Rreziku nga helmet, nxënësit ‘rrethojnë’ Uzinën e Baterive në Uznovë

950
Sigal

BERAT/Apel banorëve e vendorëve: Jo shtëpi në zonën e kontaminuar, investoni për rehabilitimin e tokës!

Uzina e prodhimit të baterive në Uznovë të Beratit, megjithëse, jo në funksion prodhues, për shkak të mbeturinave e kontaminimit të mjedisit, vazhdon të mbetet rrezik për banorët e zonës, nëse nuk merren masa të mira për mbrojtje apo mungon sensibilizimi për rrezikun. Ndonëse nuk kanë munguar disa masa, përfshi dhe investime nën përkujdesjen e specialistëve, sensibilizimi i banorëve mbetet faktor i rëndësishëm për minimizimin e rrezikut në njerëz dhe mjedis. Këtij qëllimi i shërben dhe një projekt 3 -vjeçar i një organizate mjedisore ndërkombëtare në bashkëpunim me nxënësit dhe mësuesit e shkollës së Uznovës.

“Jo vetëm të mbrojmë mjedisin, por edhe të mbrohemi nga vatrat e ndotura” ! Kjo ka qenë motoja e nxënësve të shkollës 9-vjeçare Uznovë në qytetin e Beratit, të cilët ditën e djeshme organizuan një  aktivitet sensibilizues në mbrojtje të mjedisit.  Aktiviteti u mbështet nga Organizata Ndërkombëtare “Pavver Full Information” si dhe Qendra Mjedisore (EDEN) Tiranë. Sipas drejtoreshes së shkollës, Dhurata Gojka, aktiviteti i djeshëm është vazhdim i projektit 3- vjeçar (2011-2013) që shkolla e Uznovës po realizon së bashku me organizatën ndërkombëtare  “Pavver Full Information” dhe Qendra Mjedisore (EDEN) Tiranë. Organizatorët e këtij aktiviteti pohuan se, ky projekt konsiston në ndërgjegjësimin e komunitetit nëpërmjet sensibilizimit, me qëllim mbrojtjen e mjedisit. Më herët ishin bërë trajnime me mësuesit dhe nxënësit duke zhvilluar aktivitete praktike për të mësuar metodat e përmirësimit dhe mbrojtjes së mjedisit. “Nëse nuk punohet e nuk bëhemi të ndërgjegjshëm, rreziku është kurdoherë i pranishëm. Këtu, për shumë kohë janë prodhuar bateri, ka patur rrjedhje acidi të dëmshëm, i cili ka interferuar me rrjedhje në tokë e objekte të tjera mjedisorë. Helmi është rezistent e rreziku është afatgjatë. Ndaj, me projektin tonë, ne synojmë sensibilizimin e banorëve, veçanërisht atyre që kanë ndërtuar dhe shtëpi në këto zona që paraqesin rrezik”,- pohon drejtoresha Gojka për “Telegraf”.

Në vijim të të gjitha aktiviteteve sensibilizuese, ditën e djeshme nxënësit dhe mësuesit e shkollës së bashku me koordinatoren e qendrës “EDEN” Ines Cilko, vendosën piketa si dhe rrethuan pjesën më të ndotur të ish-Uzinës së baterive si dhe vendosën tabela përreth zonës  dhe më pas u zhvendosën përgjatë lumit të Zagores në lagjen “Uznovë”, ku gjithashtu, vendosën tabela me mbishkrime ku u kërkohej qytetarëve që mbajnë pastër ambientin si dhe mos të kryejnë punime dhe të  largohen nga zona e ndotur e ish-Uzinës së Baterive. Fryt i bashkëpunimit të shkollës me  Organizatën Ndërkombëtare “Pavver Full Information” si dhe Qendra Mjedisore (EDEN) Tiranë, ka qenë edhe sponsorizimi prej tyre i rrethimit të shkollës me gardh hekuri  si dhe vendosja në ambiente publike i disa koshave për hedhjen e mbeturinave. Nxënësit e kësaj shkolle dhe të Qendrës Mjedisore i kanë kërkuar banorëve të kësaj zone, që të largohen nga vatrat e infektuara nga mbetjet e baterive, si dhe të lëndëve kimike. Gjithashtu, kanë kërkuar edhe nga pushteti vendor që të ndërhyhet në këtë zonë, për ta rehabilituar, pasi këtu jetojnë shumë familje, të cilat pa ditur rrezikun, kanë ngritur shtëpitë në apo dhe afër këtyre mjediseve. Më e keqja është se këto familje kanë shpuar dhe puse për ujë të pijshëm në ambientet, ku ujë është i ndotur nga lëndët kimike, që përdoreshin për përgatitjen e baterive .