në industrinë e përpunimit të naftës e kimisë

563
Demir Korita
(Laureat i Çmimit të Republikës, Klasi i Parë)
Ditë më parë, ish personeli inxhinier-teknik, i ish Uzinës së Azotikut të Fierit, patën mes tyre ish kryeinxhinierin e Azotikut dhe shkencëtarin, Safa Kumbaro. Edhe pse i larguar shumë vite prej Azotikut dhe për më se 20 vjet banon pranë fëmijëve në Francë. Safai nuk u harrua kurrë prej bashkëpunëtorëve të tij, personelit inxhinier-teknik, jo vetëm si njeri me reputacion, por edhe si një njeri me kontribute të larta shkencore në Azotik, naftë e kudo. Ndërsa shohim sot që për këta personalitete, askush nuk kujtohet, por janë rendur pas disa personave të rëndomtë pa kontribute shoqërore, duke iu motivuar deri në vlerësime më të larta, si “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Kombit”, etj. Por këta që dhanë kontribute të shquara në fushën e energjetikës, naftës, kimisë, metalurgjisë, bujqësisë, a nuk meritojnë motivim moral?! Safa Kumbaro i përket brezit të ndritur të inxhinierëve e intelektualëve të pas çlirimit, të cilët me guxim iu futën punës kërkimore-shkencore për zhvillimin e përparimin e industrisë tonë të brishtë. Safai, ishte ndër pionierët e parë dhe studiues shkencor që projektoi e zgjidhi mjaftë problem teknologjike si në sektorin e përpunimit të naftës, atë të kimisë, duke mbajtur vulën e shkencëtarit me përvojë të gjatë.

LIBOHOVA, VENDLINDJA E SAFAIT
U lind, më 23 mars të vitit 1931, në familjen arsimdashëse të Burhan Kumbaros, i cili kishte përfunduar universitetin në fillimet e shekullit të kaluar. Libohova është e njohur për emrin që i kanë dhënë shumë prej bijve të saj qysh prej periudhës turke si një ish qendër e rëndësishme administrative për jugun. Nga Libohova kanë dalë mjaft emra të diplomacisë shqiptare , jurist, deputet, shkencëtar, profesor, artist të këngës e regjisor të filmit, etj. Nga Libohova ishte dhe mësuesi patriot, kryetari i shoqërisë “Bashkimi”, Avni Rustemi, Hero i Popullit, atentatori i Esat Pashë Toptanit. Edhe Kumbarot i takojnë një fisi intelektualësh të arsimuar, qysh në periudhën e sundimit turk, siç ishte i ati, Burhani dhe i vëllai, Hajredini, profesor, shkencëtar, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Si racë intelektualësh edhe Safai qysh i vogël çfaqi dëshirën e madhe për vazhdimin e shkollave të kohës. Këmbëngulës e me vullnet të fortë, përfundoi në Gjirokastër me rezultate te larta arsimin 7-vjeçar dhe më pas shkon në Tiranë për të vazhduar studimet në Politeknikumin, dega mekanike. Edhe atje, ai u shqua si nxënës i nivelit të lartë, të cilën e përfundoi në vitin 1949 me medalje Ari. Merr te drejtë studimi për të vazhduar arsimin e lartë në degën e Përpunimit të Naftës, pranë Universitetit “Lomonosov” në Moskë, ish Bashkimi Sovjetik. Në Universitet, Safai u shqua si student i talentuar dhe për më teper për aftësitë e tij kërkimore-shkencore në fushën e Përpunimit të Naftës. Në vitin 1953 përfundon fakultetin me medalje Ari, një surprizë ë pritshme prej profesorëve te universitetit, emir i të cilit u rendit në librin e Artë të studentëve më të mirë ndër vite, ku ndodhet edhe sot. Aso kohe, me ndihmën e ish Bashkimit Sovjetik, në Cërrik u ngrit Uzina e Përpunimit të Naftës, e vetmja teknologji për vendit tonë. Emërohet si inxhinier në atë uzinë. I pajisur me njohuri të thella shkencore në “Lomonosov”, prognozues i mprehtë, studiues i thellë në analiza, Safai përbënte një laborator më vete. Si i tillë, ai eci shumë hap përpara kolegëve të tij. Një bibliotekë të pasur shkencore të shkencëtarëve rus dhe i shtyrë prej presionit dhe shpirtit novator, guxoi t’u futej studimeve për të projektuar e prodhuar vajin lubrifikant, kjo në bashkëpunim me bashkëpunëtorin shkencor, ing. Mirush Puto, që kryente njëherësh detyrën e kryeinxhinierit të uzinës. Prodhimi i vajit lubrifikant për herë të parë nga këta të dy shkencëtar, bëri që të ndikoj fuqishëm në industrinë tonë, pasi i mungonte tregut shqiptar. Për kontributin e tij, shteti shqiptar i kohës, e vlerësoi me titullin e lartë “Laureat i Republikës” i Klasit të Parë. Ishte vetëm 30 vjeç. Dallohej për sqimë të hollë të një studiuesi e krijuesi shkencor, cilësi tepër e rëndësishme në stilin e komunikimit me të panjohurat dhe zgjidhjen e mjaft problemeve të kohës, duke krijuar një fizionomi të plotë të një shkencëtari të ri e me perspektivë për të ardhmen. Në vitin 1964 në periudhën që filluan punimet për