Rruga e re Tiranë-Elbasan “ha” 110 milionë lekë “mirëmbajtje” në vit

137
Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, pjesët e aksit të ri rrugor Tiranë-Elbasan që kanë përfunduar, janë lënë krejtësisht jashtë kujdesit, pa asnjë mirëmbajtje minimale. Ndërkohë që në “letrat” e firmosura dhe të vulosura Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, “tenderxhiu” nën hetim për korrupsion Dashamir Xhika, rezulton se për këtë aks rrugor, në 30 muajt e fundit janë financuar 150 milionë lekë fonde për gjoja “ndërhyrje emergjente”!
Rruga Tiranë-Elbasan, përveç faktit që nuk ka përfunduar plotësisht ende edhe afro 30 vite pas ndërprerjes së punimeve prej ndërrimit të pushteteve, po krijon shqetësime edhe në ato pjesë aksi, që quhet “e ndërtuar”. Në çdo moment kur ka reshje shiu, përveç aksit të “vjetër” rrugor Tiranë-Elbasan, po rrëshqasin edhe faqet anësore të aksit të ndërtuar 100% nga fillimi, duke krijuar bllokime qarkullimi dhe rrezik për goditjen e automjeteve prej gurëve e masiveve të dherave, që rrëshqasin nga faqet anësore të rrugës në disa pjesë të saj. Këto faqe anësore, të projektuara e të ndërtuara si masë mbrojtëse e garantuese për siguri të plotë, figurojnë të ndërtuara me kosto e standarde të larta, por faktikisht nuk janë funksionale, nuk ndalin dot asnjë “lopatë” baltë e asnjë copë gurë. E nëse në letra figurojnë të përfunduara si punime mbrojtëse, prej mëse dy vitesh këto faqe anësore “kodrinash” të rrugëve janë kthyer në një frikë e ankth të përhershëm për drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë me njerëz e mallra. Rrëshqitjet ndodhin jo vetëm kur ka reshje të shumta shiu, por edhe në rastet kur bie vetëm “1 pikë vesë” e cila “shpërthen faqen anësore të rrugës e cila nuk përballon dot as presionin minimal të rrëshqitjes, ose në pjesët e këtij aksi kur mbrojtja mungon plotësisht. Kështu ndodhi edhe pas “vesës” së djeshme të shiut që ra në këtë aks rrugor. Faqja anësore e kodrës rrëshqiti dhe mbuloi rrugën me masive balte e gurësh! Përse? Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, pjesët e aksit të ri rrugor Tiranë-Elbasan që kanë përfunduar, janë lënë krejtësisht jashtë kujdesit, pa asnjë mirëmbajtje minimale. 

Ndërkohë që në “letrat” e firmosura dhe të vulosura Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, “tenderxhiu” nën hetim për korrupsion Dashamir Xhika, rezulton se për këtë aks rrugor, në 30 muajt e fundit janë financuar 150 milionë lekë fonde për gjoja “ndërhyrje emergjente”! Pyesim: Në cilën pjesë të rrugës së re Tiranë-Elbasan ka pasur emergjenca, cila firmë i ka kryer punimet, kur kanë ndodhur këto “emergjenca” dhe me çfarë vendimi është bërë ky financim i bërë me firmën dhe vulën “Xhika”?! Sipas burimeve tona, në pjesët e ndërtuara e të përfunduara të aksit rrugor Tiranë-Elbasan, rezulton se paguhen brigada mirëmbajtëse të përditshme. Për këto “krahë pune e makineri”, drejtori Dashamir Xhika ka akorduar një fond vjetor prej 90 milionë lekësh në vit, gjatë dy viteve të fundit. Por, mjafton të vrojtosh përditë e gjatë gjithë ditës “pjesën e re” të rrugës Tiranë-Elbasan dhe nuk shikon asnjë punëtor, apo mjet mirëmbajtës rruge, qoftë edhe duke “fjetur” mbi lopatë! Braktisja e kësaj rruge me mos mirëmbajtje prej mëse 2 vitesh është urdhër i dhënë prej drejtorit Xhika, ndërkohë që shteti harxhon miliona lekë në vit për mirëmbajtjen e saj, të akorduara po nga drejtori Xhika, të cilat në “letra” pasqyrohen si “shpenzime mirëmbajtje” për pjesën e ndërtuar të rrugës Tiranë-Elbasan, por që realisht nuk harxhohet asnjë qindarkë për këtë shërbim rruge! Edhe dje, pjesa anësore e rrugës rrëshqiti e vazhdon të qëndroj e bllokuar, mbasi drejtori Xhika ende nuk ka urdhëruar pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e situatës së rrëshqitjeve anësore. 

