Rreth 1500 banorë përfitojnë nga ndërtimi i rrugës së re në Njësinë Administrative të Farkës

539
Sigal

Mazniku: “Bashkia e Tiranës e përkushtuar për të ofruar
shërbime të njëjta në të gjitha njësitë administrative”

 

Në qendër të vëmendjes së Bashkisë së Tiranës janë edhe
investimet në zonat periferike të kryeqytetit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës,
Arbër Mazniku, inspektoi rrugën e re që lidh Farkën me
zonën urbane, e cila u vjen në ndihmë 1500 banorëve të kësaj zone. Në fjalën e
tij, nënkryetari Mazniku vlerësoi potencialet e kësaj zone, e cila prej vitesh
nuk kishte njohur investime.

 

“Njësia Administrative Farkë është një nga njësitë, e
cila ka numrin më të madh të banorëve, ndër njësitë administrative që iu
bashkuan Tiranës me reformën administrative. Është një nga njësitë që ka
potencialin më të  madh zhvillimor. Shumë
pak kilometra pranë Tiranës, ku  një
pjesë e madhe e rrugëve kanë qenë të pastrukturuara dhe jashtë standardeve për
një jetesë normale”, theksoi Mazniku. Ai tha se Bashkia e Tiranës ka aktualisht
rreth 30 projekte në të gjitha njësitë administrative, të cilat do të
përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve në këto zona.

 

“Ky investim është një nga investimet e shumta që Bashkia
e Tiranës është duke bërë në të gjitha njësitë administrative. Sot që flasim
kemi 30 projekte, të cilat janë duke ndodhur në të gjitha njësitë
administrative, që përmirësojnë jetën e qytetarëve në këto zona. Ky është një
pohim i faktit që ne besojmë se nuk ka qytetarë të ndryshëm, ata që rrinë në
Tiranë apo ata që jetojnë në njësi administrative. Janë qytetarë të Tiranës, me
të drejta të barabarta dhe qëllimi i Bashkisë është të ofrojë shërbime të
njëjta, në të gjitha njësitë administrative të Tiranës, në Farkë, Shëngjergj,
Pezë, në njësinë 1, në njësinë 5 apo në njësinë 3”, tha ai. Mazniku sqaroi se
edhe në kuadër të hartimit të buxhetit të bashkisë për 2017-n, një fokus të
posaçëm do të kenë investimet në këto zona, duke garantuar që Tirana të jetë
një qytet që u jep shanse të barabarta të gjithë qytetarëve.

 

Duke vlerësuar punën e Bashkisë së Tiranës, deputeti i
PS, Artan Gaçe theksoi se investime të tilla janë tregues i angazhimit të
Bashkisë për t’u garantuar të gjithë qytetarëve një jetë më të mirë. “Kjo ka
qenë një nga zonat me informale të Farkës sepse është një zonë e banuar
kryesisht nga të ardhur. Për shkak edhe të ndërtimeve informale, ka qenë një
zonë e pastrukturuar. Tashmë, me ndërtimin edhe të kësaj rruge, kjo zonë vjen
në standardet e çdo zone të qytetit të Tiranës. Kjo është një shenjë e
përditshme që nuk ka më qytetarë të kategorisë së dytë dhe qytetarë të
kategorisë së parë, por edhe këta banorë të kësaj zone, pavarësisht se janë të
ardhur rishtaz në Tiranë, në një zonë që është populluar me vonesë dhe e
urbanizuar së fundmi, marrin të njëjtat shërbime si qytetarët e qendrës së
Tiranës”, tha Gaçi. 

 

Rruga
e re ka trotuarë, kanalizimet e ujërave të bardha, si dhe është pajisur me të
gjithë sinjalistikën e nevojshme horizontale dhe vertikale