Rusia në prag të zgjedhjeve presidenciale

586
Rusët shkojnë në kutitë e votimit të dielën, për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm dhe është pothuajse plotësisht e sigurt që Vladimir Putini do të fitojë një mandat të ri gjashtëvjeçar. Putin vazhdon të ketë popullaritet mes rusëve, të cilëve u pëlqen stili i tij prej udhëheqësi me dorë të fortë. Tetë kandidatë janë në garë, por ka akuza të shumta se opozitës së vërtetë politike, i është mbyllur goja mes pretendimeve për parregullsi në votim. Zgjedhjet mbahen në një kohë tensionesh të larta me perëndimin, pas akuzave britanike sipas së cilave Kremlini ishte pas helmimit të një ish-agjenti të dyfishtë në Britani. Një nga tubimet e fundit të fushatës u mbajt këtë javë në Sevastopol të Krimesë, rajoni që Rusia e aneksoi me forcë nga Ukraina në vitin 2014, një veprim që u denoncua në shkallë globale. Vladimir Putin i tha turmës, se ata kishin zgjedhur Rusinë. Kuptimi i vërtetë i demokracisë do të vihet në provë në zgjedhjet presidenciale të së dielës. Mes përkrahësve të tij, presidenti Putin frymëzon një besnikëri të patundur. “Vladimir Putin është presidenti ynë. Ai është presidenti ynë. I urojmë fitore në zgjedhje!”, thotë Marianna Shanina. Kundërshtarët thonë se zgjedhjet janë një parodi e demokracisë, pasi opozitës së vërtetë i është mbyllur goja. Kundërshtarit më të njohur të Putinit, Alexei Navalny, i është ndaluar të marrë pjesë, për shkak të një dënimi penal, që ai thotë se ishte i fabrikuar. Ai ka bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve. Disa banorë të Moskës ishin të gatshëm t’i përgjigjeshin kësaj thirrjeje. “Ka një iluzion të një procesi elektoral, por sa u takon zgjedhjeve të vërteta me kushte të barabarta për të gjithë, kjo nuk ekziston”, thotë Renat Rashitovich Kildeyev. Anketat, rezultatet e të cilave nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, lënë të kuptohet se Vladimir Putin do të marrë dy të tretat e votave. Rivali i tij më i afërt, Pavel Grudinin, ka nën 10 për qind mbështetje. Ai është nga nga shtatë kandidatët që po sfidojnë Putinin. Valët televizive janë të pushtuara nga Vladimir Putini, që pritet të fitojë për një mandat të katërt dhe ndoshta të fundit, si President. Nga Ukraina dhe Siria, tek lufta kibernetike, Putin ka ndryshuar rregullat gjeopolitike. Dhe pritet të shihet, nëse ai do të vazhdojë të luajë me zjarrin apo do ta tërheqë Rusinë nga ajo që shumë e përshkruajnë si një Luftë e re e ftohtë.
Sigal