Sabiha Kasimati, intelektualja që u pushkatua bashkë me 22 burra

1364
Petro Luarasi

– Vijon nga dje – 

Akuza pa prova! 
Për sqarimin e kësaj akuze studiuesit duhet që të interesohen dhe të thellohen mbi punën reale të shkencëtares Sabiha Kasimati në muze, për kontributin në ekspeditat përkatëse, për kartotekën dhe ato, së bashku me dy studimet që tashmë njihen, të krahasohen mbi kritere shkencore me librin “Peshqit e Shqipërisë”, 1958 . Specialistët mund të gjykojnë pjesërisht edhe në bazë të artikullit dhe disertacionit të saj me referencat përkatëse që janë publikuar. Nga ana ime, me respektit që kam për studiuesit e përkushtuar të iktiofaunës shqiptare, shpreh keqardhjen që askush prej tyre, apo të tjerë, në botimet pas vitit 1990, nuk i janë referuar kontributit të Sabiha Kasimatit, edhe pse dihej mirëfilli. Ndoshta ka ndikuar qejfmbetja prej akuzave “për përvetësim intelektual” që nuk ua ka qëndisur martirja, por klane të caktuara. Në këtë “duel” mes të respektuarve kontribues të iktiofaunës shqiptare mbështes aksiomën e Aristotelit: “Amicus Plato, sed magis amica veritas” (“Platonin e kam mik, por më tepër kam mik të vërtetën”, në këtë rast: “I respektoj palët, por më tepër dua të vërtetën”.) Martirja Sabiha Kasimati ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e atyre që e kanë njohur. Këtë shkrim ua kushtoj edhe gjithë atyre shokëve, miqve, bashkënxënës, kolegë e studiues që e kanë ruajtur në mendje e zemër kujtimin e saj edhe si intelektuale shembullore, me pikëpamje socialdemokrate. (Ndonëse qe me prejardhje nga familje e pasur) ajo mendonte për mirëqenien e gjerë të popullit shqiptar, zhvillimin e gjithanshëm të vendit). E kam përjetuar të gjallë nga vlerësimet e tim ati, Skënder Luarasi që e ka njohur, së pari në Korçë, më pas kur punonin në shkollat e Kryqit të kuq amerikan dhe pas çlirimit. Edhe bashkëshortja e tij Olga Nikolla (motra e Migjenit) e ka pasur shoqe në universitetin e Torinos.

“Përse më vrisni?!”
Në hulumtimet e studiuesve për të vërtetën e arrestimit dhe vrasjes makabre të Sabiha Kasimatit paraqet rëndësi thelbësore t’i jepet përgjigje shkencore pyetjes së saj: “Përse më vrisni?!”. Në rast se provohet që është vrarë thjesht për të përmbushur një tekë diktatori, kjo do të ishte akuza dhe dënimi më i rëndë që i bëhet atij dhe pushtetit abuzues. 

Historia na dëshmon mjaft raste maniakësh qejflinj, të cilët i kanë epshet dhe hakmarrjen pa kufi, kur nuk e realizojnë qëllimin, të marrin nderin me shpifje dhe jetën me krim. E ndjera Kasimati i gëzohej bukurisë dhe inteligjencies së saj, por thuhet se fati i keq e takoi me një bashkënxënës në lice që u bë diktator i vendit dhe pushtetin e tij absolut mund ta ushtronte kudo dhe për gjithçka. Me një urdhër dridhte dynjanë dhe taborët e tij të jeniçerëve burgosnin e internonin, torturonin e pushkatonin.

Viktor Kasimati, nipi i Sabihasë, dëshmon se diktatori “shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Bie fjala, emri i Reiz Selfos nuk ishte në asnjë nga listat. Dikur Reiz Selfo kishte pasur kurajën t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë….ai u hakmor ndaj tij, ashtu siç u hakmor ndaj Sabiha Kasimatit.” 

