Rrezik epidemie në Përrenjas, koshat e plehrave, strehë për qentë rrugaçë

1220
Sigal

PËRRENJAS/Banorët: Ka 6 muaj që s’bëhet pastrimi i qytetit që është kthyer në kosh të madh plehrash. Qentë rrugaçë rrezikojnë banorët!

 Prej 5-6 muajsh bashkia e Përrenjasit “harron” të pastrojë plehrat e qytetit, ndërkohë që, koshat e mbeturinave të kthyera në “male plehrash”, të kthyer në strehë për qentë rrugaç të qytetit e rrethinave, vazhdojnë të jenë një rrezik i madh për mjedisin dhe banorët. Burime për gazetën “Telegraf” pohojnë se, shqetësimi i qytetarëve ka qenë i vazhdueshëm për këtë problem, por drejtuesit e bashkisë, ndonëse jetojnë e punojnë mes këtij mjedisi të ndotur, nuk kujtohen të bëjnë detyrën. Minimalisht, nuk kujtohen që të paktën të heqin “malin” e plehrave që kanë mbuluar kazanët.

SITUATA

Sa po futesh në hyrje të qyteti të Përrenjasit, ajo që të bie në sy është se koshat e plehrave janë plot e për plot të mbushur me mbeturina, aq sa plehrat jashtë koshave, janë disa herë më shumë se kapaciteti mbartës i tyre. Këta kosha sipas burimeve për “Telegraf” kanë afro 6 muaj pa u pastruar dhe as kush nuk është kujtuar. Por ajo që e bën gjendje dhe më alarmante është fakti se duke  mos u pastruar,  në këta kosha flenë qentë e qytetit. Aq evidente është kjo sa gjatë natës, lehjet e qenve e ulërimat mes tyre për të siguruar folenë më të mirë lënë qytetin pa gjumë. Kjo situatë jo vetëm është tepër shqetësuese për mjedisin, por vetë qentë janë bërë rrezik dhe për jetën e banorëve. Ky rrezik është më i pranishëm në orët e vona të mbrëmjes apo në kushte e errësirës së natës.

HESHTJA E BASHKISË

Qytetarët kanë trokitur me dhjetëra herë në bashki, por titullarët e saj, çuditërisht heshtin. A. Allko shprehet për gazetën “Telegraf”:  “Jeta jonë është në rrezik dy herë. Një herë nga mbeturinat që na rrethojnë duke na shkaktuar ndonjë sëmundje apo infeksion nga plehrat në koshat e pa pastruar prej 6 muajsh, por dhe nga qentë pasi janë shtuar shumë dhe rrinë nëpër këta kosha ditën dhe natën. Kemi frikë që të kalojmë rrugës se mos na hanë, e sidomos natën. Por më të rrezikuar janë fëmijët e vegjël pasi ata nuk dinë as dhe të  mbrohen as nga qentë dhe as nga infeksionet që mund të marrin pasi janë fëmijë dhe nuk dinë gjë. Ndaj ne i bëjmë thirrje  bashkisë së Përrenjasit që  të marrë masa të me njëhershme për këtë situatë problematike që është krijuar dhe ti pastrojë këta kosha me plehra, në mënyrë që dhe ne të jetojmë ashtu si njerëz dhe të mos dalim me frikën në rrugët e qytetit”.  Ndërsa të tjerë qytetarë thonë se, kanë mbi 5-6 muaj pa u pastrua këta kosha dhe qentë janë shumëfishuar, duke krijuar lukuni të papara ndonjëherë jo vetëm në këtë qytet. “Nuk di çfarë bën dhe çfarë pret bashkia. Ndoshta do të kujtohen të heqin plehrat kur qentë rrugaçë të kafshojnë ndonjë nga titullarët. Ne paguajmë rregullisht taksat, por kjo neglizhencë, ky skandal i patolerueshëm, jo vetëm e ka kthyer qytetin në kosh të madh plehrash, por dhe jeta jonë është e rrezikuar”,- shton një banor tjetër.