Ruspat e INUK do lënë pa “çati” 53 mijë familje, 116 mijë prej 22 vitesh në pritje për strehim

648
Sigal

“Tërmeti” i INUK nuk njeh as “tapitë” e shpërndara nga qeveria “Rilindja”, në listën e shkatërrimit afro 40% e 245 mijë objekteve që janë në proces legalizimi

Aksioni për shkatërrimin e ndërtimeve të paligjshme, ka vënë përpara me “ruspat” e tij edhe shtëpi banimi, të cilat janë të përfshira ligjërisht në procesin e legalizimit që përpara 8 vitesh e deri sot, kur qeveria bëri vendimin dhe shteti dekretoi “ligjin e ri” për njohjen e tyre si “ndërtime të ligjshme”, paçka se janë bërë pa leje ndërtimi, mbi troje, mbi toka buke, mbi trotuare, lulishte, në sheshe në oborre e kangjella shkollash, spitalesh, pallatesh, mbi tarraca, në mes a anës pallateve e kudo ku njerëzve u ka thënë “mendja” për të ngritur shtëpi, lokale, servise, kafene, furra bukë, karburante e madje lavazhe dhe gropa gëlqereje, duke i zaptuar forcërisht.

 Absurdi/ Banesat “viktima”, në listat e legalizimit dhe në listat e… shkatërrimit!

 Edhe pse ndërtuesit ilegalë, kanë në “xhep” dokumentet legale të pagesës së legalizimeve, këto copëra letrash “defterë” siç kanë nisur të quhen, të shpërndara prej qeverive demagogjikisht si “tapi-vota” në fushatat elektorale dhe si “mbajtje premtimi” pas marrjes së pushtetit prej partive e qeverie, nuk e kanë frenuar ofensivën shkatërrimtare të INUK. Ky institucion “ruspë”, që edhe pse e ka emrin “Inspektorat Ndërtimor”, po kryen veprimtari shkatërrimtare duke “zënë radhë” prishjen e objekteve që ka futur “në rreth të kuq”. Në darkë bëhen lista, në mëngjes vërsulen ruspat mbi banesa. “Tërmeti” i INUK nuk njeh as “tapitë” e shpërndara nga qeverisja “Rilindja”, duke futur në lista edhe banesat me “tapi qeverie”. Deri tani janë shkatërruar afro 1700 ndërtime në Tiranë, nga të cilat 1100 kanë qenë objekte banimi. Nuk themi, të mos prishen objekte e banesa që pengojnë planet e zhvillimit urban të zonave jo vetëm në Tiranë, por edhe në fshatin më skajor të vendit. Por të mendohet edhe për plane strehimi me kreditime të shpejta përpara shembjes së banesave, të atyre që hidhen në rrugë, që mbeten të pastrehë, mbasi u është premtuar për legalizim banese dhe janë konsideruar “familje të strehuara”. Për më tepër, jemi përballë një demagogjie pas elektorale, lidhur me legalizimet dhe përballë një qëndrimi absurd, që po mbahet ndaj kësaj kategorie shoqërore. Sipas burimeve nga ALUIZNI, nga ky “tërmet” i INUK, do të rrafshohen dhe shkulen nga themelet afro 29 mijë objekte shtëpi banimi, në të cilat jetojnë afro 53 mijë familje. Këto banesa janë përfshirë në listat e shkatërrimit, ndërkohë që janë edhe në listat e legalizimit. Me këtë aksion, po ndodh absurdi që afro 8000 mijë banesa që u është bërë gati “ruspa” për t’i rrafshuar brenda “vijës së verdhë” të Tiranës, pas marrjes së njoftimit nga INUK, vazhdon e u del emri edhe në njoftimet zyrtare të ALUIZNI-t për të vazhduar procedurat e legalizimit. Madje edhe më skandaloz është fakti, që afro 1600 familje të këtyre banesave kanë 3 ditë radhazi që njoftohen zyrtarisht të paraqiten të marrin tapitë, 280 prej të cilave janë rrafshuar qysh 1 muaj më parë!

