Rrëzimi i monumentit të Enverit, plan i hartuar nga Ramiz Alia

797
Muharrem Xhafa
Sekretar i Parë i PPSH

Më 20 shkurt 2018, bëhen 27 vjet që në Tiranë u rrëzua Monumenti i Enver Hoxhës! Rrëzimi i tij ishte pjesë e planit të hartuar nga Ramiz Alia dhe bashkëpunëtorêt e tij për përmbysjen e socializmit në Shqipëri, i detajuar në imtësi prej ish Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alisë, i cili u mor drejtpërdrejt me rrëzimin e monumentit të Udhëheqësit për shkak të personalitetit të fuqishëm që përbënte Enver Hoxha. Alia, Hekuran Isai e ndonjë tjetër, dinin të gjitha prapaskenat e hollësitë e rrëzimit të Monumentit të Enver Hoxhës, edhe ditën e orën, edhe kush do të lironte vidat e bulonat, që, pastaj, të ishte gjithçka gati për të vepruar mbi ‘të falangat e reaksionit, deri dhe personat “demokratë”, të cilët do t’u prinin turmave në destinacionin e përcaktuar. Jo pa qëllim, rrëzimi i Monumentit të Enver Hoxhës u përcaktua si veprimi i fundit kanibalesk e kriminal për t’i dëshmuar botës se socializmi kishte mbaruar edhe në Shqipëri, gjë që Alia e kreu me mjeshtri për t’ia pasur zili dhe shërbimet më profesionale të inteligjencave. Ato përralla që tregohen netëve të dimrit të shkurtit se Monumentin e Enver Hoxhës e rrëzuan forcat e reaksionit e të llumit socialist mund t’i besojnë budallenjtë. Se, për nga forca, pushteti popullor ishte në gjendje t’i bënte zap ato falanga antikomuniste për tre minuta, në emër të popullit e të ligjit, pa qenë nevoja të ndodhte ndonjë tragjedi si e ajo 21 janarit 2011. Po nuk u veprua mbi to, sepse shteti, organet e mbrojtjes së rendit dhe Partia u nxorën jashtë loje nga Alia e vegla e tij, Hekuran Isai, bashkë me ndonjë tjetër rreth kupolës së tradhtisë. Thënë pa asnjë dyshim, Monumentin e Enver Hoxhës nuk e rrëzoi populli shqiptar. Se 10 a 15 mijë njerëz, mbledhur në Sheshin “Skënderbej”, shumica e të cilëve qenë sehirxhinj, as përfaqësonin e as nuk mund të përfaqësonin popullin shqiptar, forcën e vullnetin e tij. Po kështu, nuk ishin as partia e as e gjithë udhëheqja e saj ato që, siç përralliset, qenë dakord të rrëzohej Monumenti i Enverit. Asnjëherë Ramiz Alia nuk guxoi ta shtronte çështjen e Monumentit në Parti e në popull. Si mjeshtër i kurtheve dhe i pabesive, me 20 shkurt 1991, Alia thirri e mbylli brenda mureve të sallës së madhe të KQ të PPSH-së anëtaret e KQ dhe sekretarët e parë te KP të rretheve, ministrat e anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të rrethuar nga forcat besnike të tij, që ata të mos kishin asnjë mundësi të reagonin në kohën e beftë, kur shërbëtori i shërbimeve sekrete t’u jepte lajmin e rrëzimit të Monumentit të Enver Hoxhës. Njeriu i Ramiz Alisë, Hekuran Isai, jo rastësisht nuk ishte në mbledhjen e organizuar, më 20 shkurt 1991, sepse ishte ngarkuar me detyrë të drejtonte në krye operacionin për rrëzimin e Monumentit të Enverit. Ishte Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai ky që i njoftoi Ramiz Alisë drejtpërdrejt me anë të telefonit zbatimin e detyrës, d m th rrëzimin e Monumentit, po që Alia, urdhëruesi dredharak i tij, nuk ia njoftoi në çast mbledhjes çfarë i tha Hekuran Isai, po ia la ta sillte ne sallë, pak më vonë, një nëpunësi te stafit të tij, për t’ia komunikuar, pastaj, vet, ashtu si një xhongler i vërtetë, mbasi kishte tjerrë më parë ca pallavra për mbrojtjen me çdo kusht të Monumentit te Enver Hoxhës. Rrëzimi i Monumentit të Enverit ishte edhe shenja mê e qartë që Ramiz Alia i kishte dhenë fund mbrojtjes së Enver Hoxhes. 
Sigal