Sadik Bejko/ Qarku ku janë përballur mali e deti, Oksidenti e Orienti

914
1.
Qarku i Lezhës me Mirditën dhe Kurbinin është një truall me identitet kulturor të veçantë, truall me rrënjë thellë në historinë e hershme të shqiptarëve. Këtu janë ndërthurur prurjet nga deti dhe mali, derdhja e këtyre prurjeve në njëra-tjetrën dhe tërheqja pas secili në të vetën. Është një trualli ndikuar nga latiniteti nëpërmjet njerëzve të kishës romane, klerike dhe misionare, te dioqezave mijeravjecare te Sapes Sardes dhe Pultit, te kolegjeve si ai I Troshanit, një vend ku venecianët kanë lënë pas kështjellat, ku portet kanë shkëmbyer mallrat, njerezit dhe kulturat. Nuk është e rastit që prej këndej vjen Fjalori Latinisht-shqip (1635), hartuar nga Frang Bardhi i Kallmetit, ipeshkv i Sapës, fjalor me të cilin zë fill leksikografia dhe etnografia jonë. Ai renditet dhe si historiani i parë shqiptar me librin Apologji për Skënderbeun (1636). Pjetër Zarishi (1806-1866), doktor në filozofi dhe në teolgji, veç punës si klerik shkroi poezi patriotike, fetare, kozmogonike, 13 sonete mbi krijimin e rruzullimit. Në këto vise, nën ndikimin kulturor të dioqezave të Sapës e të Sardës, janë hapur shkollat e para shqipe në Kurbin më 1632, më pas në Vle, në Troshan e në Pllanë. Abat Preng Doçi (1846-1917) i Mirditës, klerik i lartë me veprimtari pastorale më përtej se ajo shqiptare, ishte veprimtar zëmadh i Rilindjes, ideolog dhe poet, bashkëhartues i alfabetit latin që kemi edhe sot. Figurë kulmore e gjithë kulturës së lartë shqiptare, Gjerjg Fishta (1871-1940), i quajtur Homeri shqiptar, është njëherësh personalitet i rrafshit ballkanik e europian për nga rëndësia dhe cilësia e lartë e veprës së tij letrare në poezi, në dramë, eseistikë e publicistikë. Shtjefën Gjeçovi (1873-1929), kjo lartësi e përulur, sipas Konicës, në këto troje mblodhi dhe kodifikoi Kanunin e Maleve, vepër e një rëndësie themelore për etosin shqiptar. Për rreth pesëmbedhjet vjet këtu pranë, në Kukël të Zadrimës, ka meshuar dom Ndre Mjeda (1866-1937), aty dhe ka shkruar poemat sonetike si “Lisus”, “Scodra” etj. 
2. 
Një trashëgimi e tillë bën krenar Qarkun e Lezhës, ata që lindën e u rritën në këto troje, i bën krenarë të gjithë sa quhen shqiptarë. Një traditë e tillë ka magjinë që të ndjellë pasardhësit në këtë vazhdë. Kështu aty nga vitet ’70 të shekullit që shkoi, poetë si Ndoc Gjetja,Rudolf Marku, Preç Zogaj me shokë do të quhen poetë e shkollës së Lezhës. Mendoj se emërtimet si Shkollë e Lezhës, e Tropojës, apo e Tepelenës kanë qenë më shumë etiketime për të shënuar ato rrethe poetësh që hynë në letërsi gati në të njëjtën kohënë të tria rrethet që përmendëm. Poetë si N. Gjetja, R. Marku, P.Zogaj me veprën e tyre i bënë vend vetes në gjerdanin e shkëlqyer të poezisë shqipe. Ndoc Gjetja (1944-2010) ka qenë poet i meditacionit lirik. Poezitë e tij të një kthjelltësie të tejdukshme të formës ngërthejnë dramacitetin tragjik të ekzistencës. Rudolf Marku priret nga një poezi e mendimit, poezi me cilësi e pasuri të planit imagjinativ, të figuracionit. Romanet dhe esetë e tij të çmuara zbulojnë aspekte të tjera të talentit të tij përherë sfidues. Preç Zogaj në arritjet e tij më të mira është poeti i lirizmit të hollë. Detaji poetik plot dritë kontraston me meditimin e ngrysur, duke rritur më tej shkallën e emocionalitetit si cilësi e prani të kësaj poezie. Preç Zogaj ka një radhë librash, si romane dhe libra publicistikë mbi ecurinë hap pas hapi të jetës politike. Janë shkrimtarë që e kanë vendin në antologjitë poetike të shekullit të njëzet. I këtij brezi ka qenë afërsisht dhe Gjok Beci i Mirditës, poet ku lirizmi ngjyrohej me tonet epike. Ai si poet mjeshtëror i teksteve për këngë pati një popullaritet për zili. Nuk mund të mos përmendim padre Zef Pllumin e Malit të Rencit, një klerik i formatit të Françeskanëve të mëdhenj shqiptarë. Libri i tij “Rrno për me tregue” sjell kujtime nga martirizimi i kishës dhe i klerikëve nën diktaturën komuniste. Veç dëshmisë së pasur për atë kohë – një vazhdë e buruar nga mesianizmi i njeriut të kishës katolike – Zef Pllumi evokoi në gjuhë, në leksik, në frazeologji një taditë të hershme të shkrimit të shqipes. 
