Rritet shpërblimi, 100 milionë lekë kush identifikon vrasësit e Artan Cukut

87
Kur kanë kaluar afro një javë nga vrasja e ish-zyrtarit të policisë, Artan Cuku, është rritur shpërblimi për këdo që ka informacion për vrasësit e tij.

Më herët, ishte vënë në dispozicion shuma prej 30 milionë lekësh, ndërsa sot kjo shumë ka shkuar në 100 milionë lekë për këdo që jep informacione që çojnë drejt zbardhjes së ekzekutimit të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, ekzekutim ky i ndodhur më 8 prill.

Pak ditë më parë, policia publikoi një video nga një kamera sigurie, ku dukej vrasësi i veshur sportiv dhe me një kapele të bardhë.

Gjatë 24 orëve që pasuan publikimin e pamjeve filmike të personit të dyshuar, mësohet se policia ka marrë në sallën operative të paktën dy telefonata në orë për këtë rast.

Lajmi u bë me dije nga burime të Policisë së Tiranës, të cilat thanë se qytetarët kanë dhënë informacionet që kishin në lidhje me atentatin e rëndë ku humbi jetën ish-drejtori i Policisë së Vlorës, komisar Artan Cuku.

Mirëpo, policia ka bërë të ditur se deri më tani asnjë nuk ka rezultuar e vlefshme për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.