Rrugët periferike të Durrësit, jashtë vëmendjes së pushtetit vendor

547
Sigal

Banorët: Rrugët tona shtohen vetëm me ‘zhavorr elektoral’, pasi çdo punim ndërpritet pas zgjedhjeve

Komuna e Ishmit ka një shtrirje gjatësore të madhe. E gjithë zona kodrinore përshkohet nga rrugë të ndryshme, të cilat edhe për shkak të disniveleve në konturim kanë edhe nivele të ndryshme cilësie. Banorët, të cilët sipas statistikave në të gjithë komunën janë afërsisht 10 000, janë të shpërndarë në fshatra që lidhen me rrugë shumica prej të cilave janë me cilësi që lënë për të dëshiruar. Por edhe rruga kryesore që lidh qendrën e komunës me Kepin e Rodonit, ka disnivele të mëdha. Sipas banorëve, një pjesë është e shtruar mirë ndërsa një pjesë disa km ka përsipër vetëm të ashtuquajturin “zhavorr elektoral”. Rruga nga Fshati Lalëz deri në Draç ka mbetur vetëm me një shtresë zhavorri dhe tashmë ajo ka filluar që të degradojë.

Shoferët

Këtë e ndjejnë më shumë shoferët e zonës, por dhe ata që kalojnë për herë të parë në këtë zonë mbeten të zhgënjyer pasi ndërrojnë drejtim nga aksi kryesor që është i shtruar. Disa banore thanë se që kur janë bërë zgjedhjet lokale, ndërtimi i rrugëve është ndërprerë dhe meremetimi lë shumë për të dëshiruar. Duke lënë të kuptohet se investimet janë pakësuar nga ndërrimi i staturës politike të komunës, pasi është fituar nga të majtët. Një nga këta shoferë  është edhe i riu Alfred Çani, banor i fshatit Bizë, fshat fqinjë me vendndodhje mes Lalëzit dhe Draçit, i cili thotë se kjo rrugë është bërë tashmë “beter” siç shprehet . Ai udhëton çdo ditë me mjetin e vet dhe thotë se nga Lalëzi deri në kodër Draç janë rreth 7 km rrugë me zhavorr që është duke degraduar dhe mjaft problematike për makinat, pasi krijon defekte teknike. Ai thotë se është bërë rruga nga Durrësi në qendër të Komunës në Ishëm dhe një rrugë tjetër që të çon nga Shën Pjetri drejt Kepit të Rodonit dhe mes tyre ka mbetur jashtë vëmendjes rruga Lalëz-Draç. Kjo rrugë u shërben të paktën 3000 banoreve thotë ai, ndërsa në kohën e verës mbledh edhe banoret e zonave për rreth si Fushë-Krujë, Kruja, Thumana etj., që vinë si për pelegrinazh në Kishën e Shëna Ndoit në Kepin e Rodonit ashtu për pushues që duan të kalojnë ditën në plazhin e zonës së Kepit dhe të fshatit Shetaj. Banorët thonë se, për rrugën deri tani se ka çarë kokën askush. “E quajtën të përfunduar vite më parë kur u hodh zhavorri dhe tashti ajo është veçse duke degraduar”, -thotë Alfredi.- “Kjo zona që po shihni tani nuk është asgjë krahasuar me disa zona të tjera, ku rruga ka degraduar dhe po bëhet si rrugë traktorësh”, përfundon ai.