 Lajm nga Lamja i ALUIZNI-it/ 40% e objekteve në legalizim do të prishen

 Pas 9 vitesh premtime e teatër me vendime legalizimesh, mbushje formularësh, bërje hartash, vetëdeklarimesh, pagesash e ndarje tapish nëpër salla mbledhjesh e qendra lagjesh informale, duket se lojës së legalizimeve po i del “kallaji”. Këtë sinjal faktik e ka dhënë dhe po e jep përditë aksioni masiv e i pandalshëm i INUK në Tiranë, në bregdet, në fusha, kodra e male. Ata që kanë bërë letrat e legalizimeve, madje edhe ata që mbajnë “poshtë jastëkut” tapitë e dhëna nga ALUIZNI, jo të gjithë do të kenë fatin të arrijnë të marrin pronësinë mbi objektet dhe banesat që kanë ndërtuar pa leje. Sipas një lajmi nga brenda zyrave të ALUIZNI-t, në listat e rrafshimit janë përfshirë 40% e objekteve të ndërtuara pa leje të cilat janë në dosjet zyrtare të legalizimit, 30% e të cilave janë shtëpi banimi. Edhe pse u janë publikuar e vazhdojnë t’u publikohen emrat nga 10 herë për çdo person e po vazhdojnë të bëhen pagesa nga 20 herë sipas udhëzimeve e ofertave (me ulje çmimi deklaruar prej qeverisë, këto banesa ekzistojnë edhe në listat e INUK për t’u shembur. Në dosjet e ALUIZNI-t, janë regjistruar për legalizim 245 mijë familje e biznese në mbarë vendin. Nga këto ndërtime janë planifikuar të shkatërrohen afro 100 mijë objekte. Mos qoftë siç parashikojmë e konstatojmë nga zhvillimet që po ndodhin, për vetë specifikën konfliktuale deri me “lumë” gjyqesh në Strazburg lidhur me pronësinë e trojeve e tokave mbi të cilat janë ndërtuar këto objekte, duket se procesi i legalizimit do rezultojë të përfundojë shumë shpejt, si një “tullumbace” fushatash elektorale! Pse e themi këtë? Kanë kaluar 9 vite nga ai premtim dhe (mos)legalizimi vazhdon të sillet vërdallë si gjithë premtim-mashtrimet e tjera. Po zvarritet e justifikohet me lloj-lloj procedurash, formularësh, ligjesh, dhënie tapish, pagesash të reja, mos njohje pagesash të vjetra, amendimesh, akuza ish-drejtuesish, nxjerrje vendimesh të reja qeverie, anulime vendimesh të vjetra, rishikime ligjesh, verifikime dosjesh, matje sipërfaqesh e numërim katesh të objekteve, lojërash politike parlamentare, shkarkimesh e emërime drejtorësh, të cilat kanë vetëm një tregues: mos legalizimin! Po përmendim statistikën reale: Numri i objekteve të legalizuara gjithsej në vitet 2008-2014 është 25 mijë e 552 objekte afro 10% e numrit total të ndërtimeve që janë në proces legalizimi.

Legalizim me certifikatë pronësie, vetëm për 796 objektet e shtetarëve

 Ndërsa mbi objektet në proces legalizimi të qytetarëve ka nisur të vihet ruspa e shkatërrimit, gjithsej janë 245 mijë familje, 21 mijë e 700 ndërtues apartamentesh shtesa pa leje, 36 mijë ndërtues apartamentesh në pallate pa leje dhe për 104 mijë ndërtues e posedues objektesh biznesi, të cilëve nuk u është firmosur asnjë certifikatë faktike pronësie banese ose objekti në hipotekë. Afro 25 mijë ndërtuesve ilegalë “popull”, u janë dhënë ca copëra letrash me ngjyra si “Fletë-Pune” kalamajsh kopshti, të shkruara “TAPI”, të cilat nuk janë të regjistruara në hipotekë e nuk njihen as në shitje-blerje  dhe as për kolateral kreditimi në banka. Legalizim real me certifikatë të rregullt pronësie në hipotekë, në këto 9 vite janë bërë vetëm për ndërtimet pa leje që kanë bërë shtetarët, si vila, restorante, hotele, motele, qendra biznesi e deri “vila” për qentë, macet e kuajt e garave! Sipas një burimi informacioni nga brenda hipotekës qendrore, mësohet se në regjistrat e pasurive të paluajtshme, prej listës së objekteve që janë në proces legalizimi, janë hipotekuar vetëm 786 vila, pallate, rezidenca turistike, biznese, hotele e objekte të ndërtuara prej shtetarëve. Këto objekte shtetarësh e ish-shtetarësh të lartë të vendit dhe familjarë e “oborrtarë” të tyre, gjenden në zonat kadastrale Tiranë, Durrës, Korçë, Pogradec, Golem, Lalëz, Spille (Kavajë), Divjakë, Shëngjin, Jalë, Velipojë, Shkodër, Vlorë, Himarë, Dhërmi, Piqeras, Ksamil, Sarandë etj.. Ata e kanë bërë legalizimin dhe hipotekimin e objekteve të tyre të ndërtuara pa leje e janë pajisur me certifikata pronësie, duke shfrytëzuar Ligjin Nr. 9482, datë 03. 04. 2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të cilin e zbatuan vetëm për të legalizuar e certifikuar… sarajet e tyre!

 FAKTI/ Edhe 116 mijë familje, prej 22 vitesh të pastreha 

Përveç 53 mijë familjeve që dalin të pastreha prej shkatërrimit të banesave nga “ruspa” e INUK, janë edhe 116 mijë familje të tjera të pastreha në shkallë vendi, të cilat prej 22 vjetësh po sillen vërdallë me premtime e mashtrime për gjoja strehimin me banesa sociale. Në total në Shqipëri, zyrtarisht numri i familjeve të pastreha shkon në afro 170 mijë. Si të pastrehët e 22 viteve dhe të pastrehët që po krijon “ruspa” e INUK pas shkatërrimit të banesave në (mos)legalizim, trajtohen në bazë të kushteve të përcaktuara në Ligjin Nr. 8030, datë 15.11.1995 “Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha” dhe sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 25, datë 16. 10. 1996 “Për procedurat dhe prioritetet që përcaktojnë si prioritare për trajtime, kategorinë e qytetarëve të pastrehë, banues në banesat ish-pronë private dhe të atyre, që kanë akt-marrëveshje të pazbatuar me qeverinë”. Edhe pse qeveria, në një raport zyrtar dërguar “Avokatit të Popullit” sqaron se në total janë 34 mijë e 220 familje të pastreha, në realitet në Shqipëri figurojnë 116 mijë familje të pastreha, të evidentuara prej njësive të qeverisjes vendore. Këtu nuk llogariten 26 mijë e 700 familjet e reja, të krijuara në vitet 2003-2014 e që kanë paraqitur kërkesë për strehim.

Përparim HALILI