Rritja me 30% e pagave të punonjësve, mund ta bëjë ndihmën ekonomike 118 dollarë në muaj

720
Sigal

”Racizëm pagash”, qeveria u shton 150 USD në
muaj atyre që janë në punë, ndërsa 82 mijë familjeve u jep nga 60 lekë në ditë

 

Përparim HALILI

 

Deklarimi i fundit i
kreut të “Rilindjes”, se në mars 2017 nis rritja me 30% e pagave për mësuesit,
policët dhe shumë kategori të punonjësve të administratës publike, ka krijuar
reagim të motivuar e të argumentuar të ekspertëve të problemeve
sociale-ekonomike. Ata e konsiderojnë këtë rritje pagash për punonjësit
shtetërorë që kanë paga mujore të mesme e të larta, si një pabarazi sociale, si
një “racizëm pagash e trajtesash financiare shtetërore” që bëhet prej
qeverisë. 

 

Krahasimi i rritjes së
pagave dhe ndihma ekonomike

 

Sipas analizës së
ekspertëve socialë-ekonomikë, deklarimi i kryeministrit, pra vendimi i pritshëm
për rritjen e pagave në muajin mars 2017, privilegjon dhe shton të ardhurat
financiare mujore të disa kategorive të popullatës dhe braktis një kategori
tjetër të popullatës e cila gjendet në varfëri ekstreme, për shkak të
papunësisë dhe nivelit të ulët të pagesave mujore, siç janë familjet dhe
individët që trajtohen me ndihmë ekonomike, me pensione pleqërie, me pensione
invaliditeti, me pagesa sociale “Kemp” etj. Siç dihet, këto pagesa mujore janë
lëmoshë! Ndërsa pensionistëve u rritet pensioni me 2-3%, ose me 1 kilogramë
gjizë në muaj, mësuesve e punonjësve të tjerë të shtetit, u shtohen pagat
mujore sa 1 pension pleqërie ose sa 7 pagesa ndihme ekonomike mujore të një
shqiptari! Ndërsa punonjësit e shtetit e kanë pagën mujore mesatare 40-50 mijë
lekë të reja në muaj dhe rritja 30% i çon këto paga 55-65 mijë lekë të reja në
muaj, një shqiptar me ndihmë ekonomike trajtohet me 60 lekë të reja në ditë dhe
nuk i shtohet asnjë qindarkë! Pa llogaritur rritjen 30% të një page të lartë
drejtori shkolle, drejtori rajonal në prefekturë apo të një drejtori qendror në
ministri, për të cilët rritja 30% e pagës është minimalisht 22 mijë lekë ose sa
paga minimale mujore zyrtare e një punonjësi të nivelit të fundit! Nuk jemi
kundër rritjes së pagave të punonjësve shtetërorë, përkundrazi ato duhen çuar
në nivelin e pagave të vendeve të BE-së, pasi aktualisht janë “lëmoshë” me fuqi
blerëse, sa për minimum jetese! E kemi fjalën, për një qëndrim absurd të
qeverisë, në raport me pagesat e punës dhe ato sociale! Ata që janë në punë dhe
marrin rregullisht pagën mujore për punën që kryejnë, vazhdojnë të trajtohen me
rritje pagash! Ndërsa ata që nuk janë punë, jo se nuk duan të shkojnë në punë,
por sepse nuk ka punë, vazhdojnë të trajtohen me ndihmë financiare ekonomike
mujore deri në 60 lekë të reja ose sa 80% e vlerës së një buke! A duhen rritur
pagat shtetërore? Patjetër! Por edhe pagesa e ndihmës ekonomike është “pagë” që
familjeve dhe individëve të papunë e pa të ardhura, u paguhet prej shtetit!
Përse nuk rriten këto pagesa sociale?! Logjika e thjeshtë është kjo: Rritje
duhet bërë për pagat dhe pagesat e ulëta, që në rastin konkret, janë pagesat e
ndihmës ekonomike! Dihet që mes këtyre pagave nuk ka dhe nuk mund të ketë
barazi, por nuk mund të pranohet fakti që të rriten pagat të cilat janë afro
1500-2000 lekë të reja në ditë dhe të mos rritet ndihma ekonomike që është 60
lekë të reja në ditë! Ekspertët kanë bërë një llogari krahasuese midis pagesës
së ndihmës ekonomike dhe rritjes 30% të pagave të mësueseve, policëve,
nëpunësve dhe punonjësve të tjerë shtetërorë. Konkretisht, sipas llogarisë së
tyre, rezulton se nëse rritja 30% e pagave të punonjësve shtetërorë do të
përdorej për rritjen e ndihmës ekonomike, atëherë ndihma ekonomike mujore
minimale e një personi që trajtohet me 1800 lekë të reja në muaj, do të bëhej
118 dollarë në muaj!

