Sadetin Fishta: Shteti dhe krimi diskriminojnë policinë

546
Punonjësit e Policisë së Shtetit sot janë të braktisur nga shteti, pasi atyre u kërkohet të përballohen me krimin, duke punuar me orë dhe ditë të tëra, në vazhdimësi, punojnë larg shtëpisë, por drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në fund të muajit nuk i trajtojnë ekonomikisht, sipas ligjit. Kryetari i Sindikatës së punonjësve të Policisë të Shtetit, Sedetin Fishta, në datën 7 maj 2015, në emër të sindikatës i ka dërguar një letër drejtorit të DPP, ku i thekson të gjitha shqetësimet e punonjësve të policisë për mostrajtimin financiar sipas ligjit. Në mars 2015 ka hyrë në fuqi edhe ligji i ri numër 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, ku në shumë nene të tij parashikon edhe trajtimin financiar të policëve, mirëpo, deri tani ky ligj është i pazbatueshëm, pasi qeveria deri tani, edhe pse ka kaluar afati ligjor 6 mujor, nuk ka nxjerrë nënaktet ligjore. 
Sadetin Fishta, Kryetari i Sindikatës së Policëve: Policët nuk trajtohet financiarisht nga shteti
Sadetin Fishta, Kryetari i Sindikatës së punonjësve të Policisë së Shtetit, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, pohon: Përsa i përket trajtimit financiar, që u është bërë punonjësve të Policisë së Shtetit, për 2015, them me përgjegjësi të plotë se punonjësit e policisë së Shtetit nuk kanë patur asnjë përfitim material. Edhe pse është miratuar që nga 2014 ligji i ri i Policisë së Shteti, ku përmban shumë nene për trajtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, por për shkak të mungesës së hartimit të akteve nënligjore, ata deri tani nuk i kanë përfituar financiarisht ato që duhet t’u paguhet për punën e kryer. Konkretisht, që nga janari i 2015, punonjësve të Policisë së Shtetit nuk u janë paguar orët suplementare. Janë me qindra orë shërbimi, përtej 8 orarëshit të punës, që kanë kryer në krye të detyrës punonjësit e Policisë së Shtetit dhe nuk u janë paguar, ngaqë punonjësit e Policisë së Shtetit janë super të ngarkuar. Orët e tepërta të punës, që kanë kryer punonjësit e Policisë së Shtetit janë të evidentuara kanë shkuar në financë, por deri tani nuk shikojmë asnjë përpjekje për t’i paguar. Përgjigja e thatë që marrin vazhdimisht punonjësit e policisë nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, është se mungojnë fondet e buxhetit. Nuk kanë dhënë afat, por sipas ligjit, ato duhet të ishin paguar, e jo të kalojë viti pa pagesë. Disa zëra kanë thënë se do të shikojnë fondet e buxhetit, që mund të mbeten pa u shpenzuar dhe t’u japin punonjësve të policisë orët e tepërta që kanë kryer në detyrë. Në 2014 qeveria mori një vendim, që gjobat e vjelura nga policia e shtetit do të administrohen nga ministria e Brendshme, për të modernizuar teknologjinë etj. Mirëpo, siç duket, asnjë shumë nga këto gjoba të vjelura nuk është përdorur për të paguar detyrimet e punonjësve të Policisë së Shtetit. Madje, ka patur edhe një ligj më parë, që 40 % e shumës nga gjobat e vjelura, mund të përdoren nga Ministria e Brendshme për shërbime që ka kryer për palët e treta. Qëllimi ka qenë që këto fonde të përdoren jo vetëm për bazën materiale që ka nevojë vetë institucioni i Policisë së Shtetit, por edhe për pagesat për shërbime, pagesa për punë të kryer jashtë orarit, për punë suplementare, Por ka munguar vullneti edhe i qeverisë, por edhe i drejtuesve të Policisë së Shtetit për të zbatuar një detyrim që e kanë ligjor, për të paguar orët e punës së tepërt. Nëse Policia e Shtetit nuk i paguanpunonjësve të policisë orët e tepërta të punës, atëherë sindikata, si edhe herë të tjera, do t’i drejtohet gjykatës. 
-Çfarë tjetër nuk ka dhënë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për trajtimin e punonjësve të saj, siç e parashikon edhe ligji “Për Policinë e Shtetit”?
