Rreziqet nga investimet e shqiptarëve në kompanitë online

1014
Sigal

Gazeta Telegraf/

Flet Andri
Kasneci, Administrator i “Platinium Investment”

“Forex” është
trendi më i ri në Shqipëri. Mjafton një lidhje interneti, një kompjuter ose
smartfon, pak intuitë ekonomike dhe, brenda pak sekondave, je edhe ti pjesë e
tregut që xhiron 5.1 trilion USD në ditë (sipas raportit të Bank for
International Settlements). Duke qenë një treg kaq i madh, “Forex” ose “Foreign
Exchange”, që në shqip nënkupton këmbimin e valutave të huaja, është një biznes
shumë tërheqës. Andri Kasneci, Administrator i Platinium Investment Shpk, një
prej kompanive të licencuara nga Banka e Shqipërisë si subjekt financiar jo-bankë
shpjegon, se si të dallohen platformat e licencuara dhe cilat janë risqet dhe
përfitimet që vijnë nga këto lloj investimesh.

Sa kompani operojnë në tregun “Forex” në Shqipëri,
cilat janë ato?

Ka me mijëra
kompani që operojnë në “Forex”, një pjesë e të cilave janë të palicencuara, ose
në proces licencimi dhe një pjesë zotërojnë licensa nga institucionet rregullatorë
përkatëse. Në Shqipëri janë regjistruar dhe operojnë 3 shoqëri të licencuara
dhe të kualifikuara për të operuar në “Forex”.

1.     
“PLATINIUM INVESTMENT
Sh.p.k” – Licencuar pranë Bankës së Shqipërisë në Qershor 2012, si institucion
financiar jo-bankë, për të ushtruar veprimtarinë financiare të shërbimeve
këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbimeve të tjera ndihmëse për këmbimin valutor
dhe e specializuar në platformat online
të tregtimit të valutave dhe instrumenteve të tjerë valutor “Forex”. Operon në
treg nëpërmjet OxTrade (oxtrade.al), platforma e parë shqiptare për “Forex” që
përdor teknologjinë e mirënjohur në industrinë “Forex” – Metatrader 4.

2.     
“AKSIONER INTERNATIONAL
SECURITIES BROKERAGE sh a” – Shoqëri brokerimi në tituj për blerjen dhe shitjen
e titujve me porosi të klientit në tregun e licencuar në territorin e
Republikës së Shqipërisë. Broker Fizik i licencuar pranë AMF që në Prill 2011.

3.     
“STOCK INTERNATIONAL
ALBANIA sh.a” – Shoqëri brokerimi në tituj për blerjen dhe shitjen e titujve me
porosi të klientit në tregun e licencuar në territorin e RSH. Broker fizik i
licencuar pranë AMF që në Qershor 2015 e cila operon në treg si agjent i lidhur
i një shoqërie qipriote. Gjithashtu në Shqipëri tentojnë të operojnë edhe
platorma të tjera pa licencë nga autoritetet shqiptare. Mund të përmendim “Fx
Lider” dhe “AdmiralMarket”, të cilat kanë organizuar dhe promovojnë seminaret e
tyre në Shqipëri pa u kapur nga radari i institucioneve rregulluese. Është e
vështirë të monitorosh platformat e palicencuara dhe po aq e vështirë është të
monitorosh dhe të dallosh skemat mashtruese. Mund të themi që platformat
jo-legjitime nuk marrin guximin të marketohen. Publiku duhet të ketë kujdes nga
portalet e huaja, të cilat u kërkojnë të regjistrojnë të dhënat personale, pasi
këto portale ua shesin informacionin portaleve të pa licencuara dhe si
rrjedhojë bëjnë të mundur kontaktin e drejtpërdrejtë, nën radarin e
institucioneve mbikëqyrëse.

“Forex” është investim apo spekullim?

Investimi
nëpërmjet platformave elektronike online,
bazuar mbi evente ekonomiko-politike, dhe analiza statistikore dhe financiare,
mbetet në rangun e spekulimit ose hamendësimit. “Forex” është aktivitet online
që ka të bëjë kryesisht me lëvizjet e monedhave. Tregtarë nga e gjithë bota,
janë online 24 orë në ditë 5 ditët e javës duke spekuluar kundër njëri tjetrit
për lëvizjet e kursit të këmbimit të monedhave ndërkombëtare. Por, “Forex” nuk
duhet parë vetëm si mundësi për të spekuluar, “Forex” është instrument ndihmës
për menaxhimin e parasë. Kushdo që ka rezerva monetare, valutë të huaj ose
rezerva produktesh të ndjeshme ndaj lëvizjeve monetare, apo kushdo që është
tregtar import/eksport, duhet të njihet me “Forex” online. “Forex” u ofron
tregtarëve, menaxherëve, bizneseve dhe investitorëve në përgjithësi, mundësinë
për të minimizuar humbjet që vijnë si pasojë e ndryshimit të kurseve të
këmbimit.

Pse investitorët zgjedhin “Forex”?

