Rruga e Leklit në Tepelenë, së shpejti e rikonstruktuar

852
Nga Miltiadh M. MUÇI
Nuk më kishte shkuar në mendje se një ditë, nëpërmjet këtij shkrimi në gazetën “Telegraf”, do t’u jepja bashkëfshatarëve lekëljotë e miqve të mi sihariqin më të bukur: ”Rruga e Leklit në Tepelene shumë shpejtë e rikonstrukturuar”. Kaluan 20 vjet që nisi puna për hapjen e trasesë së segmentit Ura e Leklit – Qendër Lekël e gjatë 3.7 km, por nuk u përfundua edhe pse një vendbanim i lashtë me vlera të mëdha jo vetëm historike, por edhe të trashëgimisë kulturore e turistike. Për dhjetë vite me radhë djemtë lekëlijotë kanë jetuar me shqetësimin, se kur do të vinte dita e shumëpritur, për ta parë të përfunduar rikonstruksionin e saj. Disa herë na e kishin premtuar, ndërsa bëmë edhe promovimin e projektit të përgatitur nga një prej djemve lekëljotë në praninë e përfaqësuesve të pushtetit vendor, por fondi i caktuar për rrugën e Leklit çuditërisht i kalonte një rruge tjetër dhe më pas rruga jonë sikur u harrua përgjithmonë. Në vitin 2015 menduam dhe kontaktuam me njeriun që na kuptoi sa shumë të drejtë kishim, kur për shumë vite të tjerët na kishin gënjyer. Më në fund gjetëm personin e duhur, ky ishte Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ngarkoi një nga specialistët, të njihej dhe plotësonte dokumentacionin e duhur, por jo kudo gjetëm dashamirësi. Përkundrazi, nisur nga interesat meskine, me shumë vonesë e përgatitën dhe dërgojnë preventivin, dokumenti plotësues me ndryshimet e çmimeve të pësuar në dhjetë vitet e fundit. Nuk kaluan shumë muaj, me interesimin edhe të Kryebashkiakut të Tepelenës, gjithçka kishte nisur të shkonte për mirë, rruga e Leklit vlerësohet prioritet i Bashkisë për financim të rrugëve dytësore e lokale, pas planifikimit të programit të Qeverisë Shqiptare me financimin e Bankës Botërore dhe mbështetjen e Drejtorisë së Zhvillimit të Turizmit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë e Sipërmarrjes. Papritur tre ditë më parë, banorëve të Leklit iu shkoi një specialist i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për të kryer veprimet në terren. Tashmë ata dhe të gjithë lekëljotët, kudo që ndodhen janë optimist më shumë se kurrë: “Edhe rruga e Leklit shumë shpejt do të jetë e rikonstruktuar”, këtë lajm e transmetuan në çdo shtëpi, si të kishin nisur punimet. Tani rikonstruksionin e rrugës e ndjejnë më afër se kurrë dhe rastësia bënte të sajën. Pak ditë më parë lekëljotët kanë menduar dhe me kërkesë i janë drejtuar Këshillit Bashkiak, që rrugës t’i jepet emri “Aristidh Kuri”, i një lekëljoti “Dëshmor i Atdheut”, diplomuar inxhinier rrugësh në vitet ’30 të shek. XX, emigruar në SHBA, i cili projektoi e përuroi burimin e fshatit, vepër e trashëgimisë kulturore e ndërtuar nga lekëljotët që tashmë nuk ekziston, sepse pas viteve ’90, politikanët e shkatërruan të merrnin ujin e tij për të siguruar votat nga banorët e qytetit të Tepelenës. Edhe fotografitë që shoqërojnë shkrimin, të cilat janë më pak se çfarë ka mbi dhe nëntokë, tregojnë fare mirë mbi vlerat e Leklit jo vetëm nga ana historike, por dhe të trashëgimisë kulturore e turistike. Të gjithë lekëljotët binden se ka mbërritur fundi i “odisesë 20 vjeçare” të rikonstruksionit të rrugës së Leklit, prandaj falënderojnë të gjithë dashamirësit e Leklit, në veçanti Fondin Shqiptar të Zhvillimit, edhe pse “më mirë vonë se kurrë”.
Sigal