Rrëshen, zbulohet një magazinë ku përpunohej kanabis, 15 të arrestuar

Një magazinë me sasi të madhe droge është zbuluar në Mirditë dhe të paktën 15 persona janë arrestuar. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme dhe për të finalizuar operacionin janë thirrur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, pasi kishte dyshime se brenda mund të kishte persona të armatosur.

Rreth 100 forca të policisë Lezhë dhe Mirditë kanë marrë pjesë në operacion, në krye të të cilit ka qenë vetë nëndrejtori i policisë Lezhë. Mësohet se magazina shërbente për mbledhjen dhe përpunimin e kanabisit.

Më herët ishte deputeti demokrat Flamur Noka që paralajmëroi për zbulimin e 3 ton drogë në Rrëshen. Ai madje tha se ka përplasje mes policisë së Rrëshenit dhe asaj të Lezhës dhe për këtë arsye është kërkuar RENEA.

“Pazaret e drogës tashmë kanë kaluar nga konflikte mes bandash në përplasje brenda vetë Policisë. Në këto momente tek magazinat e ish pularisë në qytetin e Rrëshenit zbulohen sasi të frikshme droge. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se janë rreth 3 ton drogë. Banesa është rrethuar nga një grup i policisë të krimit organizuar të Drejtorisë Lezhë. Policia e Rreshenit nuk pranon të ndërhyjë dhe i ka braktisur ndërkohë dhe uniformat blu të drejtorisë Lezhë nuk po guxojnë të ndërhyjnë. Pritet të vine nga RENEA. Kjo është “Policia që duam” në Kanabistan”, shkruante Noka