Kjo situatë është prezent aktualisht. Rrëshqitjeve të rrugës në Ibë si dhe segmentit në dalje të tunelit për Tiranë, iu shtuan dje edhe rrëshqitjet pranë Mamlit! Fakti është ky: Në aksin e ri rrugor Tiranë-Elbasan ka financim të planifikuar dhe pagesa fiktive për “ndërhyrje emergjente” fiktive, por nuk ka mirëmbajtje! E premtuar disa herë, me shtyrje të pakuptimta për t’u përmbyllur në vitin 2014 e 2015, pak ditë më parë u premtua përsëri refreni i njëjtë: Rruga Tiranë-Elbasan do të përfundoj në fund të vitit 2016. Se kur do të përfundoj kjo rrugë gangrenë dhe punime të kryera copa-copa, këtë e di drejtori i rrugëve dashamir Xhika i cili prej mëse 2 vitesh në krye të kësaj drejtorie vazhdon të thirr e shthur pazare aferash me tenderët e pjesës së mbetur të kësaj rruge. Ajo që shqetëson udhëtarët, drejtuesit e automjeteve dhe tregtarët është fakti që ashtu si në pjesën e vjetër të kësaj rruge edhe në pjesën e re të saj, kanë nisur e po vazhdojnë rrëshqitjet masive e të shpeshta të dherave e gurëve, jo prej shiut por prej lënies së saj për mirëmbajtje. E lënë në mëshirë të fatit, rruga po degradon çdo dite e më shumë. Siç po duken “bathët” edhe ky vit do mbyllet pa e përfunduar këtë rrugë, ashtu siç u mbyllën edhe vitet 2013, 2014 e 2015! Që kjo rrugë nuk ka asnjë shenjë se do të përfundoj, kjo tashmë dihet. Por të paktën të mirëmbahet kjo rrugë që është, në ët gjendje që është! Mbasi nga drejtoria e rrugëve që komandon dashamir Xhika, megjithëse harxhohen miliona nuk asnjë përkujdesje! 
————————————— 
Kush e pengon nisjen e punimeve për përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan?
Fondet për përfundimin e punimeve për rrugën Tiranë-Elbasan, janë të plota
Proces-verbal i Mbledhjes së “posaçme” të Komisionit të Ekonomi-Financave, mbajtur në datën 2 dhjetor 2014, ora 10:00, ja fjala e mbylljes, mbajtur nga kryetari Erjon Braçe
“… Për ta mbyllur këtë çështje të parë, dua të sqaroj edhe një herë për shkak të atij keqkuptimi që është amplifikuar dje nga një komision, pastaj në media e me radhë. E para, punimet civile apo fondi i punimeve civile është ulur për shkak të procesit të tenderimit, pra të garës së kryer e të tenderuar në një periudhë komplet tjetër dhe në njërin prej segmenteve, atë të tunelit edhe për shkak të çmimeve të referencës që ishin marrë parasysh nga tuneli i rrugës Rrëshen Kalimash, shumë i shtrenjtë dhe natyrisht me çmime të vëna në dyshim edhe nga organet kompetente kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk cenohen në asnjë moment me asnjë qindarkë punimet civile në rrugën Tiranë-Elbasan. E dyta, vlera e mbetur prej 301 milionësh është e plotë dhe mjaftueshme për të kryer të gjitha punimet civile dhe për të përfunduar, sipas projektit dhe me cilësi, rrugën Tiranë-Elbasan. E treta, vlera e konsulencës prej 450 mijë dollarësh që i shtohet vjen si rezultat i projektit me gabime, të realizuar në një kohë tjetër dhe që ka sjell koston shtesë, pikërisht për shkak të atij projekti të realizuar gabim. Këto janë tri elementet kryesore, pra nga plani financiar prej 400 milionësh për shkak të tenderimit, është zbritur në një plan financiar me 300 milionë dhe pikërisht për këtë arsye rregullohet edhe marrëveshja e huasë që ne kemi përpara. Edhe një herë rruga e ka fondin të mjaftueshëm dhe të pacenueshëm për t’u ndërtuar me cilësi, në kohë për shkak të atyre problematika që u thanë këtu dhe natyrisht, pa cënuar asnjë nga standardet e përcaktuara në projekt, që të jemi të qartë dhe të mos krijojmë panik të kotë”.
————————————————-
Drejtësia të hetoj 72 tenderët e rrugëve në vitet 2014-2015, të firmosur nga drejtori Xhika?
Në sirtarët e drejtësisë shqiptare, gjenden të depozituara ato dosje skandalesh që janë bërë me rrugët në vitet 2014-2015, të cilat i disponon dhe i publikon me fakte edhe Gazeta “Telegraf”, por që për to drejtësia nuk po nis hetimin ligjor, shteti nuk po ndërhyn për të dekriminnalizuar këtë sektor publik nga kupola e zhytur në korrupsion. Nuk mund të paragjykojmë, por kemi të drejtën e plotë të shtrojmë disa pyetje për drejtësinë, sektorin e hetimit të krimeve ekonomike dhe për më tepër për qeverinë shqiptare, nisur prej heshtjes së tyre të plotë, përballë një veprimtarie me përmbajtje të plotë krimin ekonomiko-financiar me sektorin e ndërtimit dhe menaxhimit të rrugëve në Shqipëri, bërë haptazi prej një institucioni shtetëror, të quajtur “Autoriteti Rrugor Shqiptar” (ARRSH). Pyetjet që shtrojmë janë këto: Përse drejtësia shqiptare, nuk po zbardh dosjen e 72 tenderëve të rrugëve të shpallur e prokuruar në vitet 2014-2015? Përse drejtësia nuk po nis hetimin për të marr nën përgjegjësi ligjore, drejtuesin e Autoritetit të Rrugëve Dashamir Xhika dhe personat me të cilët i shërbejnë verbalisht nën presion për të mos humbur vendin e punës dhe të joshur nga shpërblime korruptive, po vazhdojnë aferat korruptive? Kur do të hapen këto dosje të mbushura me krim ekonomik-financiar e teknik me rrugët kombëtare e ato nacionale? Kur do të ndërhyjë kryeministri për të ndalur shfrenimin dhe babëzinë korruptive që po bën prej 24 muajsh, personi i emëruar në krye të Autoritetit të Rrugor Shqiptar?