Sadedin Zeqo/ Jo reformë për reformë

51

Reforma territorial në Shqipëri është e domosdoshme dhe duhet të kryhet sepse ajo u shërben interesave të qytetarëve dhe kur bëhet me këtë qëllim ajo është e gjithëpranuar. Po që në fillim dua të them se nuk duhet “reformë për reformë” po një reformë që t’u shërbejë interesave të qytetarëve. Prandaj na duket e paarsyeshme që me një të renë të lapsit ka prekur 60% të pushtetit vendor.

Është për të ardhur keq për ata që janë venë në krye të kësaj reforme, jo vetëm që kanë punuar mbrapsht por kanë hapur konflikte të rënda e të pa riparueshme midis banorëve dhe qeverisë të zgjedhur prej tyre. Ka munguar transparenca në këtë reformë madhore, ka munguar bashkëpunimi, bashkëveprimi e bashkëgjykimi. Në fund del vendosja e pushtetit në mënyrë flagrante bashkimi i Dukatit me Vlorën në kundërshtim me interesat e banorëve të krahinës së Dukatit e varfër ekonomikisht, por parajsë nga resurset natyrore. Të parët tanë thoshin: “Kur prishet Vlora e ndreqin Dukati e Kanina, se Kuçi është larg”. Tani që kërkojnë ta prishin Dukatin me reformën territoriale s’ka kush ta ndreq as Vlorën. Këto veprime në projektin e kësaj reforme e kanë ndihmuar edhe puna e dobët e drejtuesve të pushtetit vendor që nuk janë interesuar për popullin po janë bërë afaristë duke shfrytëzuar “bujarinë” e natyrës së Dukatit dhe resurset e shumta të krahinës. Një mrekulli natyrore që asnjëherë nuk është punuar asnjëherë nuk është investuar, por trajtuar e izoluar që nga Llogaraja deri te ishulli i Sazanit. Ju pushtetarë të çdo krahu të politikës kini shfrytëzuar për qëllime të mbrapshta cilësitë e rralla të banorëve të kësaj krahine si urtësia, popull punëtor, njerëzit më korrektë në zbatim të ligjeve, mikpritës dhe banorët e shumtë të ardhur në Orikum u është bërë virtyt dhe kanë përfituar nga këto cilësi. “Zgjuarsia dhe trimëria e këtij populli do t’íu bjerë në kokë”. Detyra e juaj është t’i shërbeni këtij populli dhe jo të kundërviheni arbitrarisht. (Anuloni antiligjet tuaj që kanë sjellë jo pak konflikte për pronësi si ai Nr.7501). Mos merrni vendime për bashkimin e Orikumit me Vlorën. Vetëm Dukati ka një territor prej 260 km2 dhe një hapësirë detare rreth 1200 km2 që laget vetëm në territorin e Dukatit nga deti Adriatik dhe Jon. Po ti shtosh edhe ishullin e Sazanit si pjesë e pandarë e Dukatit me 5.5 km2 sipërfaqe tokësore e rreth mbi 30 km2 sipërfaqe detare. E gjithë kjo parajsë detare në gadishull e në ishull ngelet mbi 90% e pashfrytëzuar.

1. Bashkia e Orikumit jo vetëm që nuk duhet t’i aneksohet Vlorës, por shteti ta shikojë me përparësi dhe ta zhvillojë këtë zonë fantastike me investime serioze për zhvillimet turistike që do ndryshojë rrënjësisht jetën e banorëve që deri më sot, të vuajtur e të izoluar, pa punë, pa ujë, pa drita, pa rrugë.

2. Për këtë të hapen jo më pak se 2 tunele, ku të çahet gadishulli i Karaburunit dhe të fillohet hapja e rrugëve, asfaltimi i tyre në të dy anët e malit. Të ndërtohen pika turistike nga pronarët autoktonë.

3. Të hiqet ligji 7501, ku nuk ka gjetur zbatim mbi 65% të territorit. Të kthehet prona, pronarëve të ligjshëm dhe të fillohet urbanizimi turistik i gjithë kësaj zone.

4. Ushtria në bazën e Pashalimanit dhe në ishullin e Sazanit është shkatërruar plotësisht. Nëndetëset, katrasilurus, gjuajtës, dragamina, etj., nuk ekzistojnë më, i shkatërroi shteti. Së bashku me flotën ajrore, artilerinë e fuqishme bregdetare e kundërajrore, repartet e tankeve etj..

Përse kjo zonë qëndron e izoluar dhe e bllokuar, si zonë ushtarake, përse duhet të ekzistojë akoma postblloku, në Pashaliman ai duhet të eliminohet menjëherë dhe të hapet territori për popullatën e për turistët për të vizituar zonën e rrallë arkeologjike të lashtësisë. “Muhaxhirët turq” në Pashaliman dhe ata italianë në Sazan është mirë që të veprojnë në territor të kufizuar, në kazermë, e të mos jenë pengesë për lëvizjen e lirë të banorëve, pronarë autoktonë dhe turistëve nga vendi, trojet shqiptare dhe nga vendet e ndryshme të botës. Misioni i këtyre “muhaxhirëve” është i dyshimtë, interesat e qëndrimit të tyre, vetëm interesa për kombin nuk janë. Është në të mirë të tyre të largohen sa më parë nga këto vende strategjike turistike. Shteti urgjentisht duhet t’i zgjidhë këto probleme jetike. Ne kemi pasur në dekada siguri dhe mbrojtje si në tokë, det dhe ajër, si nuk jemi sot në gjendje t’i garantojmë popullit këtë? Siguri, por mbështetemi tek turqit dhe italianët. Ne jemi vend anëtar i NATO-s por s’kemi si shqiptarë asnjë bazë as në Itali e as në Turqi, ata pse duhet të kenë në Shqipëri? Shtet, o shtet, ndërto ligje në interes të Kombit, në interes të popullit në zhvillimin e rritjen e mirëqenies së tyre. Ashtu si vendi i Dukatit i bukur e klimaterik të bëhet dhe jeta e banorëve e bukur dhe e lumtur me vepra e jo me fjalë si deri më sot, në të kundërt kjo popullatë di ta dallojë mikun nga armiku, fjalën e besës me gënjeshtrën. Punën nga mashtrimi dhe si pas kokës do t’ju vendosë festen.