Në radhë të
parë, “Forex” është i aksesueshëm nga kudo, dhe kurdo, 24 orë, 5 ditë në javë.
Mund të tregtosh nga kompjuteri, ipad-i ose smartfoni, dhe mjaftojnë pak
sekonda për të hapur ose mbyllur një transaksion. Duke qënë një treg që s’ka
një qendër të mirë përcaktuar për kontrollin e aktivitetit, “Forex” është një
treg më rregulla më fleksibël se bursa e aksioneve. Janë vetë brokerat ose
ofruesit e shërbimit ata të cilët vendosin kushtet e operimit. Ky fakt bën që
ky të jetë një treg shumë kompetitiv me shumë përfitime në shërbim, për
klientët ose përdoruesit fundorë të platformës. Gjithashtu, fleksibiliteti i
tregut “Forex” kualifikon një numër më të madh investitorësh për tu angazhuar,
edhe ky është një fakt që e bën këtë treg më likuid se bursat e tjera.
Likuiditeti i tregut bën të mundur që në “Forex” mund të hapësh e mbyllësh
transaksione në cdo moment, dhe të depozitosh ose tërheqësh paratë sipas
kërkesës. Leva financiare është elementi më tërheqës i bursës online – “Forex”.
Leva bën të mundur pjesëmarrjen e kujtdo në “Forex”. Me vetëm një fraksion të
shumës, ose marzh të vogël në formë garancie i cili depozitohet si kolateral
pranë platformës përkatëse, kushdo mund të kontrollojë një shumë 400 herë më të
madhe. Pra 2,000 EUR depozitë kontrollojnë 800,000 EUR online. Kjo bën të
mundur edhe shumëfishimin e fitimeve – 1% lëvizje në treg shumëfishohet me
vlerën e levës që ofron platforma, respektivisht 400% .

Kush është platforma më e mirë për “Forex” në
Shqipëri?

Kur operon në “Forex”
operon nën obrellën e sigurisë që të ofron brokeri. Nuk ka broker më të mirë se
brokeri që të bën të ndihesh i shërbyer, i sigurt, i fituar, dhe mbi të gjitha
brokeri interesat e të cilit lidhen drejtpërdrejtë me interesat e klientit.
Bursës i intereson që klientët të fitojnë, të shmangin humbjet, të përmendin
brokerin si shembull suksesi, të tregtojnë sa më gjatë me të, dhe ta sugjerojnë
tek miqtë e tyre më të mirë. Fundja brokeri fiton një fraksion të vogël nga
volumi i transaksioneve, dhe sa më i madh të jetë volumi aq më e suksesshme
platforma.

Pse është i rëndësishëm licencimi dhe mbikëqyrja e
bursave online, dhe ku mund të informohet publiku?

Është e
rëndësishme që përveç besimit në një marrëdhënie biznesi të ekzistojë dhe
kontrolli, monitorimi, ose mbikëqyrja. Marrëdhënia broker-klient është e
rëndësishme të kontrollohet nga institucionet përkatëse me qëllim garantimin e
të drejtave të klientëve, dhe përputhshmëri me politikat e ligjet që rregullojnë
këto marrëdhënie. Mbikëqyrja është në interesit të konsumatorit ose klientit
fundor, por edhe në interes të zhvillimit të mëtejshëm të biznesit. Në Shqipëri
tregu “Forex” monitorohet nga Banka e Shqipërisë dhe nga AMF dhe janë këto
institucione që licencojnë aktivitetin e kompanive që operojnë në këtë fushë.
Duke qenë një fushë e re për tregun shqiptar, “Forex” është një fushë e re edhe
për institucionet rregullatorë, prandaj dhe kriteret e licencimit të një
shoqërie për të operuar në “Forex” janë shumë strikte. Shoqëritë e licencuara
janë të detyruara të ngurtësojnë kapital të konsiderueshëm dhe të raportojnë
pranë institucioneve përkatëse në lidhje më aktivitetin e tyre. Institucionet e
pa licencuara nuk monitorohen pasi nuk përmbushin kriteret minimale të operimit
duke rritur rrezikun që klienti të mund të humbë fondet e investuara. Sado e
mirë të jetë oferta e një institucioni të pa licencuar, fakti që nuk ka licencë
është një mesazh i qartë që kompania nuk ka standardet e duhura për të ofruar
shërbimet që promovon. Pyeteni brokerin tuaj në lidhje me licencimin përkatës
dhe konfirmoni përgjigjet pranë siteve të insitucioneve mbikqyrëse. Ky
informacion duhet të jetë dhe është publik.

Çfarë rekomandimesh këni për publikun dhe klientët
potencialë?

Pavarësisht se “Forex”
mund të jetë i aksesueshëm nga kushdo, nuk është për këdo. Mos tregtoni me para
që nuk mund të përballoni të humbisni. Mos rrezikoni paratë ose kursimet pa u
informuar rreth institucionit me të cilin do bashkëpunoni. Tregtimi me
institucione të pa licencuara rrit ndjeshëm rrezikun e humbjes së depozitave
dhe mundësinë që institucioni të jetë një skemë piramidale mashtrimi. Edukimi
dhe trajnimi rreth “Forex” në momentin që depozitoni pranë një platformë është
dhe duhet të jetë falas. Nëse brokeri juaj nuk ju përgjigjet dhe nuk është
korrekt, ka përherë një broker tjetër që do lumturohet që ju të jeni pjesë e
portofolit. Bëni sa më shumë pyetje për t’u informuar dhe mos nguroni të pyesni
këdo përfshirë mikun tuaj online Google.com. “Forex” mund të jetë një aktivitet
i panjohur për shumicën e shqiptarëve, por nuk është i panjohur për mediat
ndërkombëtare online.