 

 

 

 

VKM Nr. 197, datë 9 mars 2016, që përcakton
kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe
të neneve 10, pikat 1 e 6, 20, pikat 3 e 4, dhe 42 e 42/1, të ligjit nr. 9355,
datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me
propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI: Në vendimin nr. 904, datë 12.12.2012, të Këshillit të Ministrave, të
ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
 

1. Pas shkronjës “c”, të pikës 5, shtohet
shkronja “ç” me këtë përmbajtje: “ç) Formularin e verifikimit të situatës
sociale-ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë,
dhe dy herë në vit atë të të gjitha familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike,
sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi.”.
 

2. Pas shkronjës “b”, të pikës 8, shtohet
shkronja “c” me këtë përmbajtje: “c) Deklarimin e rremë apo mosdeklarimin e
ndryshimeve të situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre
muaj të familjes.”.
 

3. Kudo në vendim, fjalët “bashki/komunë”,
zëvendësohen me “bashki/ njësi administrative” dhe emërtimi “ministri i Punës,
Çështjeve Sociale dhe Rinisë” zëvendësohet me “ministri përgjegjës për çështjet
sociale”.

Ja disa  pasoja sociale, që kanë shkak varfërinë ekstreme

 

1. Aktualisht, 95% e krimeve në familje bëhen
për shkaqe varfërie.
 

2. Aktualisht, 70% e krimeve publike, janë me
tregues prostitucionin, rrëmbimet, pengmarrjet, dhunimin, grabitjet dhe vrasjet
për “bukën e gojës”
 

3. Aktualisht, afro 80% të pasurive kombëtare
i zotërojnë shtetarët e politikanët dhe familjet e tyre

4. Aktualisht, financat kombëtare i zotërojnë
vetëm 5% e popullsisë (njerëz të pushtetit e të afërm të tyre).
 

5. Aktualisht,38% e popullsisë është në emigracion
ekonomik, për shkak të falimentit të punës dhe nivelit të ulët të jetesës.
 

6. Aktualisht, 30% e të rinjve kanë afro
15-20 vjet të pa punë.
 

7. Çdo vit vetëvriten afro 50 kryefamiljarë,
për shkak të varfërisë ekonomike.
 

8. Çdo vit dhunohen 350 femra për shkaqe të
dhunës në familje prej varfërisë ekstreme.
 

9. Çdo vit bëhen afërsisht 1000 divorce, me
shkak varfërinë ekstreme.
 

10. Çdo vit, përfundojnë në pranga afro 800
të adoleshentë për vjedhje e grabitje me shkak varfërinë ekonomike

Ja 4 kategoritë që përfitojnë deri tani
“Ndihmë ekonomike”

1.     
Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të
pamjaftueshme;

2.     
Jetimët, të cilët nuk janë në institucione;
prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin
familjeve në nevojë;

3.     
Viktimat e trafikimit, pas daljes nga
institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;

4.     
Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare,
për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të
menjëhershëm të mbrojtjes.



 Disa nga
pagesat e ndihmës ekonomike mujore që u jepen familjeve pa të ardhura


1. Për personin e vetmuar mbi 18 vjeç: 1800 lekë në muaj

2. Për kryefamiljarin shuma, 2.600 lekë në muaj.

3. Për anëtarët e familjes mbi moshë pune: 2.600 lekë në
muaj 

4. Për çdo anëtar tjetër të familjes në moshë pune: 600
lekë në muaj

5. Për çdo anëtar tjetër të familjes nën moshën 18 vjeç: 700
 lekë në muaj

6. Pavarësisht nga përbërja e familjes, shuma jo më e
lartë se 7.500 lekë në muaj