3.
Shkrimtarët e ditëve tona të këtij qarku janë të shquar në rang vendi për vlerat që sjellin. Studimet e profesor Mark Tirtjes, të Tonin Çobanit, proza dhe eseistika e Mark Simonit, poezia dhe proza e Alban Balës, poezia e Viktor Gjikolës, proza e Ndue Gjikës, e Ndue Gasprit, proza, studimet, publicistika e Ndue Dedës, poezia e tregimet e Preng Macës, librat e S. Gjeçit, të Gin Markut, Ernest Markut, të A. Bushit, Bardhok Pulës, Hekuran Kokës, Azem Baliut, Medi Dashit etj prej vitesh janë në vëmendjen e lexuesit të sotëm, të takimeve letrare, të vlerësimeve me çmime locale dhe kombëtare. Ky është një product letrar në nivelin e gjithë krijimtarisë së kohës që jetojmë. Vëmendja e kritikës, vëmendja e shtypit letrar e autoriteteve të pushtetit janë në nxitjen e kultivimin e mëtejshëm të këtij prodhimi letrar. Dëshmi e kësaj është dhe mbajtja për të katërtin vit radhas e një konkursi letrar vjetor për qarkun e Lezhës. Ndër librat e paraqitura në konkursin e sivetëm, libra në prozë, poezi dhe studime vlen të përmenden poezitë e Zef Bardhit, Pashk Lokut, Preng Macës, Gjergj Franit, Tonin Nikollit, Llesh Sefgjinit (monografi për B. Sulejmanin). Në poezi ka kujdes për formën, për vargun, për strukturimin poetik të një situate emocionle. Zef Bardhi vjen me një poezi të mbajtur gjatë në duar. Ka sintetizim të strukturave poetike dhe një prirje nga gjendjet dramatike të qenies. Pashk Loku shkruan me formë klasike, varg të rregullt, të rimuar, por ndjeshmëria, ironia dhe protesta janë të një ndjeshmërie moderne. Preng Maca shkruan poezinë e meditimit për të përditshmen e njeriut. Ai i jep formë të përkorë meditacionit të pasur dhe të prin nga mirësia e urtësia. Gjikola parapëlqen poezinë e bukur, poezinë e tingullit, të ngjyrës, të emocionit. Ndue Gaspri në vazhdën e prozës së tij romanore me romanin “Hani i Marshallit”, si dhe në një roman të mëparshëm për Zarishin, sjell në lëndë origjinale nga këto treva të qarkut të Lezhës. Janë dy botë që përplasen. Ajo që vjen nga deti me misionarët, me kishat e kuvendet përballet me botën që vjen nga Lindja si agresion kulturor a qoftë si pushtim. Autori sjell pejsazh, mendësi, karaktere, gjuhë nga pasuritë e këtyre trevave. Ai e zotëron mjeshtërinë e romanit që në poetikë është pak tadicional. Librat e Ymer Hasës, të Ernest Markut janë prurje me rëndësi kulturore. Të sjellësh një fjalor me leksik e frazeologji na autorët e shquar te gegnishtes është një vepër pasioni dhe vlerësimi të lartë për traditën. Mbi bazën e këtyre prurjeve juria vlerësoi me çmim në poezi librin “E paharruar” të Zef Bardhit, në prozë romanin e Ndue Gasprit “Hani i Marshallit” dhe fjalorin “Fjalë të turitme të gegnishtes letrare’ të Ernest Markut.
Sigal