Rrotonda gjigande humbet vlerat turistike

589
Sigal

Një nga veprat e rëndësishme të lashtësisë u privohet turistëve. Askush nuk kujtohet të verë dorë.

Monumenti antik i rrethuar nga kazanë plehrash

Vlerat arkeologjike pothuajse kanë mbetur të harruara në qytetin bregdetar. Monumenti i lashtësisë në qendër të Durrësit vazhdon të mbetet i mbërthyer edhe pas 4 vitesh nga skelete metalike , dhe kazanë plehrash duke humbur vlerat turistike. Edhe pse Instituti i Mbrojtjes së Monumenteve u tërhoq nga vendimi për lejimin e ndërtimit të disa lokaleve në monumentin antik të rotondës mbi varret e vjetra, sërish vazhdojnë të qëndrojnë si më parë të montuara më shumë se 100 metra katrore hekurishte. Në Atelienë e Durrësit  dyert ishin mbyllur për të marrë një informacion më të hollësishëm por sidoqoftë është Instituti në Tiranë ai që duhet të kërkonte pastrimin e monumentit gjigand nga kjo ndërhyrje. Plot 4  vjet  më parë subjekte biznesi patën kërkuar që të shfrytëzonin një pjesë të objektit mesjetar të periudhës së Bizantit për të ngritur 3 lokale të cilat do të shërbenin si bar dhe si restorante. Por reagimi i qytetarëve të Durrësit si dhe ai pushtetit vendor dhe Prefekturës ndërhynë dhe e ndaluan një ndërmarrje të tillë. Ndërkohë objekti duket i cenuar  dhe i mbërthyer, por edhe i braktisur. Nga ana tjetër  kujdesi për këtë monument duket i pakët pasi ai është lënë pa tabelë përshkruese dhe i rrethuar nga kazanë në të cilët plehrat digjen pa hasur asnjë lloj pengese. Dhe si të mos mjaftonin këto, mes përmes kalon tubacioni i ujit i cili furnizon lagjen e që duhej të sistemohej ndryshe. Disa herë në vit ai dëmtohet dhe uji shpërthen në mes të monumentit. Objekti ndodhet në qendër të Durrësit dhe bën pjesë në axhendat e objekteve, të cilat agjencitë turistike jua sugjerojnë turistëve të huaj për t’i vizituar. Nga nisja e këtij sezoni mbi 20 grupe turistësh të huaj e kanë vizituar këtë monument, i cili në lashtësi ka qenë qendër ku grumbulloheshin banorët e Durrësit për të bërë pazaret e tyre. Ndërsa ngjitur me të gjenden varrezat po kaq të vjetra. Në këtë pjesë të Durrësit gjenden të shtresëzuara 3 qytetërime të cilat ka përjetuar ky qytet gjatë historisë së tij.