Rreth 80% e fëmijëve dhunohen

597
Sigal

Alarm/Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës së Fëmijëve sjell shifra alarmante

Sot në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Fëmijëve, shifrat në Shqipëri janë alarmante. Sipas UNICEF rreth 80 % e fëmijëve shqiptarë kanë vuajtur të paktën një formë të dhunës fizike ose psikologjike, ndërsa 45 % e tyre dhunohen në familje. Shumë shqetësues është dhe fenomeni i lypësve të rrugës të cilët dhunohen nga prindërit. Në Shqipëri fëmijëria mbetet e vështirë dhe kjo tregohet nga raporti i Ministrisë së Punës, sipas së cilit qendrat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve për një vit kanë trajtuar 953 fëmijë në nevojë. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dënon ashpër mungesën e një ligji në Shqipëri që ndalon përdorimin e dhunës ndaj fëmijëve.  Sipas CRCA-së, fëmijët anembanë Shqipërisë, sidomos fëmijët e varfër, fëmijët që jetojnë me ndihmë ekonomike, që janë të braktisur e të neglizhuar nga familjet e tyre, fëmijët që për të mbijetuar lypin, vjedhin apo shesin trupin e tyre, duan të dinë se kush i mbron të drejtat e tyre.  CRCA parashtron një sërë çështjesh të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien fizike dhe psikologjike të fëmijëve, për të cilat instancat shtetërore, zyrtarët publik dhe komuniteti në tërësi, duhet të marrin masat e nevojshme.  Sipas CRCA-së  legjislacioni shqiptar paraqet mangësi serioze për mbrojtjen nga pornografia. Pornografia e fëmijëve, përfshi edhe atë në internet, është një fenomen i ri në Shqipëri dhe kjo kërkon përmirësimin serioz të kuadrit ligjor. Çdo vit, numri i përdoruesve të Internetit rritet me 300%, e kësisoj rriten edhe rreziqet e mundshme nga përdorimi jo në mënyrë të sigurt të internetit. Dita -ditës numri i rasteve të raportuara shtohet, tregues ky që fëmijët shqiptarë po ekspozohen çdo ditë e më tepër ndaj pornografisë, sidomos asaj në internet. Dështimi i Parlamentit Shqiptar për adresimin e këtij fenomeni në ndryshimet e fundit të Kodit Penal, vetëm ka rritur mundësitë që fëmijët të jenë akoma më të rrezikuar për t’u bërë viktima të shfrytëzimit për qëllime seksuale.

Forma të ndryshme të dhunës

Dhuna fizike –goditja me shpullë, goditja, grushtimi dhe forma të tjera të përdorimit të forcës

Dhuna seksuale – prekjet seksuale, ngacmimi seksual, keqpërdorimi seksual, dhunimi ose shfrytëzimi seksual në prostitucion ose pornografi dhe forma të tjera

Dhuna psikologjike – ofendimi, kërcënimi, poshtërimi, sharja, izolimi dhe forma të tjera

Neglizhenca – dështimi i një prindi ose kujdestari t’iu sigurojë fëmijëve kujdesin dhe mbrojtjen që kanë nevojë, siç është streha, ushqimi, veshmbathja dhe kujdesi shëndetësor. Ajo përfshin po ashtu edhe mos sigurimin i mbështetjes emocionale, ose moskujdesi për shkollimin e një fëmije.