“Rrezet korruptive” kanë “infektuar” veprimtarinë e kontrollit shtetëror të rrezatimit radioaktiv

549
Gazeta “Telegraf”, në vlerësim të denoncimeve të shumta që kanë ardhur nga qytetarët dhe specialistët e fushës, po nis sot trajtimin e efektit të rrezatimit radioaktiv që lëshojnë në mjedis qindra biznese e kompani private me e pa licencë, qendra kërkimore e shërbime shtetërore, por edhe aktivitete private mjekësore “të vogla” në dukje, por që kanë ndikim, mbasi shkarkojnë pasoja deri vdekjeprurëse e sëmundshmëri me pasoja kancerogjene për jetën dhe shëndetin e popullatës! Trajtimi i këtij problemi të madh jetik për popullatën, mjedisin, florën e faunën, në Shqipëri ekziston si institucion zyrtar me drejtues dhe ekspertë me tituj “profesorë e doktorë”, me borde e punonjës “ushtri” që paguhen nga taksat e shqiptarëve, por faktikisht në terrenin konkret, në përmbushjen e funksionit të këtij shërbimi ligjor, ai përbën shqetësim serioz që duhet futur urgjent nën kontroll, nën monitorim, madje që duhet “pastruar” nga “rrezatimet” korruptive që kanë kapur disa “organe” të këtij institucioni! Debatin e hapur mbi këtë problem shqetësues, sa për efekt sensibilizimi dhe orientimi, po e nisim me kornizën e funksionimit të “Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimet”, i cili ka si strukturë vepruese aktive Komisionin e Mbrojtjes nga Rrezatimet, që përveç detyrave ligjore shtetërore të përcaktuara në fushën e rrezatimit jonizues, ka edhe disa detyra të tjera, të detyrueshme për t’i kryer! 

E kemi fjalën për rregulloret mbi “Licencimin dhe inspektimin e burimeve të rrezatimit jonizues” dhe për rregulloret mbi “Menaxhimin e sigurt të mbetjeve radioaktive”, të cilat siç thuhet zyrtarisht, janë përafruar nga ZMR me Direktivat e BE dhe “Kategorizimi i burime radioaktive”, me relacionet përkatëse, të cilat janë miratuar me VKM. A është e vërtetë kjo “rregullsi” pune? A janë bërë matjet dhe evidentimet konkrete për rrezatimet jonizuese e jo jonizuese nga antenat, shërbimet farmaceutike, mbetjet spitalore e stomatologjike të shërbimeve nëpër pallate, shkolla e ngjitur me biznese ushqimore, nga mbetjet radioaktive dhe mbetjet urbane që dalin prej prodhimit e shërbimeve? A u është dhënë informacion qytetarëve se çfarë rrezatimi ka dhe a ka raste të ndërhyrjeve për parandalim, apo bllokim të ndotësve radioaktivë? Çfarë është bërë e po bëhet Për sigurinë dhe menaxhimin e lëndës djegëse të konsumuar dhe për sigurinë e menaxhimit të mbetjeve radioaktive që dalin prej tyre? A është ratifikimi i konventave ndërkombëtare për mbrojtjen nga rrezatimet radioaktive? Cilat janë lidhjet dhe bashkëveprimi me sektorin përkatës në Ministrinë e Shëndetësisë? A është plotësuar “Pyetësor” i BE dhe a është dhënë informacioni real për ndikimin dhe gjendjen reale të rrezatimeve radioaktive në Shqipëri, për zbatimin e ligjit dhe kritereve në licencimin e aktiviteteve private? Çfarë është bërë me “Kapitullin 15” me objekt “Energjia-Mbrojtja nga Rrezatimet”. A ka nj informacion konkret e të detajuar prej Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit, lidhur me të dhënat për Shqipërinë, të cilat duhet të depozitohen në “Sistemin e Bankës së të Dhënave”, lidhur me Trafikun Ilegal (BDTI) të lëndëve radioaktive, që gjendet pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA)? 
—————————————–
Ja 13, nga detyrimet ligjore të Zyrës për Mbrojtjen nga Rrezatimet 
1. Mbledhje e dokumentacionit për subjektet private dhe shtetërore, të cilat aplikojnë për marrjen e licencës
2. Realizim inspektimesh ne rang prefekture, te cilat nuk kane plotësuar te plote dokumentacionin për licencim
3. Inspektim subjektesh , të cilave u ka kaluar afati i licencës, duke mbajtur qëndrim ligjor siç e përcakton rregullorja e sanksioneve
4. Pjesëmarrje ne projektet me BE dhe ANEA
5. Përshtatja e legjislacionit tone me atë te BE dhe plotësimi i matricës bashkëngjitur
6. Firmosja e marrëveshjes me Drejtorinë e Përgjithshme te Doganave
7. Firmosja e marrëveshjes me Drejtorinë e Policisë së Shtetit
8. Bashkëpunim me departamentin e promocionit te ISHP për fillimin e një serie broshurash për promovimin e aktivitetit e zyrës dhe shpërndarjen e tyre në rang republike
9. Përditësimi i inventarit kombëtar i të gjithë burimeve te rrezatimit jonizues ne RSH
10. Instalimi i RAIS ne version SQL
11. Rritje e nivelit tone shkencor profesional nëpërmjet kualifikimeve te ndryshme, seminareve apo trajnimeve për te qene sa me eficente ne punën tonë të përditshme dhe në pjesëmarrjen në projektet që kemi në rang ndërkombëtar.
12. Ndryshimi i formatit të lejes për fillim aktiviteti. 
13. Përshtatja e termave ne ligj dhe dokumentet për licencim ne kuadër te konceptit te ri te dhënies se licencave nga QKL. 
————————————————
Ja pjesë nga Ligji Nr. 27/2013, për organet zyrtare që kontrollojnë mbrojtjen nga rrezatimet
(PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 469, DATË 13.10.2011 “PËR MBROJTJEN NGA RREZATIMET JO JONIZUESE”, miratuar në datën 14.2.2013 Shpallur me dekretin nr. 7986, datë 1.3.2013 të Presidentit të Republikës)
Organet që kryejnë verifikimin e respektimit të kërkesave të këtij ligji
Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet është njësi ekzekutive e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet, e cila, përveç detyrave të përcaktuara në fushën e rrezatimit jonizues, kryen edhe këto detyra:
a) Paraqet për miratim në komision aktet rregulluese të veprimtarisë së mbrojtjes nga rrezatimet jo jonizuese.
b) Kontrollon në praktikë dhe mbikëqyr zbatimin e akteve ligjore e nënligjore në fushën e mbrojtjes nga rrezatimet jo jonizuese.
c) Kryen inspektimin e instalimeve dhe veprimtarive me rrezatim jojonizues, në përputhje me ligjin për inspektimin.
ç) Mbledh informacion dhe kryen matjet bazë e analizat e nevojshme për kontrollin e mbrojtjes nga rrezatimet jo jonizuese.
d) Përgatit dosjet për miratimin e veprimtarive me burime të rrezatimit jo jonizues.
dh) Përgatit materialet e mbledhjeve të komisionit, si dhe raportet e kërkuara prej tij.
e) Mban inventarin për të gjitha matjet e kryera kombëtare të instalimeve dhe regjistrat e posaçëm për të gjitha matjet e kryera.
Sigal