Martirizimi i Sabiha Kasimatit është i kobshëm
Tashmë është provuar pa mëdyshje që ata u arrestuan dhe u torturuan me qëllim, si të pafajshëm, për një shpërthim që e patën kryer të tjerë. Studiuesi Uran Butka e ka provuar me dokumente arkivore se kush e organizoi dhe kush u dënua me akuzën e hedhjes së eksplozivit në Legatën Sovjetike. Atë e hodhën dy anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar” Hysen Llulla dhe Qazim Laçi. Pjesëtarët e kësaj organizate u arrestuan dhe u mbajtën në izolim të fshehtë për 8 muaj, Gjykata e Lartë Ushtarake më 9.10.1951, me dyer të mbyllura i dënoi me vdekje.” 10. Ndërsa grupin me Sabiha Kasimatin, pasi i pushkatuan disa ditë pas arrestimit, pa prova e gjyq, ua sajuan deponimet në hetuesi dhe në seancat e gjyqit imagjinar. Ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, Mustafa Qilimi ka deklaruar: “Sa kohë isha unë në Gjykatën e Lartë nuk ka pasur dosje hetimore gjyqësore për ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, për të cilën ekziston vendimi i pushkatimit të 22 personave”. Të gjitha janë shkelje të ligjit, që dëshmojnë se gjyqi nuk është zhvilluar fare. Procesverbalet janë plotësuar nga Gjykata e Lartë dhe Ministria e Brendshme, pas ekzekutimit të personave të arrestuar. Prova se procesverbali është falsifikuar është rasti i Jonuz Kacelit: vritet gjatë torturave, hidhet nga dritarja si i vetëvrarë, por që merret si i pandehur në gjyq, pyetet nga kryetari, u përgjigjet akuzave dhe dënohet me vdekje, kjo provon se procesverbali është shkruar më vonë, gjyqi nuk është zhvilluar…! Porosia për gjyqtarët e diktaturës: “Duhet të mbyllet goja e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror!” Në vitin 1991, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë pas kërkesës pranë Plenumit të Gjykatës së Lartë për prishjen e vendimit penal Nr.64 datë 27.02.1951 si të kundërligjshëm dhe të pambështetur në asnjë provë, u vendos prishja e këtij vendimi dhe pushoi çështjen penale në ngarkim të 22 të pushkatuarve.

“Ç’të kam bërë, o perëndi?”
Furtunën e natës së 26 shkurtit të vitit 1951 e shqeu një klithmë therëse femre: “Ç’të kam bërë, o perëndi?” së cilës nuk po ia grabisnin jetën plumbat por kondakët e bajonetat e ushtarëve të përçudnuar. Fshatarët e Mënikut pëshpëritën se pranë Urës së Beshirit. qoftëlargu kishte kallur njerëz dhe koha dëshmoi se ata qenë 22 viktima të pafajshme, mes tyre edhe shkencëtarja Sabiha Kasimati, së cilës natyra i dhuroi begatinë, bukurinë e mençurinë, por dhe fatin e keq të përballjes me urrejtjen e diktatorit dhe katilëve të tij. Tashmë ka ardhur koha, që në atë vend krimi të ngrihet një përmendore, e cila të përjetësojë të vërtetën, që krime të tilla të mos përsëriten më kurrë!

Kontribut për vlerësimin e Sabiha Kasimatit
Titullarët e UT, FSHN, të Departamentit të Biologjisë dhe Muzeut të Shkencave të Natyrës, kanë mobilizuar punonjësit e tyre përkatës që t’i përkushtohen njohjes dhe vlerësimit të martires Sabiha Kasimati. Në një mbledhje kolektivi i departamentit të Biologjisë u shpreh: “Znj. Kasimati është viktime politike e sistemit të kaluar. Kësaj zonje, nuk i është dhënë mundësia nga politika e sistemit të lërë gjurmë shkencore dhe të personifikohet si personalitet shkencor pranë Institutit të Shkencave, ku ajo ka punuar deri në 1951!
Sigal