Sa duhet të presin banorët e fshatit Blace për t’u pajisur me certifikata pronësie

627
Sigal

Lavdërim Miminllari

Është për të ardhur keq kur një fshat me një popullsi prej afro 1400 banorësh ka me vite që kërkon certifikatat e pronësisë, të marrë me ligjin 7501. Fshati nuk ka certifikata as për shtëpitë e trashëguara, ato të babait apo të gjyshit para viteve 1990, për arsye se në trazirat e 1997-s u dogjën dhe ne jemi pa certifikata pronësie. Këtë e vuan ky komunitet që nuk mund të marrë as kredi, nuk mund të bëjë, as biznes, as nuk mund të shesë e të blejë gjë.

Ku nuk kemi dërguar letra e ankesa! Por kjo gjë po bën 20 vjet që ka rënë në vesh të shurdhër. I jemi drejtuar zyrës së hipotekave Tiranë. Edhe Avokatit të popullit, i cili ka ndërhyrë, po zgjidhje nuk kemi marrë dhe sot e kësaj dite. I jemi drejtuar dhe ish-presidentit e, akoma asnjë zgjidhje. Shpesh përdoret shprehja: Ne do ju ndihmojmë. Por ende asnjë ndihmë në këtë drejtim. Më lind pyetja: Ku janë deputetët që iu kanë marrë votat? Vallë nuk e dinë këtë shqetësim?! Them se po. Një ligj i ri, i dalë para disa ditëve, nuk është për ne. Por ne duhet të na bëhet digjitalizimi, i cili ka një kosto 50-100 milionë lekë të vjetra ku, nga përgjigjet që na janë kthyer, thuhet se hallin t’ua zgjidhë hipoteka e Pogradecit. Unë i kujtoj zonjës ministre që disa herë ka ardhur në Pogradec, se duhet fond parash e këtë gjë e kini në dore ju. Ne jemi qytetarë që shtetit tonë, i paguajmë taksa atij. Ju kujtojmë që ky fshat nuk ka as ujë, po nuk po ua kërkojmë, sepse shpesh herë na është thënë: “Do jua zgjidhim…” Ne presim e presim, qeveritë ndërrohen dhe premtojnë, por sot problemi ynë është po ai, i certifikatave të pronësisë, i cili është ende i pa zgjidhur. Ju kujtojmë se, ne kërkojmë digjitalizimin, kur për fat të mirë kemi dhe regjistrin dhe personin që na ka ndarë tokat P. M., sipas ligjit 7501. Për këtë ne u gëzuam kur Këshilli bashkiak mori vendim, se do na i bënte, por ç’e do, se dhe ajo, bashkia, s’ka fonde. Ju kujtojmë se kjo është një neglizhencë që e vuan komuniteti i banorëve të fshatit Blace. Si e thamë më lart: Shoqata “Mali i Thatë” i është drejtuar Ministres së drejtësisë dhe përgjigjja që na u dha ishte një shkresë ku thuhej, se do t’na e zgjidhte hipoteka e Pogradecit. Vetë Ministrja për fat të mirë ka ardhur vetë disa herë në Pogradec, por problemi vazhdon të mbetet i pa zgjidhur. Ne kërkojmë fonde z. Ministre, gjë për të cilën jeni ju që duhet t’na i jepni e jo hipoteka e Pogradecit. Ju kujtojmë se ky shqetësim është ngritur edhe te prefekti i Korçës, i cili ka thënë, se do t’ju ndihmojmë, por deri tani s’kemi zgjidhje. Këta banorë jetojnë e punojnë me pritjen tejet të zgjatur, se vendimi 7501 që na ka dhënë tokat, do na bëjë e pronarë. Arsyeja tjetër është se pritja na ka sjellë e probleme, për arsye se një pjesë e të moshuarve janë larguar nga kjo jetë dhe na duhet të bëjmë dhe gjyqe brenda familjes.

Me shpresën tonë se ky problem do gjejë një zgjidhje nga organet përkatëse dhe banorët e këtij fshati do pajisen me certifikata pronësie.

Kryetari i shoqatës “Mali i Thatë” Pogradec