Rritja e pagave të policëve/ Tahiri: Të kthehet në rritje shërbimi për qytetarët

62
Me rastin e rritjes së pagave, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilloi një takim me punonjësit e Policisë së Shtetit ditën e sotme. Ai tha se duke filluar që nga data 1 mars, rrogat për çdo punonjës policie ishin rritur, dhe akuzoi qeverinë e kaluar se jo vetëm që nuk kishte vënë dorë mbi policinë por dhe se i kishte ulur pagat me 4%.
Tahiri kërkoi që kjo mbështetje për 11 mijë familjet e policëve të kthehej në shërbim ndaj qytetarit.

“Nga 1 marsi, pagat e çdo punonjësi janë rritur, qeveria e vjetër jo vetëm që nuk i ndryshoi por edhe i uli 4%. Ka ende punonjës policie që bëjnë pis unifomrën, që nuk e meritojnë ta veshin këtë uniformë. Është detyra juaj të nxirrni jashtë që deformojnë opinionin e publikut për punët tonë. Qytetarët presin shumë më shumë prej nesh dhe kemi hapur një kapitull të ri që nuk ka të bëjë kurrkund me atë që lamë pas. Shqipëria nuk mbetet më peng e të shkuarës. Nëse deri më sot kemi bërë maksimumin për të mbështetur çdo punonjës policie, e nëse kjo qeveri ka rritur pagat deri në 50% të punonjësve, shumë më shumë do bëhet në vazhdim. Për të pasur një ekonomi më të sigurtë në shtëpitë tuaja, për fëmijët tuaj. Policinë e gjetëm me makina të shkatërruara, pa asnjë lloj teknologjie, e të zhytur në borxhe. Por sot jemi hapa përpara. Rritja pagës është mbështetje për familjet tuaja. Janë 11 mijë familje që sot janë të mbështetura nga kjo qeveri. Nuk është mjaftueshëm por është një hap më shumë në rrugën që kemi nisur të gjithë bashkë. Për më shumë integritet të policisë dhe për të hequr pikëpyetjet e qytetarit për punën tonë, duhet më shumë punë, prandaj ne investojmë tek ju. Prandaj është e rëndësishme që qytetarët të ndjehen më të fortë dhe më të sigurtë falë jush. Kemi shpenzuar energji pafund për të bërë shtet,” tha Tahiri.