ndërtim-monitorimin e Azotikut, Qeveria Shqiptare, e emëroi kryeinxhinier të shfrytëzimit të saj. Ndërkohe vihet në krye të një grupi prej 39 vetë inxhinier-teknik ku shkojnë për t’u specializuar pranë kombinatit kimik në Lanxhoun e largët të Kinës dhe më pas me një pjesë të specialistëve shkojnë pranë korporatës kimike “Montekatini” në Itali. Me bagazhin e tij, arriti të studio e ndërtoi punën për krijimin e literaturës së nevojshme për çdo impiant, që do t’u shërbenin personelit të ri të papërvojë që do të vinin në shfrytëzim Azotikun, një vepër kjo e pa imagjinueshme në vendin tonë, me një teknologji moderne për kohën. Me shpirtin e tij krijues, aftësitë e tij shkencore, për një periudhë të shkurtër 6 mujore, në bashkëpunim me kolegët e tij inxhinier-teknik, përgatiti dhe organizoi me të gjithë kategoritë e specialiteteve, teknologji, kip, elektrik, kompresor, mekanik etj, kurse kualifikimi të përshpejtuar me objektiv që të lëshonin uzinën pa defekte dhe në kohë. Vështirësitë ishin të shumta për shkak të natyrës së mungesës së eksperiencës së punonjësve por edhe naftës sonë si lëndë e parë. Në Azotik, Safai gjeti mbështetje të plotë të drejtorit të saj, inxhinierit Petrika Ballaurit, por edhe të inxhinierëve të talentuar Thanas Mërkuri, Vangjush Orgocka, Kosta Koçi, Sali Bollati, Nako Leskaj, Berti Lalo, Lavdosh Veizi, Theodhori Papajorgji, Ali Zaimi, Kosta Gjoka, Harito Gërbizi, Jani Çati, Jorgo Themeli, Hetem Sula, Jani Llambi, Pano Robo, Llazar Zarka, Pandeli Koruni dhe mjaft teknik e inxhinier që janë të shumtë, të cilët u bënë emra të njohur si mjeshtra, por edhe kuadro drejtues në rrethe e dikastere si Bahri Hazizi, Lavdosh Ahmetaj, Spiro Sofroni, Berti Hajnaj, Haxhi Gashi, Niqifor Beleri, Koli Xhaxho, Nexhip Agaraj, Leks Lako, Agim Lala, Tatjana Mali. Pas lëshimit të Azotikut, në disa impiante lindëm mjaft probleme serioze, siç qe ai i bllokimit të impiantit të pastrimit të gazit metan nga përqindja e lartë e squfurit, zbuloi shkaqet e skuqjes së reaktorit të oksidimit katalitik të amoniakut në repartin e acidit nitrik, duke evituar këtë fenomen të rrezikshëm, duke bërë që Azotiku të vijoi punën normalisht. Zgjidhi difekte serioze në impiantin e ndarjes së ajrit O2-N2 etj. Në këtë periudhë kontribuoi për kualifikimin e stafit teknik të Azotikut duke dhënë mësim në filialin e UT Tiranë, dega kimi-industriale, si lektor i lëndës së Proceseve dhe Aparteve të Teknologjisë kimike. Këtë detyrë e kreu me profesionalizëm të lartë dhe përkushtim deri në mbylljen e filiali, ku u diplomuan shumë inxhinierë kimist. Brenda një kohe relativisht të shkurtër së bashku me stafin inxhinier-teknik të Azotikut dhe i mbështetur plotësisht nga drejtori i Azotikut, inxhinier Qirjako Mihali, me të cilin kishin qenë drejtues të Uzinës së Naftës së Cërrikut, krijoi një ekip solid e të kualifikuar për t’iu përgjigjur teknologjisë moderne të kohës. Pas vitit 1975, Safai punoi në Institutin e Naftës në Fier, i cili projektoi impiantin e pastrimit të gazit natyror, impiantin për rikuperimin e funksioneve të lehta nga nxjerrja e naftës dhe nga depozitat e nënprodukteve të lehta të përpunimit të naftës, si dhe janë disa nga punimet e shumta në këtë sektor. Më pas emërohet shef i sektorit të Rërave Bituminoze me synim përpunimin e tyre dhe përfitimin e naftës. Pas studimeve të shumta shkencore dhe një punë tejet e vështirë, pasi natyra e rërave tona bituminoze ishte komplekse dhe mungonte përvoja botërore, Safai së bashku me stafin inxhinier-teknik projektuan, ndërtuan të parën fabrikë të përpunimit të Rërave Bituminoze në vend. Vitet e fundit, Safai emërohet si shef i sektorit të industrisë në Komitetin e Shkencës dhe Teknikës, duke dhënë një kontribut të shquar në këtë fushë. Në sektorin e Shkencës ku punoi e drejtoi Safai dha rezultate të shkëlqyera në zhvillimin dhe përparimin e ekonomisë në sektorin e naftës dhe kimisë, që përbëjnë kontributin më të shquar të këtij personaliteti shkencor, duke e vendosur atë në elitën e personaliteteve shkencore të vendit. Portreti i këtij intelektuali të kompletuar me një kulturë të gjerë qytetare e shkencore, zotërues i tre gjuhëve të huaja, të bënte për vete. Një burrë me shtat mesatar, i mprehtë, studiues i palodhur e skrupuloz, me një mendje pjellore dhe i dashur me të gjithë, është rrënjosur thellë në gjithë personelin inxhinier-teknik, tek çdo specialist e punonjës të Azotikut e Naftës, respekt të cilin e ruan edhe sot.