Rriten pagat për 8.000 punonjës në varësi të bashkive

600
Sigal

Rritja
e pagave do të jetë 10% edhe për 8 mijë punonjës mësimorë që varen nga buxhetet
e 61 bashkive të vendit. Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike,
Milena Harito sqaroi dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve, por edhe për
median, se kjo rritje page do të ketë 110 mijë përfitues të administratës
publike. Fondi i vënë në dispozicion është rreth 7.5 miliardë lekë.

“Kemi 110 mijë përfitues, nga të cilët, 81 mijë
janë punonjës buxhetorë dhe 29 mijë të tjerë janë mjekë, infermierë, punonjës
arsimorë të universiteteve publike”, – sqaroi dje, ministrja Harito, gjatë
raportimit për buxhetin 2017. Sipas saj, “është përcaktuar për momentin buxheti
global i rritjes dhe rritja mesatare”. “Nuk përjashtohet askush nga rritja e
pagave, pavarësisht nga vjetërsia në punë”, – u shpreh Harito.

Në strategjinë ndërsektoriale të
reformës në administratën publike 2015-2020 parashikohet kjo rritje e re e
pagave të punonjësve buxhetorë e publikë. Kjo politikë e rritjes së pagave
përmban: rritjen e nivelit të pagës mujore të punonjësve me mesatarisht 10%,
alokimin e një fondi prej 7.5 miliardë lekë në nivel vjetor ose në masën 6.2
miliardë lekë për një periudhë 10-mujore.

“Politika e rritjes së pagave bëhet
e diferencuar, duke i dhënë prioritet kryesisht pagës minimale, pagës në
sistemin arsimor dhe shëndetësor, pagës së administratës publike si dhe pagës
së punonjësve në sistemin e Policisë së Shtetit”, thuhet në strategjinë e
lexuar prej ministres Harito, dhe të depozituar në komision.

“Më konkretisht, kjo politikë
realizon: rritjen e pagës bazë minimale me 36.3% ose me 8 mijë lekë/muaj. Numri
total i përfituesve nga rritja e pagës minimale në administratën buxhetore për
vitin 2017 është rreth 6.900 punonjës dhe fondi i nevojshëm për këtë rritje
është rreth 1 miliard lekë në vit”.

Po kështu do të ketë edhe një
rritje page në sistemin arsimor publik parauniversitar dhe universitar me 10%.
Numri i përfituesve është gjithsej 38 mijë punonjës mësimorë. Fondi i
parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.8 miliardë lekë.
Gjithashtu, kjo rritje page do të financohet nga buxheti i shtetit edhe për 8
mijë punonjës të tjerë mësimorë që janë në varësi të bashkive, duke shtuar
financimin e grandit në masën 500 milionë lekë. Rritje page do të ketë edhe në
sistemin shëndetësor publik me 10%.

Numri i përfituesve është gjithsej
18.500 mjekë dhe infermierë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë
qëllim arrin në 1.5 miliardë lekë. Rritje page do të ketë, siç u deklarua, edhe
për punonjësit e Policisë së Shtetit me 10%. Numri i përfituesve është rreth 10
mijë punonjës policie. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim
arrin në 800 milionë lekë. Ndërsa për nëpunësit e administratës publike, rritja
e pagës do të jetë mesatarisht 7% ./BW/