Rruga Ersekë-Leskovik me vlera të rralla, asnjë qeveri nuk ia diti kimetin

1971
Sigal

Dhe thonë pastaj: Kolonjë e Leskovik nuk kanë të ardhme!

Nga Vepror Hasani

 

Rruga prej 42 kilometrash që lidh Ersekën me Leskovikun po përjeton vitet më të vështira të saj. Degradimi është total. Nga ç’kohë nis kjo harresë e madhe, nuk mbahet mend. Ndoshta po bëhet një shekull. Kohë pas kohe ka pasur vetëm ndërhyrje të vogla, “sa për t’i larë sytë”. Asnjë investim serioz nuk është kryer deri më sot. Kjo ka përhapur thashethemnajën: “Kolonja dhe Leskoviku nuk kanë të ardhme!” Tashmë rruga ka mbetur me një asfalt që të merr llahtaria; gjithë gjatësia e rrugës është e mbushur me gropa, diku-diku është ngushtuar së tepërmi, zgjerime nuk i janë bërë kurrë. Të jesh i moshuar është hall i madh, sepse gjatë gjithë kohës do të jesh në troshitje të pafundme; të jesh i sëmurë nuk është çudi të mos mbërrish kurrë deri në destinacion; të jesh fëmijë ka mundësi që rruga të të fanepset deri në ditët e pleqërisë; e njëjta gjë mund të thuhet edhe për gratë e reja dhe të moshuara. Për gjithkënd, rruga Ersekë-Leskovik është fryt “i përkujdesjes së madhe” të qeverive shqiptare. Por ne do t’ju tregojmë se kjo rrugë ka vlera të rralla, të paçmuara, e cila mund ta shndërrojë Kolonjën dhe Leskovikun në parajsë. Ndoshta qeveritarët nuk ia njohin thesaret.

Për këtë rrugë nuk ka pasur asnjëherë fonde

Që nga vitet ‘90 e deri më sot për këtë rrugë nuk ka pasur asnjëherë fonde të mjaftueshme. E shohin si një rrugë me pak qarkullim, pa efektivitet. Por si mund të jetë maksimalisht e frekuentuar kur rruga ka mbetur si para një shekulli?! Për shkak të rrugës bizneset përgjatë saj nuk janë të shumta; për shkak të rrugës, turistët kthejnë makinën nga kanë ardhur për të mos parë vdekjen me sy; për shkak të rrugës Kolonja dhe Leskoviku janë këto që janë sot; të mjeruara. Dhe megjithatë, edhe pse rruga është në këtë gjendje, sërish vijnë të huaj për t’i vizituar këto treva. Bashkia e Kolonjës nuk ka as mundësinë dhe as autoritetin të ndërhyjë në këtë rrugë; ajo është një Bashki e vogël me të ardhura të pakta. Rruga i përket Autoritetit Rrugor Shqiptar, por edhe nga kjo e fundit nuk është bërë asgjë. Flitet se do të ketë ndërhyrje, por asgjë nuk është e sigurt. Askush nuk e merr mundimin sepse mendojnë që në atë udhë shkojnë a nuk shkojnë veçse disa autobusë me udhëtarë. Burime pranë Bashkisë Kolonjë na thonë: Shpresojmë të ndërhyhet së shpejti! Le të presim.

Ju rrëfejmë vlerat e rrugës Leskovik-Ersekë

Duhet thënë se rruga Leskovik-Ersekë, është nga më të bukurat, përshkon bukuri të shumta natyrore, me të papritura nga njëri çast në tjetrin, por edhe shumë histori. Nëse je në Leskovik, mund t’i hidhni një sy vendbanimit të quajtur “Guri i prerë” që ndodhet përfund malit të Melesinit, vetëm 1 kilometër larg nga qyteti i Leskovikut; por, nëse je duke përshkuar rrugën Leskovik – Ersekë ju mund të qëndroni një çast në vendbanimin e Kamnikut, i cili gjendet në shpatet e një kodre në hyrje të këtij fshati; mund të ndaleni një copë herë te vendbanimi i Ambullit në lagjen “Evrenezas”, të fshatit Taçi Lart; mund të vizitoni vendbanimin “Shtëpitë e vjetra” në juglindje të fshatit Borovë etj.; të gjitha i gjen përgjatë kësaj rruge. Por nëse nuk je adhurues i vendbanimeve të hershme, mund të shohësh disa kala njëra pas tjetrës. Përgjatë rrugës Leskovik-Ersekë i gjen edhe këto.

Së pari mund të shkosh në kalanë e Kamnikut, gjendet në lindje të këtij fshati, në një kodër të bukur shkëmbore, e banuar në kohën e neolitit të vonë; më tutje do të gjesh kalanë e Barmashit, në veri të tij, banorët e quajnë “Gradishta”, brenda mureve rrethuese duken gjurmët e banesave; është qendër banimi më e madhja e gjetur në Kolonjë. Në vijim të kësaj rruge ke kalanë e Borovës, e njohur ndryshe si “Çuka e Borovës”, ndodhet në hyrje të grykave të Barmashit. Tashmë mund të bëjmë vetëm një pyetje: A mund të lihet pa rrugë një vend i tillë me vlera kaq të çmuara?!