Rrugët e bllokuara dhe orteqet, turistët braktisin Thethin

606
Sigal

Bora tradicionale e
këtij fillim viti nuk e ka bllokuar ende rrugën e Qafë Thores…të paktën edhe
për disa orë. Por turistët nga frika janë kthyer mbrapsht. Edhe pse me një
fuoristradë dhe me zinxhirë në gomat e saj, frika se mund të bllokoheshin nën
mbretërinë e dëborës i ka detyruar ata që të marrin sërish rrugën për në
Malësinë e Madhe e më pas në Shkodër, andej nga kanë ardhur. Qafë Thorja është
një prej segmenteve që lidh fshatin Theth të njësisë Shalë të Dukagjinit, me
Shkodrën ose më saktë Malësinë e Madhe. Rruga deri në Qafë Thore është e
asfaltuar dhe udhëtohet në mënyrë komode.

Sigurisht kur nuk ka
reshje bore. Ama llogaritë janë bërë gabim sepse gjysmën e vitit orteqet me
borë bllokojnë rrugën. Jo vetëm se banorët nuk mund të kalojnë andej por një
humbje e madhe janë edhe qindra turistë që në sezone të ndryshme si shkak i
bllokimit të rrugës nga bora detyrohen të kthehen mbrapsht. Kështu ndodhi edhe
kësaj here. Ata që kanë zgjedhur të mos e braktisin Thethin as në dimër thonë
se nuk ka asnjë mjet për të pastruar borën. Në rrugë nuk është hedhur kripë dhe
se do të mjaftojnë pak orë për t’u bllokuar totalisht.

E tashmë historia
përsëritet aq sa dikujt nuk i bën më përshtypje. Turistë që kthehen mbrapsht
sepse s’kanë ku kalojnë, banorët që kthehen në aventurierë duke sfiduar orteqet
që mund t’i zënë në çdo moment e të tjerë që dimërojnë nën jorganë se s’kanë
asnjë mundësi tjetër.