Rreth flamurit të përbashkuar 28 NËNTOR 1912

1297
Sigal

Kush janë 40 burrat që firmosën Deklaratën e Pavarësisë

Ismail  Qemal Bej Vlora/ Ngriti flamurin Vlorë. Firmosi i pari Deklaratën e ShpalljesPavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një nga 40 firmëtarët e Aktit të shpalljes

Ismail Qemal Bej Vlora (1844-1919)

Ngriti flamurin në Vlorë. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, Ministër i Jashtëm, diplomat, guvernator, atdhetar. Me 28 Nëntor, ngriti flamurin shqiptar në Vlorë. Deklaroi në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë. Firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një nga 40 firmëtarët e Aktit të shpalljes. Në deklaratë shkruhej:

Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z.Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme“.

Ismail Qemal bej Vlora u zgjodh kryeministër Qeverisë së Përkohshme Ndihmoi lëvizjen e armatosur të shqiptarëve në kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912. Më 22 janar 1914 jep dorëheqjen dhe pushtetin ia dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Largohet nga Shqipëria për në Itali ku edhe vdes në rrethana të dyshimta, më 24 janar 1919.

Dom Nikollë Kacorri (1862-1917)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë, atdhetar, patriot dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Mori pjesë në lëvizjen politike-kulturore-kombëtare. Gjatë kryengritjes së Kurbinit 1905-1907, hyri si ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane që të shmangte gjakderdhjen. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Elbasanit (1909). Përfaqësues i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh nënkryetar i qeverisë së përkohshme.

Vehbi  Dibra Agolli (1867-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë. veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Mori pjesë në vitin 1909 në Kongresin e Dibrës, mbështeti alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit. Më 28 Nëntor 1912 në krye të delegatëve të Dibrës, merr pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh kryetar i Pleqësisë.

Jorgji Karbunara – Babë Dudë Karbunara (1842-1917)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Punoi shumë për hapjen e shkollave shqipe në Berat. Jorgji Karbunara ishte përfaqësues i Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Karbunara”.
Elmaz Boce (1850-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytetin e Gjirokastrës, në vitin 1880. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Elmas Boce”.

Qazim Kokoshi (1882-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar për përhapjen e gjuhës shqipe, patriot, njeri me bindje dhe pikëpamje demokrate. Zgjidhet delegat i Vlorës në Kuvendin e Gercës në vitin 1911. Merr pjesë në kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Qazim Kokoshi”.
Jani Minga (1872-1947)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i shkollës shqipe, i Rilindjes Kombëtare dhe i lëvizjes demokratike 1920-1924. Ishte ndër nismëtarët e hapjes së Klubit Patriotik “Labëria” dhe të shkollës së parë shqipe në Vlorë (1908). Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Minga”.

Rexhep Mitrovica (1888-1960)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, intelektuale, deputet, ministër, kryeministër. Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe ishte njëri nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë.

Dhimitër Tutulani (1875-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Dh. Tout.”. Ne vitin 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit dhe në vitin 1920 në Kongresin e Lushnjës. Në vitin 1925 kreu detyrën e kryetarit të Bashkisë së Beratit.

Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Gjatë viteve 1905-1907 u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët e njohur të asaj kohe si, Dom Nikoll Kacorri etj. Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me delegatët që e shoqëronin atë, mori pjesë në mbledhjen e parë të Kuvendit të Vlorës.

Shefqet Dajiu (1882-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i përhapjes së gjuhës shqipe dhe i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet si përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin historik të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Shefqet Daji”.

Xhelal Koprencka (1876-1919)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Nismëtar për hapjen e shkollave shqipe, në vitin 1908 në Skrapar, veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësi. Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një nga 40 firmëtarët e Aktit të shpalljes së Pavarësisë kombëtare, në vitin 1912, dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Xhelal Ko.”.

Hajredin Cakrani (1860-1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Në vitet 1908-1909, bashkëpunoi ngushtë me klubet atdhetare “Labëria” të Vlorës dhe të Filatit. U zgjodh delegat i Mallakastrës në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor të vitit 1912, ku firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Hajredin Cakrani”.

Iljaz Vrioni (1882-1932)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Nën-kryetarit i Lidhjes së Prizrenit, deputet, ministër, kryeministër. Në nëntor të vitit 1912 zgjidhet delegat i Beratit ne Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Iljas Vrijon”. Katër herë Kryeministër i Shqipërisë dhe disa here si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar ne Paris.

Murad Toptani (1867-1918)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Poet, publicist. Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912 si delegat i Tiranës dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani (kushëri i tij), i dogji shtëpinë dhe një pjesë të madhe të pasurisë së tij.