– Ka shumë policë që nuk u janë paguar as lekët për veshjet civile, për sektorë të veçantë që ka policia, që kanë të drejtën që të marrin veshje civile për t’u paraqitur në punë dhe kundrejt VKM, shteti u paguan një shumë të caktuar. Madje, ka shumë punonjës policie që nuk kanë marrë as pagesat e viteve të kaluara, për veshjet civile që kanë blerë, por që duhet që institucioni, në bazë të ligjit, t’u paguajë një shumë. Por punonjësit e policisë së Shtetit nuk kanë marrë asnjë përfitim që u takon që nga 1 marsi i 2015, që kur është futur në fuqi ligji i ri i Policisë së Shtetit. Shumë punonjës nuk kanë marrë pagat për shkak të privacioneve për largësi nga vendbanimi, sipas nenit 67 të ligjit për Policinë e Shtetit. Shumë punonjës të Policisë së Shtetit nuk kanë marrë as pagat për atë periudhë kohë, kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi i ka nxjerrë nga puna pa të drejtë dhe në shkelje të ligjit, i kishte lënë në dispozicion. Nuk dihet akoma se ku do paguhet punonjësi, që për një kohë të gjatë ka qenë në dispozicion: Do paguhet atje ku ka qenë më përpara, apo në punën e re? Janë më shumë se 70 punonjës të Policisë së Shtetit, që ende nuk janë paguar për kohën që kanë qenë në dispozicion, edhe pse u zbuan nga puna e parë në kundërshtim të ligjit, sepse VKM nr. 804 datë 21.11.2007 “Rregullore Personelit të Policisë së Shtetit”, nuk parashikohet lirimi nga detyra dhe kalimi në dispozicion, si edhe lënia pa pagë e punonjësit, si edhe nuk u është paguar papunësia e bashkëshorteve. Kur do të jepen rrogat e policëve? Akoma nuk dimë nëse do të paguhet rroga e 13, për fundvit. Me ligjin e mëparshëm të Policisë, kishim të drejtë shpërblimi për rrogën e 13, të paktën 1 rrogë, në ligjin e ri kjo është hequr, por i lihet në dëshirën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të shpërblejë në mënyrë të veçantë punonjësit e policisë, por nuk e kanë të gjithë punonjësit. Punonjësit e Policisë duhet të kishin marrë shtesë page, që nga 2015, sipas ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit”, kaq për qind sa vite pune kanë në polici. Policëve u është mohuar deri tani edhe 1 vakt ushqimi, që duhet ta merrnin, policët nuk marrin 3 % të nevojave që kanë për strehim, sipas nenit 70. Një numër policësh janë cenuar në pagë, sepse u ka mbaruar afati i masës disiplinore ulje në gradë, por vazhdojnë të paguhen me pagë të ulët, në kundërshtim kjo me VKM numër 804/21.11.2007. 
Skandali/Shteti nuk u bën policëve sigurimin e jetës
Fushata më e madhe e qeverisë ka qenë luftimi i punës në të zezë kundër atyre bizneseve që punësojnë punëtorë pa u paguar sigurimet shoqërore. Mirëpo, vetë shteti nuk u bën sigurimin e jetës policëve, sipas ligjit “Për Policinë e Shtetit”, që parashikohet në nenin 71. Në 2015, u vranë 2 policë në luftën kundër krimit, mirëpo familjet e tyre nuk përfituan sigurimin e jetës të policit të vrarë, pasi shteti nuk i ka bërë asnjë polici sigurimin e jetës, kur dihet që jeta e policit është në çdo çast në rrezik në luftën kundër krimit. Ky fakt përbën skandalin më të madh të shtetit. Deri tani DPP nuk e bën, pasi nuk do të paguajë faturën ekonomike, duke i lënë policët pa sigurim jete edhe pse përditë përballen me krimin. 
6 dhjetor 2013, zotimi i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për rritje rroge, por që ka mbetur në letër
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaron se shumë shpejt do rriten rrogat e Policisë së Shtetit, duke u hartuar një ligj special bashkë me Ministrinë e Financave për të bërë të mundur rritjen e standardit të pagesave të punonjësve të policisë, pjesë e synimeve të rritjes së cilësisë së punës në luftën ndaj krimit. I pyetur se sa do të jetë niveli i ri i pagave, ministri Tahiri tha se aktualisht nuk mund të thuhet një shifër e saktë, por është parashikuar që polici të marrë një pagë dinjitoze për punën dhe sakrificat e punës që bën. 
24 nëntor 2015, Ministri Tahiri pohon: Policëve u janë rritur pagat 25 %???
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i ftuar në Komisionin e Ligjeve, ku prezantoi pikat thelbësore të projekt-buxhetit të vitit 2016, i cili për vitin e ardhshëm ka rritje me 6%. “Sa i takon Buxhetit të MPB për vitin 2016 është 19.9 miliardë lekë, me një rritje me 6 % në krahasim me vitin 2015, kjo sipas programeve buxhetore për Policinë e Shtetit, për Gardën e Republikës, për Prefekturat dhe shërbimet e deleguara, për shërbimet e Gjendjes Civile, Rezervat e Shtetit, Emergjencat Civile dhe Inspektoratin Ndërtimor”. Tahiri foli edhe për rritjen e pagave të punonjësve me 25% “Me rritjen me 25% të buxhetit të kaluar, kryesisht kjo për punonjësit e nivelit bazë, pra për shumicën dërrmuese të punonjësve të policisë, që janë dhe ata që përballen në vijë të parë me paligjshmërinë dhe kriminalitetin dhe janë po ata që kontaktojnë në vijë të parë dhe në mënyrë intensive me qytetarët, rritëm pagat me 25% dhe mesatarisht nga 45.600 lekë në 57.100 lekë ose e përkthyer ndryshe, me buxhetin e vitit të kaluar i dhamë një rrogë të 13-të punonjësve të policisë. Pra, punonjësit e policisë, nga rritja e buxhetit të vitit të kaluar morën një rrogë plus”.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 14.12.2015
Sigal