Rrëshqet toka në Poliçan dëmtohet tubacioni kryesor i Ujësjellësit të Bogovës

585
Sigal

BERAT/Drejtori i Ujësjellësit, Fatmir Shehu: “Po hasim vështirësi, kemi tokë të paqëndrueshme dhe terren të pjerrët”

Çahet si pasojë e rrëshqitjes së tokës tubacioni kryesor i Ujësjellësit të Bogovës. Gjendja, sipas specialistëve, paraqitet e rëndë, pasi terreni i vështirë malor po zgjat kohën e mbylljes së defektit.

Situata

Reshjet e vazhdueshme të shirave dhe lagështia e madhe ka sjellë rrëshqitje të tokës në të gjithë Qarkun e Beratit, por ajo që u bë problematike është shkarja e tokës në vendin e quajtur Pronovik, dy kilometra larg qytetit të Poliçanit. Për rastin konkret burime nga drejtoria Rajonale e Ujësjellësi bëjnë të ditur për “Telegraf” se, tubacioni kryesor i Ujësjellësit që vjen nga vendburimi i Bogovës ka pësuar një dëm të madh. Bëhet fjalë për 100 metër tubë të dëmtuar, si pasojë e rrëshqitjes së një sipërfaqe të madhe toke. Drejtori i Ujësjellësit, z.Fatmir Shehu u shpreh për gazetën se vendi ku ka ndodhur defekti është një terren i pjerrët dhe shumë i vështirë për tu riparuar. “Ne po punojmë edhe me orar të zgjatur me specialistët tanë për të eliminuar këtë defekt të rëndë që pësojë tubacioni kryesor. Tubacion, i cili furnizon me ujë të pijshëm tre qytetet e qarkut. Më konkretisht Beratin, Poliçanin dhe një pjesë të qytetit të Kuçovës, qytete këto që në këto ditë po furnizohen me orar të reduktuar”, tha Shehu. Sipas të dhënave defekti është i madh dhe çarjet që ka pësuar tubi janë në shumë vende, gjë e cila po vështirëson edhe punën, pasi defekti ka pesë ditë që ka ndodhur dhe ende nuk është bërë e mundur riparimi i tij, kjo sipas z.Shehu edhe për shkak të terrenit, jo të favorshëm. “Kemi pesë ditë që po angazhohemi. Specialistët e Ujësjellësit po punojnë maksimalisht për eliminimin e këtij dëmtimi, pasi edhe shirat e vazhdueshëm kanë vështirësuar punën”, citoi drejtori i Ujësjellësit. Pyetjes së “Telegraf” se, për sa kohë mund të marr fund ky problem z. Shehu iu përgjigj: “Defekti do të rregullohet sa më shpejt. Ne kemi dërguar të gjitha makineritë e rënda që disponojmë për të tërhequr tubot e dëmtuara në mënyrë që të bëjmë zëvendësimin e tyre me tubot e reja. Gjithashtu, makineritë po punojnë edhe për hapjen e dherave, të cilët janë kthyer në një pengesë serioze për të kryer punimet tona”.

Përsëritjet

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Ujësjellësit bëhet e ditur se ky problem përsëritet çdo vit, pasi vendi ku është shtrirë tubacioni kryesor është një terren i pjerrët dhe aty ka gjithmonë rrëshqitje të dheut, ku si pasojë masivi i dheut gjatë zhvendosjes tërheq me vetë dhe tubacionin, duke e dëmtuar atë. Disa herë nga ana e drejtorisë së Ujësjellësit janë kërkuar fonde si mënyra e vetme për të shpëtuar nga ky “ritual” i përvitshëm.  Fondet do të përdoren për të ndryshuar drejtimin e tubacionit kryesor. Ky ndryshim do të ndikojë në edhe në ruajtjen e tij.