Luigj Gurakuqi (1879-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar komisioni për njehsimin e alfabetit. Pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve të Mbi Shkodrës dhe bashkëhartues me I. Qemalin i Memorandumit të Grecës. Gjatë vitit 1912, ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë, si përfaqësues i Shkodrës, firmosi Deklaratën e Pavarësisë nën siglën “Luz Gurakuqi”. Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar dhe përsëri përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari, në 2 mars 1925.

 

Spiridon Ilo (1876-1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Patriot, atdhetar. Shoqëron Ismail Qemalin në udhëtimin Trieste-Durrës-Vlorë. Merr pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Spiro T. Ilo”.

Thanas Floqi (1884-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Jurist, veprimtar i lëvizjes kombëtare, publicist, gjuhëtar, botues, kompozitor, përkthyes. Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Thanas V. Floqi”.

Lef Nosi (1873-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, albanolog, studiues, deputet, ministër. Në nëntor 1912 ishte delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Lef Nosi”. Ne qeverinë e Ismail Qemalit, Lef Nosi caktohet në detyrën e ministrit.

Nuri Sojliu (1870-1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe atë Manastirit, ku mbështeti alfabetin latin të gjuhës shqipe. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Strugës  në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Nuri”.

Ferit Vokopola (1887-1967) Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Teolog, ekonomist, poet, publicist, ministër, deputet. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegatë i Lushnjës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” M. Ferit Vokopola”.

Ymer Deliallisi (1873-1944)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ymer”.

Xhemal Deliallisi (1880-1941)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Xhemmalyyddin bej”.

Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Deputet, ministër, Kryeministër, albanolog. Si delegat i Krujës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 Nëntor 1912, firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Mustafa Asim Kruja”.

Abdi Toptani (1864-1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, ministër. Në vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit e të Shupalit kundër dhunës seë administratës osmane. Në Kuvendin e Vlorës ai firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Abdi”.

Veli Harçi (1850-1914

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual. Veli Harci ishte një intelektual i formuar. Veprimtar i klubit patriotik të qytetit, ai përfaqësoi Gjirokastrën në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Veli Harci”.

Nebi Sefa (1861-1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Në nëntor të atij viti u zgjodh delegat i Lushnjës për në Kuvendin e Vlorës. Ku nënshkroi Aktin e Pavarësisë me siglën “Nebi Sefa Lushja”.

Mit’hat Frasheri (1880-1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual, deputet, patriot, ministër. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 1908 ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Në Kuvendin e Vlorës, Frashëri ishte delegat i Elbasanit dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Punëve të Përgjithshme. Në janar 1923 fillon detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, deri në dhjetor 1925. Më 1941 është një nga themeluesit e Organizatës Nacionaliste – Balli Kombëtar. U detyrua në nëntor 1944 të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali.

Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, ministër. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në Kuvendin e Vlorës, si delegat i Vlorës, firmosi në Aktin e Pavarësisë me siglën “Zihni Abbas Kanina”.

Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, patriot, deputet. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës dhe u caktua të shoqëronte Ismail Qemalin nga Durrësi për në Vlorë. Firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Qemal Elbasani”.

Sali Gjuka (1876-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe firmosi Aktin me siglën “Salih Gjuka”.

Dhimitër Berati (1888-1970)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, diplomat, ministër. Firmosi Aktin e Pavarësisë së 28 Nëntorit 1912, nën siglën “D. Beratti”, si delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit.

Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Meë 1924 mbështet qeverinë e Nolit.

Dimitër Zografi (1878-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Me 28 Nëntor 1912 firmosi vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”.

Pandeli Cale (1879-1923)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, ministër, deputet. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912 dhe shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Me 28 Nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos Aktin e Pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”.

Bedri Pejani (1885-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të Kosovës (1918-1924). Në nëntor 1912, mori pjesë si përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës në mbledhjen e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Bedri Pejan”. Qemal Mullaj (1881-1966)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, deputet. Si delegat i Lushnjës, në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës dhe firmosi Aktin e shpalljes së Pavarësisë me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës I Botërore u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920, për t’u rimarrë përsëri me politikë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar.

Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, mjek, patriot. Në nëntor të vitit 1912, Dr. Myrteza Ali Struga, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegat të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”.

Aristidh Ruci (1875-1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. Merr pjesë në kryengritjen e përgjithshme, më 1911. Ishte delegat i Vlorës në Kuvendin që shpalli pavarësinë dhe firmosi Aktin me siglën “A. Ruci”.
Zyhdi Ohri (1872-1938)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, senator. Në vitet 1898-1900 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Në nëntor 1912, i zgjedhur nga Ohri si delegat, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Zuhdi Ohri”.