Rruga e Dajtit, Veliaj: Investimet përfundojnë brenda afatit, rruga me standarde

498
Brenda muajit nëntor, Bashkia e Tiranës do të përfundojë një nga investimet e saj më të rëndësishme siç është rikonstruksioni i rrugës së Dajtit. Gjatë inspektimit të ndërhyrjeve që po zhvillohen në këtë rrugë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky investim mbyllet përpara afatit të parashikuar, si dhe do të shihet mundësia e ndërtimit të një piste vrapimi për qytetarët që vizitojnë parkun e Malit të Dajtit. “Më vjen mirë që investimin në këtë rrugë po e përfundojmë përpara afatit dhe dua shumë që të shoh edhe se si do ta zgjerojmë infrastrukturën, për një shtesë të caktuar në trotuar për pistën e vrapimit, si dhe gjithë infrastrukturën tjetër mbështetëse, e cila është absolutisht e nevojshme në këtë territor”, deklaroi Veliaj. Projekti përfunduar do të përfshijë parmakët metalikë, vendqëdnrimet e autobusëve, bankinat dhe sinjalistikë.

“Këto janë rrugë që bëhen me taksat e qytetarëve të Tiranës, ndaj i ftojmë gjithë qytetarët që t’i ruajnë investimet, që rrugët të mos vandalizohen e të mos ndoten”, tha Veliaj. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që çdo element sigurie, elementet e ndriçimit, elementet e kullimit, vendet ku do të mblidhen mbeturinat, stacionet e autobusit, që do të jenë në shërbim të qytetarëve, të ruhen nga ata vetë. “Më vjen mirë që me kompaninë kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer dhe në këto tre muaj është punuar sa tre vitet e fundit, për të ecur para me këtë rrugë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se kjo rrugë i shërben mbi 20 mijë banorëve të lagjes së re të Tiranës, në zonën e “Freskut” dhe zonën e poshtme të komunës “Dajt”. “Kjo është një rrugë, e cila ishte kthyer në makth për banorët e zonës dhe qytetarët e Tiranës, që duan të shijojnë bukurinë e parkut të ‘Dajtit’ dhe që janë penguar nga një rrugë totalisht e amortizuar, jashtë çdo standardi urbanistik në qytet”, tha ai. Bashkia e Tiranës do të vijojë bashkëpunimin me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për zonat rurale të Tiranës, lidhur me problemet e infrastrukturës rrugore, ujore apo dhe për rehabilitimin e parqeve.
Sigal