Rruga e plazhit me vlerë 8.5 milionë euro del jashtë funksioni

523
Sigal

DURRËS/ Prej ditësh, rruga e re është çarë në qendër të saj dhe ka bllokuar lëvizjen e mjeteve

Mjete të rënda kanë çarë përmes asfaltin në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge duke detyruar të gjitha automjetet të kalojnë në krahun tjetër. Shkak për këtë situatë është bërë investimi për të disiplinuar ujërat e zeza nga Përroi i Agait deri në Shkozet në sajë të një financimi që ka dhënë Bashkimi Evropian për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza. Ky investim me rëndësi të veçantë është shtrirë në Golem, Durrës e Lezhë dhe BE ka akorduar një fond prej rreth 9. 8 milion euro. Pikërisht në këtë shumë është përfshirë edhe fondi për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza nga Golemi deri në Shën Vlash, atje ku është ndërtuar impianti i pastrimit të ujërave. Punonjës të firmës thonë se projekti është miratuar dhe ata janë vetëm zbatues duke mos dhënë asnjë shpjegim tjetër. Firma ka nisur të shtrijë këtë sistem kanalizimesh prej 5 vitesh duke ndërhyrë pjesë-pjesë në segmente të ndryshme. Makineri prerëse të asfaltit, ekskavatorë, fadroma, kamionë dhe mjete të tjera janë shtrirë gjatë gjithë segmentit në 4.2 km gjatësi. E gjithë zona ka marrë pamjen e një kantieri dhe askush nuk është në gjendje të shpjegojë, se cila ka qenë arsyeja që ka nxitur investitorin apo firmën zbatuese të hapë kanalin e thellë deri në kuotat e parashikuara duke përshkuar rrugën e Plazhit në mesin e saj.

Fenomeni

është i njohur sidomos në rastet e investimeve të realizuara nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve. Brenda në qytet dhe në periferi shumë projekte kanë çarë rrugët edhe pse në jo pak raste këto rrugë janë rikonstruktuar së fundmi. Por këtë herë situate është krejt tjetër, pasi kanali që po hapet përmes rrugës në Plazh ka përfshirë 3-3.5 m gjerësi dhe rehabilitimi i këtij aksi thuajse do të jetë i pamundshëm. Në të dy anët e rrugës janë depozituar masive me inerte si çakull, zhavor, çimento, dërrasa, skara të ndryshme, tubacione me diametër të ndryshëm dhe makineri të shumëllojshme. Tubat që po shtrihen nga 80 mm deri në 700 mm. Në disa nyje janë ndërtuar puseta shumë të thella e të mëdha që do të shërbejnë edhe si vendkontrolli për funksionimin e tubacioneve në një zonë të caktuar.

Specialistët e firmës i shmangen prononcimit

Specialistë të firmës i janë shmangur deklarimit lidhur me ecurinë e projektit dhe arsyet përse rruga e Plazhit është çarë në mes dhe jo në anë. Punëtorë të firmës thonë se në anë të rrugës dhe jo shumë thellë gjenden tubat e ujit të pijshëm, kurse në anën tjetër të rrugës është shtrirë rrjeti elektrik. Ajo që tani mbetet për tu parë është çështja nëse zbatuesi i projektit do ta rikthejë rrugën në gjendjen e para investimit apo jo. Nëse rruga do të mbulohet vetëm ashtu siç është vepruar në pjesët anësore të saj në mënyrë të pashmangshme segmenti nga Plepat deri tek Ura e Dajlanit do të rrënohet në pak muaj.