“Rroftë fushata” për grabitësit e trojeve

523
Nuk ka si të ndodhë ndryshe në Shqipëri, sa herë do të ketë fushata elektorale. Grabitësit e trojeve dhe abuzuesit, thonë “rroftë fushata” dhe kjo duket në bregdet. E ndërsa kryetarët e partive kanë nisur fushatën dhe kandidatët kanë nisur takimet për të garuar dhe fituar, duket se ata që “nuk mbyllin sytë dhe veshët” për të përfituar nga kjo situatë janë piratët e trojeve në bregdet. Vetëm në 10 ditët e fundit, sipas një burimi nga Prokuroria e Durrësit rezulton se “ka pasur dhjetëra denoncime nga banorët e Shkëmbit të Kavajës, Golemit dhe tek Pishat e Buta, për hedhje betoni natën dhe punime nga persona të panjohur, që madje edhe kërcënojnë”. Duke përfituar nga fushata dhe vëmendja e shtetit dhe institucioneve drejt saj, piratët e trojeve dhe betonierëve, kanë nisur sulmin për të arritur ngritjen e ndonjë muri, ndonjë kati, apo pushtimin e ndonjë trualli për lokal me leje të përkohshme për sezonin e ri veror 2015. Por pavarësisht se banorët po denoncojnë duket se organet e drejtësisë thjesht po regjistrojnë rastet, kurse policia as që duket në ato zona. Besim Quku, një banor i asaj zone tha për “Telegraf” se “mua ma rrafshuan lokalin para 4 muajsh tek Shkëmbi Kavajës dhe pikërisht tek vendi ku unë kërkova lejen të ndërtoj nga komuna Rashbullit, atje sot po hedhin natën beton të fortët, ata që nuk kanë as leje, as tokë në pronësi”. Denoncimet shigjetohen shpesh edhe ndaj zyrtarëve, deputetëve, ministrave apo kujtdo qoftë dhe pavarësisht se çdo ditë ata denoncohen në faqet e gazetave për shpërdorim detyre, marrje rryshfeti, grabitje trojesh, organet e drejtësisë vetëm heshtin dhe në fund bëjnë kompromisin. Zonat e Golemit, Shkëmbit të Kavajës, mbeten më të prekurat nga dora vrastare e njeriut. Objektet shumëkatëshe, lokalet dhe betoni atje ka prishur çdo bukuri të natyrës. Prerja e pishave të pyllit 120 vjeçar, është një tjetër skandal që nuk është hetuar dhe dënuar nga organet e drejtësisë. Persona të panjohur për banorët e atyre zonave pretendojnë pronësinë mbi troje në zonën bregdetare. Në zonat bregdetare të Durrës, ka ndodhur një kasaphanë e vërtetë me trojet, abuzime, grabitje pronash, një maskaradë e cila nis nga Kadastrat, KKKP dhe përfundon me vendimet e gjykatave.
Sigal